'Mbetjet', largohen aktivistët e AKIP
vijon protesta e biznesit të riciklimit 

Tiranë- Rreth 80 aktivistë të AKIP (Aleancës Kundër Importit të Plehrave) kanë nisur prej orës 23:00 të mbrëmjes së të mërkurës një protestë para Parlamentit të Shqipërisë për të kundërshtuar ligjin e mbetjeve, ndërsa kanë kaluar të gjithë natën aty. 
 
Ata shprehen se protesta e nisur një ditë më parë i paraprinë asaj që do të realizohet ditën e sotme para nisjes së seancës plenare të parlamentit, e cila do të jetë akoma më e madhe.
 
Sipas tyre, sot ishte parashikuar në rendin e ditës futja në votim e dekretit të Presidentit Nishani që kërkon rishikimin e ligjit, ndërsa është hequr me qëllim në orët e fundit për të dështuar protestën.
 
Nuk do të ndalemi derisa të rrëzohet ligji i mbetjeve. Dekreti ishte parashikuar për të enjten në votim, por duke parë protestën, Shalsi e hoqi nga rendi i ditës.
 
Por ne nuk do të ndalemi, pasi do të vazhdojmë që të protestojmë, pasi mund ta fusin sërish në rend dite gjatë seancës.
 
Prandaj, sonte do të qëndrojmë përpara parlamentit dhe nesër do të na bashkohen akoma më shumë njerëz, u bëj thirrje të gjithëve.
 
Kemi besim që ligji do të rrëzohet, pasi kemi marrë garanci edhe nga disa parti, si LSI dhe PDIU, por edhe individë, që ligji nuk do të kalojë pa konsensusin e Shoqërisë Civile.
 
Duhet të ndalojmë mbetjet në Shqipëri, pasi rrezikohet e ardhmja dhe imazhi i vendit
”, deklaroi ndër të tjera, Adriatik Lapaj për Report Tv.
 
Ndërkohë që protestuesit kanë ngritur një stendë para parlamentit ku edhe kanë kaluar natën. Mëngjesin e kësaj të enjtje protestuesit kanë njoftuar se policia ka ndërhyrë për t'i shpërndarë, ndërsa ka shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.1 në kryeqytet dy prej aktivistëve të AKIP.  



Zhvillimet nga protesta para parlamentit minutë pas minute
 
Ora 11:40 Shpërndahen protestuesit e AKIP

Aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, pasi kaluan natën përpara Kuvendit, janë shpërndarë mesditën e kësaj të enjte. Ligji i "Mbetjeve" të cilin ata e kundërshtojnë nuk është përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit, çka ka sjellë edhe "zhgënjimin" e protestuesve. Ata u shpërndanë ndërsa paralajmëruan se do nisin sërish protesta maratonë nëse dekreti i Nishani do kalojë në Kuvend për miratim. 

Ora 11:20 Policia sqaron ndalimin e dy protestuesve
Policia e Tiranës ka sqaruar ndalimin e dy aktivistëve të AKIP, mëngjesin e kësaj të enjte përpara ndërtesës së Kuvendit. Policia thotë se Shoqëria Civile kishte marrë leje për zhvillimin e protestës nga ora 23:00 e mbrëmjes së të mërkurës e deri në mbylljen e seancës të enjten, por jo vendosjen e paletave. Në momentin kur Policia ka ndërhyrë për largimin e tyre, ka hasur në rezistencën e dy protestuesve,  Oltion Z., 31 vjeç dhe Irel E., 31 vjeç, të cilët janë shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.1 në kryeqytet.  

Ndaj dy aktivistëve ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale "Prishja e qetësisë publike". 

Njoftimi i policisë së Tiranës
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka ardhur një kërkesë nga "Zyra Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, ZQMM", në lidhje me një tubim, i cili do zhvillohej përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky Tubim do të zhvillohej nga ora 23:00 e datës 23.11.2016 deri në përfundim të Seancës Plenare më datë 24.11.2016.

Në këtë kërkesë ishte përcaktuar vetëm qëndrimi i disa shtetasve të cilët janë kundra miratimit të Ligjit të Mbetjeve.

Bazuar në këtë kërkesë nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i është kthyer përgjigje, për garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi.

Rreth orës 23:00, të datës 23.11.2016, siç ishte kërkuar në kërkesë kanë filluar të afrohen rreth 30 persona, përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Nga shërbimet është vënë re se këto persona kishin me vete paleta, të cilat nuk ishin përcaktuar në kërkesën e bërë nga "ZQMM".

Është marrë takim me disa nga personat e ndodhur ne vend si dhe me shtetasin Sazan Guri, me të cilët është rënë dakort që këto paleta të qëndronin aty deri në orën 06:00 të datës 24.11.2016, me qëllim për të kaluar natën tubuesit dhe të hiqeshin nga vetë ata.

Në afrimin të orës 06:00, nga ana e shërbimeve të Policisë i është kërkuar disa herë heqja e paletave siç ishte rënë dakort një natë më parë. 
Organizatorët e këtij tubimi kanë kundërshtuar disa herë për heqjen e paletave duke mos i'u përmbajtur marrëveshjes së bërë një natë më parë.

Rreth orës 07:00, nga ana e Policisë është ndërhyrë për heqjen e këtyre paletave, por kanë hasur në kundërshtim prej tubuesve dhe si pasojë janë shoqëruar shtetasit:

- Oltion Z., 31 vjeç
- Irel E., 31 vjeç

Njëri prej të shoqëruarve ka ngritur pretendimin se është dëmtuar në dorë gjatë konfrontimit dhe u dërgua për mjekim të lehtë (shembje). 

Ndaj këtyre shtetasve ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale "Prishja e qetësisë publike", parashikuar nga Neni 274 i Kodit Penal.

Ora 11:10 Shalsi: Ligji i Mbetjeve përputhet me rekomandimet e BE
Iniciatori i ligjit të "Mbetjeve", Eduard Shalsi, u shpreh ligji për Importin e Mbetjeve është në përputhje me rekomandimin e Bashkimit Europian. Shalsi iu referua përgjigjes që adresoi Brukseli, pasi rrëzimit të dekretit nga Presidenti Nishani.
 
"Ju drejtuam pikërisht BE-së sepse një nga argumentet kryesore të kthimit nga presidenti ishte që amendimet ligjore nuk ishin konform legjislacionit të BE. Përgjigja ishte e pastër, thuhej e kundërta që ndryshimet ishin të mirëadaptuara dhe të përshtatshme për rrethanat e Shqipërisë", u shpreh Shalsi.
 
Protestën e Shoqërisë Civile, Shalsi e cilësoi të nxitur politikisht nga segmente që kanë qëllime personale.
 
"Në komunikimet që kemi pasur me Shoqërinë Civile interesi ishte pastrimi i Shqipërisë e cila nuk mund të ishte e tillë pa industrinë e riciklimit. Ata pak qaramanë që dalin në rrugë dhe ata pak që janë në Parlament, e kanë përdorur nga përfitimet e tyre të ngushta personale", tha ai.
 
Shalsi theksoi se pastrimi i Shqipërisë mbetet sfidë, ndërsa shtoi se në Elbasan dhe Maliq janë në funksion tashmë dy landfille, ndërsa pritet të ndërtohen dhe dy të tjerë në Fier e Vlorë.
 
"Synimi madhor është pastrimi i Shqipërisë i cili nuk mund të bëhet pa një industri të mirëfilltë riciklimi. Sot, kemi në Elbasan landfillin e ri, kemi në Maliq, po ndërtohet një tjetër në Fier, kemi një program në Vlorë, shumë shpejt në Tiranë, madje ka filluar edukimi në shkolla për ndarjen e mbetjeve në burim", tha ai.  
 
I pyetur se kur do të kalojë në Kuvend dekreti i Nishanit, Shalsi nuk dha afat por theksoi se ligji do të diskutohet në komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe më pas do t'i përcillet seancës së Kuvendit.  

Ora 11:00 Nis dhe një antiprotestë para Kuvendit nga biznesi i riciklimit
​Shoqatat e biznesit të riciklimit kanë nisur një antiprotestë para Kuvendit. Paralelisht me protestën e AKIP, biznesi i riciklimit po proteston gjithashtu, por për të kërkuar miratimin e ligjit. 

"Është e panevojshme shtyrja e ligjit. I dëmshëm dhe me pasoja për biznesin e riciklimit. Ligji të hyjë në kalendar. Nëse nuk përfshihet në kalendarin e ardhshëm do përshkallëzojmë protestat", tha përfaqësuesi i biznesit të riciklimit, Arben Shkodra.  

Ora 08:10 Identifikohen dy protestuesit e shoqëruar
Dy të ndaluarit nga policia janë Mirel Elezi nga Kukësi dhe Oltjon Zaka nga Lushnja. Ata u shoqëruan gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjte. 

Ora 07:55 Besjan Pesha: Në orën 10:00 nisim protestën e madhe
Aktivisti i AKIP, Besjan Pesha, tha gjatë një prononcimi për Report TV se protesta kundër importit të mbetjeve s'do ndalet. "Ne po përgatitemi për një protestë të madhe në orën 10:00. Ne këtu do të qëndrojmë çdo natë. Nëse shtyhet ligji, pra nëse nuk kalon sot në Kuvend, ne do të jemi këtu çdo të enjte. Në varësi të asaj që do të ndodhë në parlament ne do të marrim një vendim", tha Pesha.  





[gallery]19822[/gallery]

Ora 07:40 Dy të ndaluarit janë shoqëruar në komisariatin nr.1
Protestues të AKIP kanë njoftuar se dy prej protestuesve janë ndaluar nga policia. është aktivisti Aulon Kalaja i cili shkruan në Facebook se dy protestuesit janë shoqëruar në komisariatin nr.1 në Tiranë.  "URGJENTE. Na kane arrestuar dy djem, nje nga Kukesi dhe nje nga Lushnja. Po protestonin kunder plehrave, jane ne Komisariatin numër 1. Me urdhër primitiv te Edi Rames dhe Saimir Tahirit, cunat u goditen dhe u dhunuan.
Qytetare, ne jemi para Parlamentit..."
, shkruan Kalaja në Facebook. 

Ora 07:30 Ligji i Mbetjeve nuk është në rendin e ditës të Kuvendit
Burime për Shqiptarja.com pranë Kuvendit bëjnë të ditur se dekreti i Presidentit për ligjin kundër "Importin e Mbetjeve" nuk është në rendin e ditës gjatë seancës së kësaj të enjte. Nuk dihet se cila është arsyeja e shtyrjes së këtij dekreti, por ky ligj ka qenë arsyeja që ka shtyrë përfaqësuesit e AKIP të mblidhen para Parlamentit prej natës së djeshme. 

Ora 07:20 Protestuesit: Policia arrestoi dy aktivistë, ushtroi dhunë
Aleanca Kundër Importit të Plehrave vijon protestën maratonë para Parlamentit. Përfaqësues të AKIP janë shprehur se në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestën dhe se ka arrestuar dy aktivistë. 

Ora 02:00 Ironizon deputeti i PS, Braçe: S'ka fund Salillëku në këtë vend
Deputeti socialist Erjon Braçe ironizon Shoqërinë Civile dhe PD që i mbështet në protesta se në Kuvend nuk ka asnjë ligj për mbetjet, pasi është në fuqi ligji që ndalon importin e tyre.

Ai nënvizon se po bëjnë lojën e Berishës, ndërsa bën ironi me Mziun që bëri qytetar nderi të Kamzës presidentin e ri amerikan Donald Trump.

Postimi i deputetit të PS në rrjetet sociale:

Pashe ne lajme ca njerez qe te acaruar, duke i bertitur njeri tjetrit; po betoheshin se neser do bejne namin para Kuvendit, do rrine aty pa ngrene e pa fjetur, ne kembe, madje do shkulin leshte e do presin damaret,

nese neser do kaloje perseri ligji per importin e mbetjeve!! Ej, boll e autosugjestionuat veten!

Nesë muk ka asgjë të tillë në rendin e ditës!

Boll i mbushet mendjen vetes se do beni lufte e boll genjyet dynjane.

Sot që flasim, tani, nesër e në vijim, është në fuqi ligji që ndalon importin e mbetjeve!

E meqe eshte rasti;

Me lejoni tu them qe kete ligj nuk ua ka bere

Sali Berisha, Lulzim Basha etj.

E dyta, me thene te drejten me la pa fjale;

“Make Kamza Great Again”!

..arllek apo Salillek me te madh se ky, vec ne kete vend mund te gjesh, serish!!

Aaaa po, “again”!


Ora 01:30 Protestuesit vijojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Kuvendit. 

00:52 Protestuesit: Do të qëndrojmë këtu gjithë natën
Protestuesit vazhdojnë që të qëndrojnë përpara parlamentit duke pritur mëngjesin e ditës së enjte me pankarta në duar duke kundërshtuar importin e mbetjeve.

23:58 Nertila Marku: Nuk do të lejojmë votimin e ligjit
Njëra nga aktivistet e AKIP, Nertila Marku shprehet për Report Tv se do të qendrojnë para parlamentit deri në rrëzimin e ligjit të mbetjeve. 



23:30 Sazan Guri: Parlamentin do ta rrethojmë
Ambientalisti Sazan Guri, i pranishëm në protestën para parlamentit deklaron se kjo është beteja e të gjithëve pa dallim, kjo është finalja e finaleve, ia kemi borxh vetes tonë, familjeve tona, fëmijëve tanë.
 
Po kërkojnë, që jo ta kanabizojnë vendin, por edhe ta pleharizojnë. Parlamentarët nuk mund të tallen me të drejtat tona dhe fëmijët tanë. Parlamentin do ta rrethojmë nesër.

Nje grup djemsh dhe vajzash, do e gdhijme para parlamentit, per te mbrojtur Shqiperine nga plehrat.
 
Do jemi te bashkuar, per te pritur te nesermen, diten finale, kur ne Parlament do te votohet pro ose kunder ligjit te importit te plehrave ne Shqiperi.
 
Sot ftoj cdo njeri te lire dhe te zakonshem te ketij vendi, te djathte, te majte, te qendres, cdo media te jete bashke me ne, para Parlamentit.


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Gjyqi për ‘Plumbi i artë’, dëshmia e të penduarit Dumanit: Te lokali i Qolëve vinin politikanë dhe ministra! Të pandehurit: Nuredini gënjen!

Gjyqi për ‘Plumbi i artë’, dëshmia e të penduarit Dumanit: Te lokali i Qolëve vinin politikanë dhe ministra! Të pandehurit: Nuredini gënjen!