'Edukim' bizneseve të akcizës,Smith:
Një kompani i shmangte prej vitesh

TIRANE – Doganat në bashkëpunim me kompaninë britanike që i asiston Croun Agent kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi për bizneset që tregotjnë mallrat e akcizës, si kafe, cigare, pije alkoolike dhe karburante. Kreu i Croun Agent tha se gjatë një kontrolli të ushtruar në Mars-Maj janë zbuluar 350 subjekte që shmangin pagesën e akcizës, ndërsa vuri theksin se po hetohet një kompani që ka vite që shmang taksat por pa bërë të ditur emrin e kësaj kompanie.

.....

Gjatë kësaj jave të gjitha bizneset e akcizës do të kenë në dorë dokumentin informues për funksionimin e tyre ligjor. Fushata “Ndërgjegjësimi dhe Zbatueshmëria” e ndërmarrë në bashkëpunim me Doganat, Ministrinë e Financave dhe asistuesja në doganën shqiptare “Croun Agents” do të nxjerrë në terren grupet operative për të vizituar të gjitha subjektet që merren me mallrat e akcisës.

Në një konferencë të përbashkët me kreun e doganave Elisa Spirolapi dhe zv/ministrin e Financave Ervin Mete, drejtuesi për asistencën në dogana të Croun Agent, David Smith sqaroi se fushata do të nisë fillimisht me infomimin e të gjitha bizneseve të akcisës dhe ka për synim kontrollin dhe evidentimin e rasteve të shmangies së pagesës së akcizës nga subjektet, ndërsa shtoi se ato që nuk respektojnë ligjin do të përballen me pasojat legjislative. 

Smith: Takim me bizneset e akcisës...i japim dokumentin: Si të përmbushin detyrimet dhe ç'ndodh nëse s'e bëjnë!
“Qëllimi i kësaj fushate është zbatimi dhe ndërgjegjësimi tatimor në lidhje me pagesën e detyrimeve të akcisës. Sot dhe gjatë javës do të ketë vizita të koordinuara në të gjithë operatorët që janë të regjistruar si subjekte që merren me mallrat e akcisës. Të takohemi, t’i mundësojmë një kopje të dokumentit të ndërgjegjësimit të akcisës, që subjektet të mësojnë se si të përmbushin detyrimet e tyre. Dokumenti shpjegon se cfarë duhet të bëjë biznesi nëse ka probleme dhe se si duhet të ndihmojë Doganën që të paguajnë të gjitha detyrimet e duhura. Dokumenti shpjegon se çfarë do të ndodhë nëse nuk përmbushin detyrimet e tyre. Hapi i parë është aspekti edukativ, informues. Dokumenti shpreh qartë se çfarë ndodh me ato biznese të cilët nuk përmbushin ose nuk bashkëpunojnë me qëllim arritjen epërputhshmërisë ligjore”, shpjegoi David Smith.

Smith: Shume kompani shmangin pagesen e akcizës
Sipas Smith, duke parë që akciza ndikon në çmimin final të produktit, shumë kompani tentojnë të shmangin pagesën e saj. 

“Nëse shkoni në një lokal ju e dini taksën e akcizës sepse e keni të shënuar tek fatura. Ajo çfarë kërkojmë ne përmes kësaj fushate është se të gjithë detyrimet e akcizës të paguhen. Taksa e akcizës është lehtësisht e llogaritshme. Megjithatë meqë ka një impakt të rëndësishëm në çmimin final të produktit, ka kompani që mundohen t’i shmangen pagesës së akcizës. 
1. Prodhimi ilegal i jashtëligjshëm i alkoolit, duhanit
2. Importimi i paligjshëm kontrabandë pa paguar detyrimin e akcizës
3. Shmangia nga regjimi kryesor sepse mallrat hidhen në treg pa paguar detyrimin e akcizës

Pra mesazhi është i qartë për të gjithë ata të përfshirë në importin, prodhimin e mallrave me akcizë, të marrin hapat e nevojshëm që të veprojnë në përputhshmëri me ligjin para se të jetë shumë vonë”, u shpreh Drejtuesi i Asistencës së Crown Agents.

Smith: Zbuluam 350 biznese që s'paguanin akcizën
Sipas David Smith gjatë periudhës Mars-Maj janë zbuluar 350 subjekte që i shmangen pagesës së akcizës.

“ Duhet që të sqarohet se 350 rastet e zbulimit janë zbuluar nga Crown Agents dhe inspektorët e doganave. Këto evidentime janë bërë mesi i Marsit dhe fundi i Majit që ishte edhe periudha e testit të riskut. Dhe qëllimi i kësaj faze të testimit të riskut, ka qenë për të evidentuar sistemet ku zbatohet ose jo ligji. Pra nuk ishte një fushatë për të mbledhur shifra por për të evidentuar fusha ku nuk ka zbatueshmëri dhe ku të zhvillojmë punën.” tha Smith

Smith: Po procedojmë një kompani që ka vite që shmang akcizën
I pyetur nëse do të ndiqen rastet e shmangies së pagesës së akcizës nga subjektet përkatëse që janë nga viti i kaluar, Smith nënvizoi se Crown Agents do të jenë pjesë e çdo aksioni të doganave shqiptare, duke shtuar se në procedim të specialistëve britanikë është një kompani që sipas tij ka vite që i shmanget detyrimeve, por që nuk dha emër. 

“Dua të theksoj se Crown Agents asiston Doganën Shqiptare dhe bëhet pjesë e çdo aksioni që kërkohet. Ne do merremi edhe me subjektet ku shkelja e ligjit ka vite që ka filluar. Ka vite që një kompani i shmanget detyrimeve dhe po punojmë bashkë me drejtorinë e Doganave për këtë çështje”, theksoi David Smith.

Spiropali: Kontrolle të intensifikuara, të rregullojmë funksionimin sipas ligjit
Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali tha se kontrollet do të realizohen nga grupet operative në pikat doganore kufitare dhe në ambjentet ku mallrat e akcizës tregtohen me pakicë, ndërsa shpjegoi se si do të kryhen kontrollet.

“Croun Agent do të viziitojnë një numër të madh të subjekteve të akcisës. Grupet do t’i pajisin subjektet me një dokument informues për pajtueshmërinë ligjore. Në javët në vazhdim kontrollet do intensifikiohen. Mënyra dhe strukturimi i kontrolleve do të jetë fleksibël në varësi të rezultateve të konstatuara”, u shpreh Spiropali.

Ajo tha se qëllimi i kësaj fushate është identifikimi i shkeljeve dhe i subjekteve që veprojnë në kundërshtim me ligjin, ndërsa veçoi si objektiv përçimin e një mesazhi të qartë për të gjitha subjektet e akcisës: “Të rregullojnë funksionimin e tyre në varësi të ligjit”

Spiropali: Akciza, risk për evazion fiskal, por rritëm të ardhurat me 15 %
Ndërkohë e pyetur nga gazetarët se cilat do të jenë subjektet që do të kontrollohen gjatë kësaj fushate, Drjetoresha e Doganave, Elisa Spiropali theksoi në fokus do të jenë të gjithë subjeket, si ato të regjistruara, dhe ato të paregjistruara. 

Ajo theksoi se rritja e taksës së akcizës është një risk për rritjen e evazionit fiskal, por shtoi se në 8 muaj të ardhurat nga akciza janë rritur me 15%.

“Të gjitha subjektet e licencuara dhe që janë pjesë e regjistrin si dhe subjektet e paregjistruara do kontrollohen. Akciza është një nga taksat që me rritjen e saj ka risk të madh evazioni. Të ardhurat nga akciza janë rritur me 15% në 8 muaj. Unë besoj se në këtë fushatë të zbatimit të ligjit ne do të kemi një rritje të konsiderueshme të zbatueshmërisë ligjore dhe pagesës së detyrimeve.” tha Elisa Spiropali


Mete: Terren të barabartë që ligji mos të sulmohet nga informaliteti
Ndërsa zv/ministri i Financave, Ervin Mete solli në vëmendje lehtësirat që ka sjellë qeveria për biznesit, për të cilat u shpreh se duhet të ecin paralelisht me zbatimin rigoroz të ligjit. Ai tha se qëllim mbetet krijimi i një terreni të barabartë ku zbatuesit e ligjit të mos sulmohen nga informaliteti. Ndërsa ritheksoi të ardhurat e lartura që ka mbledhur administrate e Financave e Doganave në krahasim me një vit më parë.

“Klima miqësore, partneriteti me biznesin e reflektuar edhe në lehtësirat e ndryshme ligjore, shkojnë krah për krah me një zbatim të vendosur të ligjit, të plotë, rigoroz, është primar. Në këtë kuadër vjen edhe kjo nismë në fushën e akcizës e cila është një fushë e ndjeshme për të ardhurat. Ka pasur ndryshime të akcisës që ka kaluar nga Tatimet te Doganat, qoftë edhe artikujve të rinj që janë futur si aspekti i pijeve energjike...për të gjitha këto kërkohet një vëmendje më e kujdesshme. Dhe një veprim për ta kontrolluar sa më mirë këtë treg është të krijojmë një terren të barabartë ku zbatuesit e ligjit të mos sulmohen nga informaliteti. Në Shtator-Maj u patëm 230 mln dollar të ardhura më shumë nga të 2 adminsitratat krahashur me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Janar-Maj shënoi 130 mln dollar më shumë të ardhura sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Bashkëpunim i kënaqshëm me Croun Agents. Eksperienca e tyre do të sjellë që kjo fushatë dhe zbatimi i ligjit të jetë rigoroz dhe i vendosur”, u shpreh Mete.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi strategjia afatmesme e të ardhurave, goditje nëndeklarimit të pagave! Synohet mbledhja e 650 mln eurove të ardhura

Hyn në fuqi strategjia afatmesme e të ardhurave, goditje nëndeklarimit të pagave! Synohet mbledhja e 650 mln eurove të ardhura