TIRANË - Prokuroria është tërhequr nga akuza tentativë vrasje ndaj funksionarëve për Durim Bamin, duke i komunikuar atij akuzën e re atë të kallëzimit të rremë.

Ky fakt konfirmohet për A1Report nga burime pranë prokurorisë së përgjithshme, të cilët thanë se akuza e re Bamit i është komunikuar në paraburgimin e Fushë Krujës nga prokurori dhe në prani të avokatit të tij mbrojtës Ilir Murati.

36-vjeçari nga Fushë Kruja i cili qëndron pas hekurave prej 21 ditësh si personi që do të vriste dy deputetët Tom Doshi e Mëhill Fufi, duhet të lirohet ka deklaruar avokati i tij Ilir Murati i kontaktuar nga A1 Report.

Bami u prangos si atentator i dyshuar në planin për eliminimin e deputetit Tom Doshi e Mhill Fufi, ndërsa në 18 ditë hetime Prokuroria deklaroi se gjithçka ishte një inskenim i vetë Doshit në bashkëpunim me Mark Frrokun, duke hedhur poshtë pretendimet se ka patur një plan vrasje.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)