Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka ndjekur nga afër një aksion të inspektorëve të OSHEE-së për ndaljen e abuzimit dhe vjedhjes me energjinë elektrike në zonën e Komunës së Saukut, në Tiranë.

Beqaj tha se ka dalë në terren në mbështetje të gjithë operacionit që po zhvillohet në gjithë vendin, për të rivendosur rregull në sistemin energjitik.

“Problematika që kemi në sistemin energjitik, humbjet që janë vit-pas-viti kanë arritur shifra alarmante. Tashmë publiku është i njohur se vlerësimi (i humbjeve) është rreth 150 milion euro. Dhe padyshim që, edhe në detyrën e ministrit të shëndetësisë, jam jashtëzakonisht i interesuar që kjo çështje të stabilizohet një herë e më parë.  Mjafton t’ju them që 150 milion euro është gjysma e shpenzimeve vjetore të shëndetësisë në Shqipëri; apo t’ju them që 150 milion euro është e barabartë me të gjithë shpenzimet që bëhen për administrimin e spitaleve në Shqipëri; apo t’ju them që 150 milion euro është dy herë më shumë se shpenzimet aktuale të rimbursimit të barnave”, deklaroi numri një i shëndetësisë.
 
Ai theksoi se është e domosdoshme që të kthejmë normalitetin, të vendosim një sistem të ndershëm, sepse padyshim që ka shumë shqiptarë që janë të rregullt me pagesën e energjisë, nuk bëjnë lidhje të paligjshme, dhe gjithashtu, edhe për të rikthyer një shoqëri që bazohet te ndershmëria, te zbatimi i ligjit.




Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)