Shkrimtari shqiptar më famë botërore, Ismail Kadare, ka folur shkurt, pas atentatit që ka ndodhur në Paris, ku mbetur të paktën 12 të vdekur e disa të plagosur. Në një bisedë për mediat kosovare, Kadare ka thënë se populli shqiptar s’duhet të vuajë më nga komplekset e identitetit të dyfishtë dhe as të ndihet përgjegjës për veprimet e të tjerëve.

Sipas tij, shqiptarët identifikohen dhe janë evropianë me rrënjë, gjuhë e histori. “Është një komb i vetëdijshëm, është një komb me identiteti evropian, ka lindur në kontinentin evropian, midis qytetërimit evropian. Është në gjuhë, kulturë, mentalitet e kujtime kombëtare evropian. Kombi shqiptar s’ka pse të vuajë nga komplekset e identiteti të dyfishtë”, ka thënë Kadare.

“Kombi shqiptar duhet të bindet se është europian dhe s'ka të bëjë me këto. Është europian, ka rrënjë europiane, ka histori europiane, ka kulturë europiane, ka kujtesë europiane, ka gjuhë europiane. Kjo është. Asgjë tjetër”, thekson Ismail Kadare.


Shkrimtari më i përkthyer shqiptar, në më shumë se 45 gjuhë të huaja, disa herë është përfshirë në debate sa i përket identitetit të shqiptarëve dhe ndikimin e Turqisë në Shqipëri e Kosovë.


Marrë nga Gazeta Express

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)