'Drejt Punës', Fjorda: Nga Tirana
 në Rotterdam, ja pse u largova

'Drejt Punës', Fjorda: Nga Tirana<br /> në Rotterdam, ja pse u largova
TIRANE- Nuk janë të paktë studentët shqiptarë që mund të gjejnë hapësira studimore dhe shkencore jashtë vendit! Një ndër to është edhe Fjorda Koromani, e cila përmes këtij rrëfimi na tregon arsyet e largimit nga Shqipëria në Rotterdam, pritshmëritë e saj në Netherlands Institute for Health Sciences, ku parësore është studimet për frakturat vertebrale, si dhe ditët e bukura që kalon në vendin e bukur të Rotterdamit.

Edhe pse është vetëm 27 vjeçe, Fjorda thotë se pavarësisht mallit që ka për familjen, miqtë, kthimi nuk është në axhendën e planeve të afërta. Ajo e bindur, ka një mesazh për të gjithë të rinjtë, ku thotë se mos harroni në asnjë moment të pyesni “Pse?”  dhe t’i përgjigjeni, si dhe vendoseni gjithmonë në dyshim autoritetin.
 
Fjorda, t’i je duke kryer doktoraturën në Rotterdam në Qendrën Mjekësore Erasmus MC. Mund të më tregosh pak më tepër mbi punën që po kryen?
Unë jam duke studiuar faktorët gjenetikë që ndikojnë në osteoporozë, në Laboratorin Gjenetik të Departamentit të Mjekësisë Interne në Erasmus MC si dhe në Departamentin e Epidemiologjisë. Specifikisht studioj frakturat e vertebrave si një shenjë shoqëruese e osteporozës, në lidhje me faktorë të ndryshëm risku. Pasi i identifikoj këta faktorë risku dhe vërtetoj që janë të lidhur me frakturat e vertebrave, identifikoj variacionet gjenetikë që janë përgjegjës për ta.
 
Përse vendose ta kryesh doktoraturën jashtë Shqipërisë?
Arsyeja kryesore ishte të studiuarit në një institucion ndryshe nga ai ku kisha studiuar deri atëherë. Për mua dijet që kisha pas diplomimit nuk i përmbushnin pritshmëritë e mia dhe përgjegjësia kryesore për këtë i bie strukturës dhe organizimit të institucionit ku unë i kreva studimet. Për fat të keq, ne nuk na u mësua dhe nuk u nxitëm e as frymëzuam nga askush se si të sintetizojmë, krijojmë hipoteza apo menaxhojmë situata të panjohura, por vetëm se si të riprodhojmë dije të mësuar përmendësh apo si të kalonim provimet.

Arsye tjetër ishte sepse në fushën konkrete ku unë po punoj, në Shqipëri nuk ka as të dhëna, as laborator, as fuqi kompjuterike të mjaftueshme dhe as specialistë të cilët punojnë në të. Gjithashtu doja të merrja pak pushim nga shteti Shqiptar dhe nga situatat absurde të çdo ditë që më thithnin çdo lloj energjie pozitive që kisha. E gjeja veten çdo ditë duke u munduar të menaxhoj faktin që gjërat ndryshe ishin në teori (apo në libra) ndryshe në praktikë dhe që duhet të përshtatesha me diçka që për mua ishte e gabuar.

Ngado që hidhja sytë shihja punë të papërfunduara, rrugë të papërfunduara, projekte ndërtesash të papërfunduara, rikonstruksione të nisur dhe të lënë përgjysmë dhe nuk është çudi që shumë prej nesh shqiptarëve e marrim një punë dhe e lëmë për gjysmë, s’kemi patur shembull tjetër. Kryesisht për këto arsye vendosa të largohem.
 
Si e ndjen veten në Rotterdam? A ka qenë i vështirë ambientimi?
Qyteti është shumë i këndshëm dhe interesant! Ngado që hedh sytë sheh ndërtesa që janë të tilla dhe vepra arti njëkohësisht dhe vë re që secila prej tyre tregon një histori. Gjithashtu, ka shumë hapësira të gjelbra dhe shumë ndriçim, saqë pjesa e preferuar e ditës për mua është kur kthehem në këmbë në mbrëmje për në shtëpi.

Megjithatë, qyteti nuk ka vetëm arkitekturën të veçantë, por edhe faktin që në të jetojnë mbi 170 nacionalitete të ndryshme. Ka kaq shumë diversitet kulturash saqë kam thyer më shumë mite dhe paragjykime në  një vit sesa në gjithë jetën time (qesh). Ambientimi nuk ka qenë i vështirë dhe arsyeja kryesore është sepse këtu kisha dhe miq të mirë të Universitetit nga Shqipëria të cilët më këshilluan me detaje dhe praktikisht më kursyen shumë lodhje. (Faleminderit Tao, Jana, Kozi, Adela, Bruna, Kodi (qesh).
 
Ti kthehemi studimeve. Çfarë procedurash ndoqe për t’i kryer ato në Erasmus MC.?
Universiteti i Mjekësisë kryen shkëmbime studentore ndërkombëtare brenda programeve të caktuar, midis të tjerash dhe Erasmus-Western Balkans (ERAWEB) në të cilin unë aplikova. Praktikisht çdo student ose ish-student i diplomuar në Universitetin e Mjekësisë mund të aplikojë, me një listë dokumentash standarde.

Në rastin tim, meqenëse  aplikova për program doktorature, dorëzova dhe një plan projekt të studimit që do kryej. Plan projektin e shkrova në bashkëpunim me supervizorin me të cilin do punoja nëse pranohej aplikimi.
 
A janë përmbushur pritshmëritë e tua në lidhje me studimet, në institucionin ku po punon?
Unë jam ende në fillim të rrugës, por më kujtohet kur ndiqja kurset e programit të masterit, literalisht më ziente koka nga njohuritë e reja dhe njëmijë pyetjet që më kalonin në mendje, pyetje të cilave për fat të mirë,  një pjesë ju jam përgjigjur dhe një pjese jam ende duke u munduar t’ju gjej përgjigjet.

Nuk kalon ditë që mos të mësoj diçka vërtetë të re në fushën e shkencës dhe nuk kalon një situatë e vetme pa marrë mësime jete nga supervizori im (qesh) i cili është një nga njerëzit më të mirë, me më shumë durim dhe pasion për shkencën që kam njohur. Po, pritshmëritë deri tani janë përmbushur.
 
Cila është rutina e ditës tënde?
Rutina e ditës time varet nga dita (qesh). Të Hënën e nis gjithmonë me takim me supervizorin dhe të Mërkurën me takim me Departamentin, takime në të cilat diskutohet ecuria gjatë javës, rezultatet e punës dhe merren sugjerime apo ndihmë nëse na nevojitet dhe gjithashtu informohemi me ecurinë e punës së kolegëve.

Zakonisht, çdo ditë ka prezantime apo seminare nëpër departamente të tjerë, të cilat i ndjek për t’u njohur me të rejat apo punimet e kolegëve dhe për t’i bërë trurit fiskulturë (qesh). Supozohet që punën ta mbyll në 17:30 (qesh), por kjo nuk ndodh asnjëherë. Dy deri në tre ditë në javë, në mbrëmje shkoj në kursin e volejbollit dhe një herë në javë në kurs frengjishteje.
 
Frengjisht?
Frengjishtja tingëllon shumë më bukur se hollandishtja.
 
Të mungon Shqipëria?
Oooh (trishtohet). Më mungon familja, shoqëria, e folura më këmbë e me duar, me zë të lartë, përqafimet dhe puthjet nga katër herë (qesh). Më mungojnë ditët me diell dhe malet.
 
Mendon të rikthehesh një ditë në atdhe?
Po sigurisht që e mendoj, besoj se çdokush që nuk jeton në vendin ku ka lindur, i kalon në mendje të kthehet atje, por jo, nuk kam plane konkrete në lidhje me kthimin.
 
Çfarë këshille do t’i jepje studentëve të rinj?
Mos harroni në asnjë moment të pyesni “Pse?”  dhe t’i përgjigjeni, si dhe vendoseni gjithmonë në dyshim autoritetin.



Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut