Abacus në vitin 2012 shpërndante të dhëna lidhur me shikimin e televizioneve vetëm për zonën e Tiranës (megjithëse nuk rezulton të ketë blerë dhe instaluar asnjë people meter në kryeqytet), ndërkohë që sot shpërndan të dhëna, që pretendojnë, madje, të mbulojnë të gjithë territorin e vendit. Portali në internet Newsbomb.al ka kontaktuar me përfaqësues të kompanisë Abacus lidhur me detajet e këtyre matjeve dhe mësoi nga ata se numri i përgjithshëm i popullsisë së matur është 2.353.634 vetë.
Por, në fakt, nuk rezulton të ketë shpenzuar asnjë lek të vetëm për blerjen dhe instalimin e people meters, të sistemit të transferimit të të dhënave nga çdo familje-kampion deri në bazën qendrore të të dhënave dhe për serverin e përpunimit të të dhënave.
Shqiptarja.com, duke investiguar mbi misteret e Abacus-it, zbuloi që shoqëria ka vijuar të shpërndajë dhe prodhojë raporte edhe atëhere, kur aktiviteti i saj ishte i pezulluar zyrtarisht. Sikurse rezulton nga ekstrakti i Qendrës Kombëtare të Biznesit, më 13 prill 2012 këshilli drejtues i Abacus shpk e ka pezulluar aktivitetin e shoqërisë, e cila riaktivizohet vetëm më 14.08.2014.
(Pezullimi i aktivitetit nga Abacus më 13.04.2012)
(ABACUS rifillon aktivitetin më 14.08.2014)
Ndërkohë, ndonëse e pezulluar, aktiviteti i saj në treg duket se vazhdon. Në fakt, në dhjetor 2012 ajo nxjerr një raport zyrtar mbi “vlerësimin e shikimeve, kryer në Tiranë në periudhën 1 shtator – 20 dhjetor 2012”. Raporti, i cili pretendon të ketë analizuar gjatë tre muajve, ditë pas dite, 24 orë në 24, qasjet televizive të 764.664 banorëve të kryeqytetit, botohet në sajtin zyrtar të shoqërisë, ku mund të shihet edhe sot e kësaj dite.
Publikimi i raporteve per matjen e audiences nga ABACUS ne Shtator - Dhjetor 2012
Kur një shoqëri pezullon aktivitetet e saj, thjesht ajo pushon së ekzistuari përgjatë gjithë periudhës kur është e pezulluar dhe në këtë periudhë nuk paguan as taksa, nuk paguan punonjës, nuk i derdh TVSH shtetit. Pra asgjë. Nuk zhvillon dhe nuk mund të zhvillojë ligjërisht asnjë aktivitet. Po si është atëhere e mundur që Abacus, tetë muaj pasi ka pezulluar aktivitetin e saj, shpërndan një raport që mbulon katër muaj aktivitet? Hipotezat janë dy: ose ka deklaruar në mënyrë të rreme se ka pezulluar aktivitetin për të mos i paguar asnjë taksë shtetit, ose ai raport ishte i sajuar. Në rastin e parë, do të kishim të bënim me një shoqëri që bën evazion fiskal, në rastin e dytë me një shoqëri që mashtron. Në çdo rast, bëhet fjalë për një shoqëri, e cila rrezikon të manipulojë tregun e reklamave, që vlen dhjetëra miliona euro.
Misteret e Abacus-it nuk mbarojnë me kaq
Shoqëria Abacus shpk është themeluar zyrtarisht më 18.11.2011 me një kapital prej 100.000 lekësh. Duke paraqitur procedurat e ndjekura për identifikimin e familjeve-kampion, që do të përfshiheshin në sistemin e matjes së audiencës, procedurë shumë e rëndësishme për të garantuar cilësinë e përshtatshme të kampionit për t’u përdorur për monitorimin, Abacus shpk në broshurën e saj informative ve në dukje:
“Në fazën e parë kryhet një intervistë ballë për ballë (Anketa e Krijimit, ES) çdo vit, bazuar (në vitin 2010) në një mostër prej përafërsisht 5.000 familjesh dhe duke përdorur një mostër stratifikuar me dy faza...”. Edhe një herë, Abacus pretendon se ka kryer një aktivitet në një periudhë kohore (2010), në të cilën ende nuk ishte themeluar.
Por ka bërë edhe më shumë se kaq
Në sajtin e saj zyrtar thekson: “Sistemi teknologjik dhe hulumtues për matjen elektronike të audiencës televizive (TAM) është vendosur dhe testuar që nga qershori 2011 me një panel të familjeve të përzgjedhura në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, zhvilluar nga Abacus Sh.p.k.”. Pra, shoqëria Abacus shpk pretendon se paska krijuar, instaluar dhe testuar sistemin për matjen e audiencës që duhet të kushtojë disa qindra mijëra euro në qershor 2011, plot pesë muaj para se të regjistrohej.
Dhe sot pretendon se ka instaluar më shumë se 1.000 people meters në po aq familje shqiptare, por nuk shpjegon se ku i ka blerë meters-at dhe as se cilët kanë qenë teknikët që i kanë instaluar ato, duke qenë se në bilancet e veta deklaron se nuk ka punonjës dhe madje se nuk ka patur asnjë kosto nga blerja e teknologjisë. Pra, është një kuti bosh.
d.c./shqiptarja.com