TIRANE- Ministria e Arsimit ka publikuar përpara afatit të parashikuar rezultatet e testimit të mësuesve për programin “Mësues për Shqipërinë”. Sipas ministres Lindita Nikolla punësimi i mësuesve do të bëhet duke filluar nga Janari 2015 sipas meritës dhe brenda profilit.

"Sot, është një tjetër ditë e transparencës së cilësisë së burimeve njerëzore në arsim. Është publikimi dhe rankimi i rezultateve të 5217 mësuesve që u testuan në 6 dhjetor në çdo Drejtori Arsimore Rajonale në vend. Vlerësimi përfundoi para aftit të parashikuar falë punës profesionale dhe cilësore të 120 vlerësuesve në 25 profile të ndryshme. Menjëherë pas përfundimit të vlerësimeve, nuk presim asnjë çast, por po publikojmë të gjitha rezultatet në faqen zyrtare të MAS dhe “Mësues për Shqipërinë”. Është hera e parë që kemi një renditje sipas pikëve përkatëse në nivel kombëtar dhe rajonal, sipas çdo profili, për çdo mësues që kërkon të bëhet pjesë e sistemit arsimor", tha ministrja Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se me këtë proces synohet transparencë në sistemin arsimor, duke bërë që nxënësit të marrin dije vetëm nga mësues brenda profilit.

"Siç u angazhuam, ne sot i japim përgjigje një situate në kushtet e një emergjence kombëtare në arsim, ku 1 (një) në 4 (katër) nxënës (jo të një klase), merrnin mësim të paktën në një lëndë, nga mësues që nuk kishin fare lidhje me ekspertizën e lëndës që jepnin. Kjo është përmasa reale e transparencës dhe e zbatimit të ligjit, pasi transparenca në çdo shoqëri demokratike nuk e dobëson ligjin, por përkundrazi i jep jetë atij. E bën zgjedhjen nga komisionet e shkollave të drejtë dhe të ndershme, ndërkohë që i mundëson qartësinë dhe informacionin e duhur komunitetit sesi përzgjidhen mësuesit e shkollës së tyre. Po sigurisht, kjo është edhe përgjigja e fortë dhe e prerë e Qeverisë shqiptare ndaj korrupsionit në arsim, korrupsionit të vjetër e atij të ri", tha Nikolla.
 
Ndërkaq, ministrja Nikolla tha se 14 mësues janë përjashtuar nga ky proces, pasi kishin shënuar emrin e tyre mbi fletën e testimit.

"Janë skualifikuar 14 mësues që kishin shënuar emrin mbi test. Kjo është transparenca jonë! MAS dhe komisionet e vlerësimit presin ankimimet deri më datë 22 dhjetor për të bërë verifikim serioz të çdo vlerësimi që mund të ketë kontestim. Ankimimet bëhen pranë çdo DAR/ZA përkatëse. Lejomëni gjithashtu të përcjell një falënderim të madh për të gjithë hartuesit e këtij procesi, specialistët e IZHA, AKP dhe ISHA, mësuesit që besuan dhe morën pjesë tek ky proces, administratorët e provimit dhe vlerësuesit e testit për punën cilësore dhe profesionale treguar gjatë gjithë këtij procesi që shënjoi një standard të ri, larg aferave korruptive dhe pranë meritës", tha ministrja Nikolla.

Më 6 dhjetor, 5 303 kandidatë për mësues iu nënshtruan provimit për 2765 vende të lira pune. Ndërsa dy ditë më pas, filloi edhe puna për korrigjimin e testeve të sekretuara, të cilat u depozituan pranë Qendrës Kombëtare të Provimeve nga 12 qarqet e vendit. Ndërsa, korrigjimi i tyre u bë nga një trupë prej 150 profesionistësh.

Në fund të testimit në datën 6 dhjetor, kryeministri Edi Rama tha se ky sistem i ri, i jep fund emërimeve politike dhe korruptive të mësuesve, çka rëndonte mbi cilësinë e nxënësve dhe të arsimit.

Nikolla: Shmanget korrupsioni, punësimi i mësuesve sipas meritës
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se me publikimin e rezultateve të këtij testimi, punësimi i mësuesve do të bëhet sipas meritës. Kështu, sipas ministres Nikolla do të shmanget korrupsioni, dhe radhët e kandidatëve për mësues para zyrave të Drejtorive Arsimore.

"Nuk do të ketë më radhë pas dyerve të Drejtorive dhe Zyrave Arsimore, jo më rendje me zarfe korrupsioni pas drejtuesve në arsim, jo më politikanë, deputetë apo kryetarë bashkish e komunash që emërojnë e çemërojnë mësues. Sepse emergjencës kombëtare në arsim, ku 1984 mësues u gjendën pa arsimin përkatës dhe 2064 mësues jashtë profilit, si dëshmi e shkeljes së ligjit në mënyrën më të pashembullt nga ata që sot na tregojnë ligjin, ne ju përgjigjëm me një sistem të ri merite dhe transparence që lë jashtë korrupsionin në emërimet në arsim.

Këta mësues do të shkojnë që në janar sipas meritës, dhe vetëm asaj, pranë shkollave për të shpëtuar 177 mijë nxënës e për të kthyer funksionimin e shkollave në shinat e ligjit. Këta mësues do të jenë të komanduar, e do të mund të bëhen definitivë vetëm pasi të jenë certifikuar nga komisionet e vlerësimit. Është e thjeshtë, e qartë si drita e diellit. Ju përgjigjëm emergjencës kombëtare me një sistem të shëndetshëm, larg aferave korruptive. Do të çojmë në shkolla mësuesit me arsim përkatës e brenda profilit të tyre, por edhe sipas meritës. Kaq e thjesht është kjo situatë!

Ndërsa skeptikëve dhe keqdashësve i themi se përgjigjen ne e japim me punë e me rezultate edhe në ditët në vijim, por së pari shpëtuam fëmijët dhe i kthyem autoritetin mësuesit dhe ligjit. Emërimet politikë dhe korruptive nuk janë produkt as i konkurrencës, as i një testimi të sekretuar e miradministruar e as i transparencës. Kush ngatërrohet, kërkon të mbrojë zullumin më të madh që i është bërë jetës së fëmijëve tanë në të shkuarën", tha ministrja Nikolla.



Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)