'Kryqëzohet' Rudina Xhunga, tregon
gjendjen e Tiranës me qentë e rrugës

'Kryqëzohet' Rudina Xhunga, tregon<br />gjendjen e Tiranës me qentë e rrugës
Rudina Xhunga ka kërkuar ndihmën e organizatës së kafshëve "Animal Rescue Albania" për të marrë disa informacione lidhur me kafshët e rrugës. Këto të dhëna gazetares i duheshin për të shkruar një artikull, ku qentë e rrugës stigmatizoheshin dhe konsideroheshin si 'sëmundje' e vendit. Kaq ka mjaftuar që akitivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve të reagonin të revoltuar, bashkë me qytetarët që shqetësoheshin për paralelizimin që i është bërë situatës në vend, me gjendjen e kafshëve të rrugës.

"Tirana e të gjithëve, njerëz, qen, mace, pemë, lule dhe zogj!!

Nuk e dimë pse prisnim tjetër gjë nga gazetarja Xhunga, kur para disa ditësh u kontaktuam nga bashkëpunëtorë të saj dhe u informuan se do bënte një shkrim për kafshët e braktisura që enden rrugëve.

Me shumë dashamirësi ofruam gjithë informacionin tonë me shifra dhe fakte të mbledhura nga puna jonë e përditshme prej 5 vitesh tashmë. I dedikuam një ditë të tërë informacionit për këtë shkrim.

Dhe siç thamë prisnim tjetër gjë, ndërkohë që lexuam me habi një shkrim rrugësh, me gjuhë rruge,për qentë e rrugës.

Tashmë jemi mësuar me të bezdisurit dhe ankesat e të bezdisurve për arsyen se përveç tyre në planet duhet të ekzistojnë dhe krijesa të tjera por kjo bezdisja e znj. Rudina Xhunga ishte e ç'ishte: 
Nuk di nga ta kapësh e nga ta lësh shkrimin por po të veçosh disa paragrafë si psh:

"Qentë i gjen kudo në kryeqytetin e turpshëm, që nuk ka festë ta zbukurojë, se ndesh qen dhe lypsa, si në asnjë kryeqendër kryeqyteti europian, sa të kap inati; si përfunduam kështu?" 
Qentë dhe lypsat i prishkan zonjës Xhunga atmosferën festive. Na vjen keq që nuk ndjehet dot si në Vienë!

Një nga paragrafet e bezdisjes është ky por dhe të tjerë si fakti që nuk mund të çojë dot fëmijët në kopshtin zoologjik që "të socializojë fëmijët me kafshët". 
Po sigurisht sepse si ndryshe mund të socializohen fëmijët me kafshët, përveç se në burgjet e qelbura të kafshëve që çdo vend i emancipuar i ka ndaluar dhe nuk I promovon?
“Zënë çdo shteg, të sulen kur vrapon dhe e kanë shpallur zonë qensh, atë mrekulli ndërtuar nga njeriu, atëherë kur në këtë qytet ndërtoheshin jo vetëm shumëkatëshe” ??!

Mos është e kundërta zonja Xhunga. Mos ndoshta para se të ndërtonte njeriu ato “mrekullirat” te parku dhe kudo, para se ta zaptonte njeriu tokën, ka pat ca krijesa të tjera aty që banonin? Me sa dimë, biologjia dhe historia s’janë opinion…
Darvinin e njeh?

Megjithatë ne nuk i shmangemi problemit dhe përkundrazi i ofruam znj. Xhunga një informacion të bollshëm për çfarë pune konkrete kemi bërë, duke zëvendësuar punën e Bashkisë, duke dhënë shifra konkrete dhe zgjidhje konkrete. Ky shkrim që përveç se stigmatizon kafshët e braktisura , ofron veçse një këndvështrim të cekët dhe shume personal të gazetares, bazohet në shifra spekulative që mund ti shërbejnë për tituj shkrimesh bombastike POR të pavërteta! 10 mijë qen nuk janë në gjithë Shqipërinë, jo më vetëm në Tiranë!!

Asgjë nga ato që i ofruam gazetares nuk u konsiderua dhe ne mënyrë tallëse përmendemi vetëm në një fjali, duke thënë se propozojmë modelin Turk.
Ne duam ti kujtojmë znj. Xhunga se pervëç saj dhe para saj dhe parkut të Tiranës ka patur përherë qen, mace, pemë, zogj dhe lule. Dhe kështu duhet të jetë.

Duam ti themi se kjo qasje dhune nuk është përballja e duhur me problemin dhe se ndaj këtij problemi ne kemi ofruar dhe zgjidhjen. Ne si Animal Rescue Albania çdo ditë me lekët tona, energjitë tona dhe duke sakrifikuar kohën tonë e shumë nga vetja, përveç se shpëtojmë e adoptojmë kafshë nga rruga , vazhdojmë dhe sterilizimin e kafshëve të rrugës dhe për këtë kemi marrë dhe çmim nga Ambasada Amerikane dhe kemi përkrahjen e çdo institucioni të huaj.

Nuk e dimë pse prisnim një këndvështrim më të emancipuar , më njerëzor, më të informuar, me Europian ndaj këtij fenomeni, me të cilin janë përballur të gjithë vendet para nesh dhe ne fatmirësisht duhet vetëm të zbatojmë modele që i kemi të gatshme. 
Në vend të kësaj na vijnë propozime të të ashtuquajturve personazhe me influencë, që duke i përdorur për çështje politike e ndotin dhe më shumë çështjen.

Kanë një qasje dhunë dhe aspak zgjidhje për problemin. A thua se heqja e qenve nga kazanët do të zhdukë dhe malin e plehrave që gjendet aty. Do të rregullojë infrastrukturën, do të heqë me magji shurramanët njerëz dhe ndotësit më të mëdhenj të ambientit, njerëzit!! Do pastrohet qyteti më i ndotur i Europës nga vandalizmat. Do pushojnë breshëritë e armëve në mes të bulevardit “të pastruar” nga qentë. Do ndjehemi më të qetë?
Nuk ka qenë kurrë më turp të lexosh për dhelpra dhe luanë “të vërtetë” kafazeve në vitin 2016 në një moment kur ne si organizatë kontaktohemi nga organizatat e huaja të lebetitur nga kafshët e egra kafazeve nëpër lokalet e Tiranës ku drekojnë elitat tona të nderuara dhe të pashqetësuara!! 
Të nxisësh dhunën ndaj kafshëve të pafajshme dhe të braktisura rrugëve nga njerëzit, pa asnjë faj dhe të mos ofrosh asnjë alternativë, asnjë zgjidhje kur ti kemi dhënë të gatshme!

Me gjakun e qenve të vrarë nëpër qytet do ta bëni vrapin më të qetë? Do ta socializosh më kollaj fëmijën me kafshët dhe do ndjehesh më në Vienë? 
Po këtyre lypsave si t’ja bëjmë se nuk shkojnë me zbukurimet e qytetit as këta! 
Se ja qentë i zhdukëm. Bëjmë dhe një referendum për ta?!"
është shkruar në faqen zyrtare të Animal Rescue Albania, status që ka marrë mbnështetjen e një numri të konsiderueshëm njerëzish, që kanë sulmuar gazetaren Xhunga.
rudina xhunga
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët