Barcelona është në krizë ekonomike dhe po bën të pamundurën për të dalë nga kjo situatë, edhe në forma që më herët nuk ishin menduar.
Mënyra e radhës është shitja në ankand e disa objekteve që përdoreshin në stadiumin “Camp Nou”. Në ankandin që do të nisë më 23 janar dhe do të mbyllet më 13 shkurt më i çmuari është dollapi i përdorur nga Lionel Messi.
Kushdo që dëshiron të marrë dollapin e Messit do të duhet të ofrojë të paktën 350 mijë dollarë. Për të tjerët, ato variojnë nga një bazë prej 100 mijë dollarësh (për ato të Maradonës, Guardiolës, Piqué dhe Ronaldinhos) deri në 2.500 dollarë për atë të përdorur nga Dembele, tani pjesë e PSG.
Do të ketë gjithashtu fotografi të skuadrave që fituan pesë Ligat e Kampionëve (1991-92, 2005-06, 2008-09, 2010-11, 2014-15), të ekspozuara në dhomat e zhveshjes dhe në tunelin e stadiumit. Në total, duke llogaritur vetëm çmimin fillestar për të gjitha “reliket”, vlera e objekteve në shitje është rreth 1 milionë euro.