'PD mbështet protestat e tregtarëve'
Basha: Në 2 muaj ikën 73 mijë vetë

'PD mbështet protestat e tregtarëve'<br />Basha: Në 2 muaj ikën 73 mijë vetë
TIRANË - Duke e konsideruar një kauzë për bukën e gojës , protestën e tregtarëve përpara kryeministrisë, kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se PD mbështet protestat e tyre në çdo cep të vendit. Pasi kryeministri tha se tregtarët po keqpërdoren politikisht, kryetari i PD i kujtoi qeverisë së vetëm në 2 muaj kanë humbur vendin e tyre të punës 73 mijë qytetarë në sajë të aksionit kundër informalitetit. Pavarësisht kësaj situate tha Basha, dy aleatët në bashkëqeverisje janë të fokusuar të ruajnë veten me takime që u shërbejnë vetëm atyre.

Shefi i opozitës kërkon mbështetjen e qytetarëve për rrëzimin me çdo mjet demokratik të qeverisë , e cila sipas tij bëri një përpjekje të dështuar për tu mbyllur gojën qytetarëve dhe mediave përmes kriminalizimit të shpifjes.

Dy ditë më parë në mbledhjen me grupin parlamentar Lulzim Basha paralajmëroi protesta masive deri në mosbindje civile për largimin e qeverisë. Ende nuk ka një datë kur do të udhëhiqen këto protesta ndërsa studentët dhe tregtarët i kanë nisur tashmë përpara kryeministrisë.

Prononcimi i Bashes
Së pari dua t’ju them se protestën e tregtarëve në Tiranë, sikundër në Fier, Korçë dhe Shkodër, Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet me të gjitha format dhe mënyrat që një parti politike mund ta bëjë këtë. E mbështes sepse është një protestë e drejtë e njerëzve që po detyrohen për bukën e gojës së fëmijëve të tyre, t’i kthehen mjetit të fundit demokratik që është protesta, ngritja e zërit për të drejtën e tyre.

Problemi është që Edi Rama dhe Ilir Meta nuk e shohin protestën, nuk kanë parë sot, se gjithë këto ditë kanë bërë ecejaket sa nga zyra e tyre te zyra e Mehmet Shehut, se kanë të tjera shqetësime. 73 mijë sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve kanë humbur vendet e punës vetëm muajt shtator –tetor. 73 mijë shqiptarë, 73 mijë familje kanë humbur, të punësuar, me shumë gjasa të vetëpunësuar bukën e gojës për shkak të gjobave, për shkak të taksave të rritura, për shkak të korrupsionit, për shkak të arbitraritetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Këto nuk i shohin sepse ndërkohë që ndodhin këto, ndërkohë që 73 mijë që kanë humbur vendet e punës në atë orë, në këto orë me siguri të tjerë kanë humbur vendet e punës. Këta kanë një preokupim të ruajnë vendet e tyre të punës, të ruajnë garnizonet e hajdutëve të Edi Ramës dhe Ilir Metës që i janë vërsulur pasurive publike. Të ruajnë Damianët, Gjiknurët, Haxhinastot, Tahirët, Beqët, Kodhelët, Kokëdhimët. Ky është shqetësimi kryesor i Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Kjo është pra një qeveri që ka humbur çdo lidhje me realitetin. Kjo qeveri është arsyeja që në vetëm dy muaj kemi 73 mijë të papunë sepse në vetëm në një vit kemi 100 mijë azilkërkues në Europë, 200 mijë aplikime për Llotarinë Amerikane, i bie 600 mijë shqiptarë, po ti marrim nga tre veta për familje.

Në vend që të reflektojnë, në vend që të marrin përgjegjësitë, në vend që të kuptojnë që janë ata me politikën e tyre, me korrupsionin e tyre, me rritjen e taksave, me gjobat, me hajdutërinë, shkaktarët e kësaj gjendjeje, ka një dhe vetëm një preokupim: Si t’i mbyllin gojën qytetarëve, si t’i mbyllin gojën opozitës, si t’i mbyllin gojën mediave. Kësaj nuk ka për t’ia arritur kurrë, as kokoshi poturembushur dhe as ortaku i tij krenar dhe i qetë me pazarin e rinovuar.

Pazaret, sikundër opozita, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk do të tërhiqen nga kërkesat e qytetarëve shqiptarë të bëhemi gati dhe të rrëzojmë me gjithë mjetet e ligjshme demokratike qeverinë e kusarëve Rama-Meta.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal