E pranishme për në këtë ngjarje ka qenë ekskluzivisht edhe gazetarja e "A1 Report", Eriona Rusi. Për herë të parë një gazetare shqiptare shkon në Ramallah. Gazetarja Rusi informon se procesioni i gjatë gati 5 km që nisi në sheshin `Tre akset` në Ramallah, i parapriu ceremonisë pranë varrit të Araft në Rezidencën presidenciale Muqata.
Nga Ramallah Erjona Rusi
Qindra të rinj, madje edhe fëmijë të moshave të vogla, mbanin në duar flamujt palestinezë, portretin e liderit të tyre dhe pishtarë ndërsa parakaluan përgjatë qytetit nën gjëmimin e daulleve dhe me një marsh gati ushtarak.
E gjithë atmosfera ishte e jashtëzakonshme, gjithashtu vihej re prania e madhe e turistëve të ardhur që nga Kina dhe deri tek vendet e Ballkanit, si Shqipëria dhe Bosnja, për të parë këtë ceremoni të jashtëzakonshme që zgjati për disa orë.
Gjatë gjithë marshimit, zëri i një të djali shoqëronte parakalimin e të rinjve, duke përcjellë momente të rëndësishme të jetës së Arafat dhe pjesë nga fjalimet e tij.
Pas procesionit, parakalimi përfundoi pikërisht në rezidencën presidenciale ku prehen eshtrat e Arafat, ku personalitete të larta politike, fetare, familjarë, miq e të afërm dhe qytetarë të thjeshtë nderuan liderin e tyre.
(Në foto: Kurorat e vendosura pranë varrit të Arafat)
Të parët që vendosën kurora ishin kryeministri palestinez dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij, për të vijuar më pas me anëtarë të Organizatës për Clirimin e Palestinës, liderët e Al Fatah dhe drejtues të lartë ushtarakë, çka u pasua nga nderimi i mijëra qytetarëve, të cilët shtynin njëri-tjetrin, që të arrinin të futeshin brenda hollit ku qëndron varri i Arafat.
(Në foto: Kurorat e vendosura pranë varrit të Arafat)
Por ky 9-vjetor i vdekjes së tij, i gjen palestinezët ende pa një zgjidhje për çështjen e Palestinës, pasi bisedimet me Izraelin janë në një ngërç të plotë, ndërsa nga ana tjetër ende nuk ka një version të saktë për vdekjen e Arafat 9 vite më parë.
Raporti nga një grup shkencëtarësh zviceranë i publikuar vetëm 5 ditë më parë nga Al Xhazira, doli në përfundimin se vdekja e Arafat mund të ketë ardhur si pasojë e helmimit me polonium 210-të, pasi ekzaminimi i trupit të tij tregoi nivel të lartë të kësaj lënde radioaktive.
Shkencëtarët e Universitetit të Luzanës thanë se kanë kryer një ekzaminim të detajuar të kartelës mjekësore të Arafat, kampionëve të marrë nga eshtrat e tij dhe sende që ai kishte marrë me vete në spitalin në Paris ku dhe ndërroi jetë 9 vjet më parë.
Shumë palestinezë kanë besuar që në fillim se Izraeli fshihet pas vdekjes së Arafat, dhe në fakt edhe sot gjatë intervistave të marra nga gazetarja Erjona Rusi, për A1 Report, disa prej të pranishmëve në ceremoni drejtuan sërish akuza kundër shtetit hebre, megjithëse ky i fundit vazhdon të mohojë përfshirjen e tij.
Polonium 210-të, është një substancë tepër radioaktive që gjendet në doza të vogla në ushqim dhe trupin e njeriut por mund të jetë vdekjeprurëse nëse merret në doza të mëdha.
(Në foto: Gazetarja Eriona Rusi, duke raportuar për "A1 Report" nga Ramallah).
Ndërkaq, një tjetër grup shkencëtarësh nga Rusia që ka ekzaminuar eshtrat e Arafat doli në qëndrimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur teorinë e helmimit megjithëse edhe ky grup ka gjetur nivel të lartë polonium 210.
Gjithashtu, një grup i tretë shkencëtarësh që kanë kryer ekzaminime me urdhër të gjykatës franceze dhe po hetojnë gjithashtu mbi vdekjen e Araft nuk kanë publikuar ende rezultatet e tyre.
Nga ana tjetër, vetë komiteti palestinez i hetimit nuk ka arritur në ndonjë konkluzion përfundimtar në këtë drejtim, ndaj e veja e Arafat, Suha ka kërkuar një hetim të besueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Arafat ndërroi jetë më 11 nëntor të vitit 2004 në një spital ushtarak francez në moshën 75-vjecare, një muaj pasi u sëmur në kompleksin e tij në Bregun Perëndimor.
Në atë kohë mjekët francez deklaruan se ai ndërroi jetë pas një hemoragjie cerebrale dhe problemeve me mpiksjen e gjakut, por pa bërë të qartë se cili ishte shkaku i gjendjes së tij.
Varri i Arafat u hap vitin e kaluar pikërisht për të lejuar ekipet zvicerane, rusë dhe francezë të kryenin hetime të pavarura mbi vdekjen e liderit palestinez duke marrë kampionë nga eshtrat e tij. Por ndërkaq ky përvjetor i 9-të i vdekjes së liderit të tyre i gjen palestinezët ende pa një zgjidhje për shtetin e tyre.
Vetëm dy ditë më parë, sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri paralajmëroi për një intifadë të tretë nëse bisedimet izraelito-palestineze dështojnë. Ai përdori fjalën intifadë në gjuhën arabe duke iu referuar revoltave palestineze në vitet 1987 -1993 dhe 2000 - 2005 që përfunduan me një numër të lartë viktimash, kryesisht nga pala palestineze.
Fjala e përdorur tregon edhe frustrimin e SHBA-ve ndaj procesit të bllokuar të paqes si dhe është një shenjë tensioni mes Washingtonit dhe aleatit të tij më të madh në Lindjen e Mesme, Izraelit.
Gjatë vizitës në Izrael ai kërkoi të rivendosë në binarë procesin deri tani të dështuar të paqes, duke thënë se alternativa ndaj suksesit është një përshkallëzim i mundshëm i dhunës palestineze.
Redaksia Online
(e.b./mag/shqiptarja.com)