Çaste të dhimbshme ato të mbërritjes së trupit të pajetë të Florenc Beqirit te familjarët e tij në Shkodër. Arkivoli i mbështjellë më flamurin kombëtar iu dorëzua nënës së 23-vjeçarit e cila mes dhimbjes së madhe ka vajtur djalin e vetëm, i cili shkoi në Francë për azil për shkak të problemeve ekonomike, por u kthye i vdekur. 

Babai i Florencit, Gëzim Beqiri i sapokthyer nga Franca sëbashku me trupin e pajetë të të birit, kërkon drejtësi, ndërsa këmbëngul se në trupin e 23-vjeçarit kishte shenja dhune të cilat ishin fshirë nga mjekët e spitalit. Ai pohon gjithashtu se nuk ka firmosur për heqjen e aparaturave të cilat e mbanin në jetë. 

"Kërkoj drejtësi për djalin tim që ai të flejë i qetë atje ku po e çojnë. Djali kishte shenja dhune dhe unë ja kam gjetur në dorë dhe në krahë dhe mos thotë njeri që nuk kishte shenja dhune. Kur ka shkuar në spital ja kanë fshirë shenjat. Kishte shenja edhe tek fyti me tel. Unë doja që djali të vinte gjallë, por ata i hoqën tubat. Nuk kam firmosur tek spitali për heqjen e tubave. Nuk më ka shkuar mendja të mbys djalin me duart e mija. Ku ka prind që mbyt fëmijën e vet. Kërkoj vetëm drejtësi, pasi unë nuk merrem me politike. Presidenti më ka thënë që do ta zgjidhë këtë punë", shprehet Gëzim Beqiri, babai i Florenc Beqirit. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com