'Nënë Tereza' statuja e UP do të
vendoset te rrethrrotullimi i Rinasit

'Nënë Tereza' statuja e UP do të<br />vendoset te rrethrrotullimi i Rinasit
Statuja që gjendej në Universitetin Politeknik do të vendoset në rrethrrotullimin e aeroportit, ku po ndërtohet edhe piedestali në bashkëpunim me autorin e saj Thoma Thomai. Statuja që ishte pranë aeroportit është ende për t’u caktuar ku do të vendoset, në konsultë me autorin e saj Luan Mulliqi tha ministrja Mirela Kumbaro ndërsa inspektoi nga afër procesin e restaurimit të dy pres statujave të Nënë Terezës.

Sipas ministres në kuadër të vizitës së Papa Françeskut , siç po kryhet rehabilitimi i sheshit po kryhet edhe mirëmbajtja, restaurimi dhe pastrimi i dy statujave të Nënë Terezës, përkatësisht të veprës së realizuar nga skulptori Thoma Thomai dhe Luan Mulliqi. Ajo tha se vendimi për zhvendosjen e statujave u mor nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në mbledhjen e dates 22 gusht.

“Vendimi erdhi pas ekspertizës së kryer nga QRVA. Të dyja statujat kanë nevojë për restaurim, prandaj siç edhe e shihni janë sjellë në Qendrën e realizimit të Veprave të Artit, ku po punohet pandërprerje nga specialistët e restaurimit të veprave të artit. Statuja e Nënë Terezës e autorit Luan Mulliqi, u zhvendos nga rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit dhe sot ndodhet në oborrin e QRVA, për t’iu nënshtruar të gjitha proceseve teknologjike të pastrimit dhe restaurimit, njësoj si edhe statuja e realizuar nga Thoma Thomai”, theksoi ministrja.

Kumbaro ka hedhur poshtë të gjitha zërat se një nga statujat e Nënë Terezës është vendosur ambiente të papërshtatshme, duke i cilësuar këto deklarata si abuzive dhe të pavend.

 “Më duket abuzive që të spekulohet me emrin e Nënë Terezës, sheshi i së cilës po rehabilitohet dhe po rikthehet në gjendje të shkëlqyer, ashtu si e meriton vetë emri i saj, i kësaj figure të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe mbarë botën. E shoh të pavend spekulimin në në një moment të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, siç është edhe vetë vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, kjo ngjarje e rëndësishme për vendin dhe të gjithë shqiptarët, vizitë kjo që respekton dhe vlerëson Shqipërinë si vendin e paqes , harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Unë besoj që edhe vetë bashkëpunimi që ne kemi në rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza” me Bashkinë e Tiranës, me të cilën kemi ndarë punët, një bashkëpunim institucional që ne synojmë të jetë tërësisht i koordinuar, është provë e kësaj fryme”, deklaroi Kumbaro.  
 
Ndërkohë  drejtori i QRVA, Agim Rada  tha se shtatorja e Luan Mulliqi është një vepër e nxituar, realizuar jo në kushte optimale dhe e derdhur në mënyrë difektoze.

“Vepra duhet të kalojë në një proces , i cili vështirësohet pasi kjo vepër është lyer me bojë antiruxho (njësoj si, pasi të kesh veshur një ndërtesë me mermer, mbi të ti jepet një dorë gëlqere), bërë kjo për ti hedhur hi syve publikut, të cilët janë taksapaguesit, dhe sa për dijeni, nuk ju ka kushtuar pak. Sqaroj se procesi i restaurimit kryhet vetëm në natyrë (eksterier). Statuja do ti nënshtrohet një restaurimi total, ku si proces i parë është djegia e bojës dhe më pas trajtime me acide dhe solucione të ndryshme që janë të rrezikshme për ambientet e brendshme. Përsëris edhe njëherë se vendndodhja e statujës është oborri i QRVA, ku, statuja e “Nënë Terezës” ruhet 24 orë nga rojet tona të institucionit. Do të ishte në të mirë të opinionit qytetar si dhe të vetë atyre gazetarë, që, përpara dhënies së lajmit, të informoheshin me ne, specialistët e kësaj fushe”, deklaroi Rada.


statuja me logo




Ja ekspertiza e kryer nga QRVA për dy statujat.  
 
Nga analiza e specialistëve u konstatuan të meta nga ana teknike në këto monumente të cilat ndikojnë negativisht në vizionin figurativ për të cilën ato janë realizuar. Për këtë arsye këto vepra duhet ti nënshtrohen një procesi të restaurimit dhe rifreskimit të tyre pasi gjendja është tejet e amortizuar. Në këto kushte, referuar statujës të shenjtores Nënë Tereza, që gjendet aktualisht pranë Universitetit Politeknik, konstatohen
1. Deformim dhe mospërputhje me bazamentin.
2. Agjentët atmosferikë kanë hequr shtresat e tonimit.
3. Mungon tërësisht shtresa e dyllit si dhe për këtë arsye bëhet një larje totale me acid nitrik, duke iu nënshkruar një procesi kimik që ndikon në bronz nga e para.
Referuar statujës pranë rrethrrotullimit të Aeroportit “Nënë Tereza” , pasi u vërejtën nga specialistët tanë, u konstatua:
1. Deformim dhe mospërputhje me bazamentin.
2. Agjentët atmosferikë kanë hequr shtresat e tonimit.
3. Mungon tërësisht shtresa e dyllit si dhe për këtë arsye behet një larje totale me acid nitrik, duke iu nënshkruar një procesi kimik që ndikon në bronz nga e para.
4. Lyerja me bojë antiruxho ka shkaktuar dëmtime, që kërkon djegien e bojës dhe më pas trajtime me acide dhe solucione të ndryshme që janë të rrezikshme për ambientet e brendshme.
5. Gjithashtu, mbi këtë statujë kanë vepruar edhe jashtëqitjet e shpendëve duke krijuar korozion, i cili eliminohet duke u trajtuar kimikisht.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri