'Godet' ambasadori i OSBE:Zbatoni
Reformën në Drejtësi,ndryshe ...

'Godet' ambasadori i OSBE:Zbatoni<br />Reformën në Drejtësi,ndryshe ...
Reforma në Drejtësi vijon të tërheqë vëmendje ndërkombëtare, teksa korrupsioni dhe krimi janë ulur këmbëkryq në vendin tonë dhe "sundojnë" frikshëm çdo ditë. Deklarata të forta janë bërë sot dhe nga ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Wilton, i cili tha se sistemi i drejtësisë duhet të drejtohet nga profesionistë që respektojnë vlerën e drejtësisë dhe jo çmimin e saj. Ambasadori Wilton foli për një sistem drejtësie të drejtë, transparent dhe efikas, duke i cilësuar këta elementë thelbësorë për vlerat e përbashkëta të 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE, duke shtuar se reforma e vërtetë nuk bëhet në letër apo në Parlament, por në çdo sallë gjyqi dhe zyrë juridike në vend.

“Një gjyqësor i bazuar në profesionistë të drejtësisë që trajnohen dhe përzgjidhen siç duhet dhe që janë të gatshëm që, për atë integritet, të luftojnë çdo ditë të jetës së tyre profesionale. Pra, njerëz që respektojnë vlerën e drejtësisë, jo çmimin e drejtësisë”, tha Wilton.

Pas akuzave të forta të ambasadorit të SHBA, Donald Lu, i cili foli për bandat kriminale, që sipas tij, nuk arrestohen kurrë në vendin tonë, duke e  quajtur kështu drejtësinë të dështuar, edhe ambasadori i OSBE ka vënë alarmin se nëse Reforma në Drejtësi nuk zbatohet, ajo do të ngelet një gjurmë e vogël dhe e trishtë në historinë e Shqipërisë.

“Reforma ka potencialin ta transformojë vërtet këtë shoqëri, duke transformuar kështu edhe mundësitë e saj. Por, reforma është thjesht një deklarim i qëllimeve të mira; nëse nuk zbatohet, reforma do të ngelet një gjurmë e vogël dhe e trishtë në historinë e Shqipërisë”, shtoi më tej diplomati gjatë 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës.

Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE:
Për mua është kënaqësi që ndodhem me ju për të festuar 20 vjet arritje të Shkollës së Magjistraturës. Unë festoj, mbi të gjitha, që Shkolla ka arritur të pasqyrojë rëndësinë e profesionalizmit në administrimin e drejtësisë. Dhe them “U bëfsh edhe një qind” – por, në një sallë plot me juristë, edhe urimet vijnë me kushte.
Ne në Prezencën e OSBE-së, jemi të përkushtuar në promovimin e shtetit të së drejtës dhe japim mbështetje të vazhdueshme për një sistem drejtësie të drejtë, transparent dhe efikas. Ky është thelbi i punës sonë si mision, sepse është thelbi i vlerave të përbashkëta që ndajnë të 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së si komunitet. Ne besojmë se pavarësia, paanshmëria dhe integriteti i gjyqësorit janë themelore. Një gjyqësor i bazuar në profesionistë të drejtësisë që trajnohen dhe përzgjidhen siç duhet dhe që janë të gatshëm që, për atë integritet, të luftojnë çdo ditë të jetës së tyre profesionale. Pra, njerëz që respektojnë vlerën e drejtësisë, jo çmimin e drejtësisë.

Ndihem krenar që Prezenca ka qenë partneri afatgjatë i Shkollës. Kemi ndihmuar në mbrojtjen e integritetit të konkurseve të pranimit dhe provimeve të Shkollës. Kemi bashkëpunuar në trajnimin e gjyqtarëve dhe profesionistëve të tjerë të drejtësisë për burgjet dhe shërbimin e provës, drejtësinë administrative, menaxhimin aktiv të çështjeve dhe dhunën në familje. Përfitoj nga rasti ta falënderoj Drejtorin Sokol Sadushi, si edhe Kryetaren e Trajnimit të Vazhdueshëm, Arta Mandro, për partneritetin tonë. Ju premtoj se do ta ruajmë këtë partneritet edhe përmes nismës sonë Drejtësi pa Vonesa.

Bashkë me kolegët tanë të organizatave ndërkombëtare që kanë luajtur një rol kaq domethënës, ne në OSBE jemi admirues dhe mbështetës të reformës së drejtësisë në Shqipëri. Reforma ka potencialin ta transformojë vërtet këtë shoqëri, duke transformuar kështu edhe mundësitë e saj. Por, reforma është thjesht një deklarim i qëllimeve të mira; nëse nuk zbatohet, reforma do të ngelet një gjurmë e vogël dhe e trishtë në historinë e Shqipërisë. Me zbatim kemi parasysh procedurat, praktikat dhe qëndrimet në çdo sektor të sistemit të drejtësisë. Reforma e vërtetë nuk bëhet në letër apo në Parlament; reforma e vërtetë bëhet në çdo sallë gjyqi dhe zyrë juridike në vend. Reforma duhet të perceptohet e duhet të besohet nga qytetarët e Shqipërisë. Për sa kohë qytetarët nuk besojnë te drejtësia e sistemit kur hyjnë në sallën e gjyqit, s'ka për të pasur reformë.
Pra, shpresoj të mos keni zgjedhur karrierën juridike, ngaqë është e lehtë.

Shpresoj, gjithashtu, të mos mendoni se Shkolla e Magjistraturës ka përgjegjësi të lehtë. Kjo është një përgjegjësi e stërmadhe, një sfidë e pamasë. Prandaj unë kam shumë respekt për ata që e respektojnë atë. Prandaj festoj këtë ditëlindje të 20-të, prandaj më intereson shumë suksesi juaj në 20 vitet e ardhshme dhe përtej. Kjo shkollë është fidanishte jo vetëm për disa juristë, por për mbarë shoqërinë shqiptare. Mundësitë e demokracisë në Shqipëri lindin këtu, ajo ose jeton ose vdes këtu, sepse besimi te drejtësia është themeli i çdo demokracie. Testimi nuk mbaron me provimin e fundit. Çdo ditë e jetës suaj profesionale, çdo vendim që do të merrni, do të jetë një tjetër test. Pas çdo dite, çdo vendimi, gjithçka rifillon nga zeroja, dhe prapë do të duhet ta tregoni veten para bashkëqytetarëve se e keni fuqinë intelektuale, integritetin, përkushtimin ndaj demokracisë, si edhe besnikërinë ndaj vendit, nëse doni të kaloni. Punë të mbarë.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK në Elbasan/ Detaje të reja, kontrolle edhe në banesat e dy ish-prokurorëve

Operacioni i SPAK në Elbasan/ Detaje të reja, kontrolle edhe në banesat e dy ish-prokurorëve