Lulet e para i vijnë nga vajza e tij, e cila ka zgjedhur të ndjekë profesion e te atit. Kështu nis festa e 7 Marsit për Viktor Selimin, ish-mësuesin nga Kurbini që plot 38 vite te jetes ia kushtoi arsimit.

Sot 86 vjeç, ish-mesuesi kujton me nostalgji vitet kur punonte në shkollë dhe përkushtimin ndaj nxënësve. Për të, profesioni ka qenë gjithmonë një mision i rëndësishëm në shoqëri.Teksa rrëfen përvojën e gjate, thekson se dikur mësuesi kishte autoritet të madh, ndërsa nxënësit kishin vlerësim për të.

"Kujtoj nxënësit, të cilët kanë pasur një kulturë që nuk e ka pasur kush. Kur kalonte arsimtari në rrugën për në shkollë, nxënësit ktheheshin më fytyrë nga mësuesi duke e përshëndetur. Për një gjest të vogël i kam rënë shpullë, ai sot vjen dhe më përqafon dhe më puth. Kultura dhe edukata e nxënësve ka qenë në lartësi të jashtëzakonshme, që sot nuk ekziston",- thotë Selimi.

Në ditët e sotme shumë gjëra kanë ndryshuar. Ai thotë se niveli i arsimit dhe i mësuesve ka rënë, ndërsa shpesh mungojnë rregulli e disiplina në shkolla.

Në Ditën e Mësuesit, Viktor Selimi ka këtë mesazh për arsimtarët e rinj.

"Sot, ua them një të vërtetë, mos ma keqkuptoni. Shumica e arsimtarëve shkojnë në klub që nuk lejohet të shkojë arsimtari. Të pijë raki e kafe dhe të japë mësim. Një mësues që nuk e gjykon nxënësin si fëmijën e vet, ai nuk është mësues",- thotë Selimi.

Prej me shume se dy dekadash eshte ne pension por kujtimet nga vitet e punës mbeten ende të gjalla per Viktor Selimin, e cili ruan me kujdes ditarët e vjetër. Deshmi kjo e dashurisë për profesionin e arsimtarit.