'CEZ', Sali Berisha do rikthehet
me forcë, ja pse refuzoi betimin

'CEZ', Sali Berisha do rikthehet<br />me forcë, ja pse refuzoi betimin
Ish-kryeministri Sali Berisha mund të rikthehet sërish me forcë në komisionin hetimor, për të dëshmuar për privatizimin abuziv të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe për favorizimin e CEZ, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 414 milionë euro.

Çdo veprim i dëshmitarit Sali Berisha, në mbledhjen e fundit të komisionit hetimor për çështjen ‘CEZ’, është i pavlefshëm sipas ligjit, dhe për pasojë nuk mund të pasqyrohet në raportin përfundimtar të komisionit dhe as në dosjen që do të referohet në organin aktual të akuzës apo në Prokurorinë Speciale, e cila do të ngrihet në javët në vijim.

Dëshmia e ish-kryeministrit rrëzohet nga neni 360 i Kodit të Procedurës Penale. Pika 3 e nenit 360 parashikon që mosrespektimi i dispozitave të paragrafëve 2 dhe 3, pra refuzimi i betimit dhe i gjeneraliteteve nga dëshmitari, sjell pavlefshmërinë e veprimit të kryer.

Pavarësisht kërkesës së kryetarit të komisionit, Taulant Balla, Berisha refuzoi të bënte betimin si dhe të tregonte gjeneralitetet, duke e bërë gjithçka tha më pas, të pavlefshme. “Nuk mundet kurrë të përdhoset betimi para një shpifësi ordiner. Nuk ke autoritet, moral dhe kredenciale të marrësh asnjë betim derisa je i dënuar me vendim të formës së prerë”, tha Berisha.

Në këto kushte, burime pranë komisionit bënë me dije se, nëse organet e Kuvendit do të konfirmojnë pavlefshmërinë e dëshmisë, ish-kryeministri Sali Berisha do të thirret sërish për të dëshmuar, duke respektuar parashikimet e ligjit për komisionet hetimore si dhe nenin 360 të Kodit të Procedurës Penale. Nëse Berisha do të bëjë rezistencë, siç refuzoi thirrjet e para, atëherë në lëvizje do të vihet sërish policia, për ta shoqëruar me forcë.

Prapaskenat
Ka dyshime të forta se, ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar qëllimisht të betohej se do të thoshte të vërtetën para komisionin hetimor si dhe të tregonte gjeneralitetet, për të sjellë pavlefshmërinë e dëshmisë.

Nuk është më sekret që, komisioni hetimor, krahas miratimit të raportit përfundimtar, do të referojë një dosje me dëshmi dhe dokumente në organin e akuzës, duke kallëzuar në të njëjtën kohë penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha, si i implikuar në favorizimin e CEZ.

Përfaqësuesit e mazhorancës në komisionin hetimor mendojnë se, dëshmia e ish-juristit të OSHEE, Romeo Karajt, e shoqëruar me fakte dhe prova të tjera, vesh me përgjegjësi penale ish-kryeministrin Sali Berisha, si protagonist kryesor i privatizimit të OSSH. Në këto kushte, duke e bërë të pavlefshme, dëshmia e Berishës nuk mund të merret në konsideratë nga një organ tjetër hetimor.

Së dyti, dëshmitari Berisha, sipas Kodit Penal, mban përgjegjësi ligjore për dëshmi të rreme. Nëse dëshmia e ditës së hënë do të ishte e vlefshme, Berisha do të duhej të rrëfente raportet me sekserët e përmendur nga Romeo Karaj, në të kundërtën mund të kallëzohej penalisht.

Dosja për Berishën
Shqiptarja.com ka mësuar se, pas administrimit të dëshmisë, e-maileve dhe çdo dokumenti tjetër të paraqitur nga dëshmitari, Romeo Karajt, komisioni do të referojë një dosje në organin e akuzës, duke kallëzuar në të njëjtën kohë penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha dhe krerët e institucioneve përgjegjëse, të cilat kanë favorizuar CEZ në dëm të shtetit si dhe nuk kanë marrë masa për zbatimin e detyrimeve të marra përsipër në marrëveshjen e shitjes së aksioneve të OSSH, miratuar me ligjin 10116, datë 23.04.2009.

Po ashtu, referuar mbi 50 dokumenteve të Ministrisë e Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Enti Rregullator i Energjisë, komisioni ka dalë në konkluzionin se kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, këshilltarë të tij, ministra dhe drejtorë, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për një vendimmarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s, duke favorizuar CEZ. Bazuar në këto dokumente, komisioni ka bërë një bilanc, duke llogaritur një dëm prej 57 miliardë lekësh shkaktuar shtetit shqiptar.

Neni 360, Kodi i Procedurës Penale
  1. Para se të fillojë pyetja, kryetari paralajmëron dëshmitarin për detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore që ka për të thënë të vërtetën, me përjashtim të rasteve kur dëshmitari është i mitur deri në katërmbëdhjetë vjeç.
  2. Sekretari lexon deklaratën e betimit të dëshmitarit: “Betohem se do të them të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe të mos them asgjë që nuk është e vërtetë”. Pas kësaj dëshmitari deklaron: ‘Betohem’ dhe tregon gjeneralitetet e tij.
  3. Mosrespektimi i dispozitave të paragrafëve 2 dhe 3 sjell pavlefshmërinë e veprimit të kryer.

dy.b/shqiptraja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Babai i Dua Lipas nostalgjik për kohën e shkuar: Kam shitur xhaketa lëkure

Babai i Dua Lipas nostalgjik për kohën e shkuar: Kam shitur xhaketa lëkure