'Pse e lashë Malajzinë për të
punuar si shef kuzhine në Shqipëri'

'Pse e lashë Malajzinë për të<br />punuar si shef kuzhine në Shqipëri'
Kuzhinën  duhet ta  kesh  pasion, nëse  nuk e ke pasion atëherë nuk  mund të  bëhesh  një kuzhinier  i mirë. Kështu e nis rrëfimin e tij Tauland Greca, një i ri i cili braktisi Malajzinë për të punuar në Shqipëri.
 
Pasi punoi disa vite në Malajzi si shef kuzhine, 30-vjeçari vendosi të punojë në një restorant në Tiranë, i cili gatuan ushqime të Azisë së Largët. Taulandi thotë se me pasion çdokush mund të ushtrojë profesionin e tij.

I pyetur në lidhje me mundësitë që të krijon Shqipëria për të patur sukses, ai thotë se “të rinjtë nuk kanë pse largohen nga Shqipëria, por duhet të punojnë në profesione të ndryshme në vendin e tyre”.

Sipas tij gatimet malajziane kanë shumë veti. “Duke qenë se ne përdorim shumë erëza të ndryshme ne gatimet tona, këto erëza përveç faktit që kanë veti të larta ushqyese, sepse kanë përqendrim të lartë të elementëve të rrallë që organizmi i njeriut kërkon, kanë edhe veti kuruese”, thotë 30-vjeçari që pas 4 vitesh punë në Malajzi, vendosi të rikthehej në atdhe.

[gallery]21721[/gallery]
Ju keni qenë kuzhinier në Malajzi, a mund të na thoni përse u rikthyet në Shqipëri?
Në Malajzi kam punuar për 4 vite, kohë e mjaftueshme për të marrë një eksperience të re, për të mësuar një tjetër gatim qe këtu Shqipëri nuk mund ta mësosh. Më pas vendosa të kthehem dhe eksperiencën e marrë atje ta ushtroj këtu në vendin tim. Arsyeja kryesore pse u ktheva është se pata besim se edhe në Shqipëri mund të ushtrosh profesionin që ke. Duke qenë se në Shqipëri nuk ka shumë persona që e njohin kuzhinën malajziane, atëherë thashë pse jo, mund të kisha një punë timen dhe më rezultoi e saktë, pasi sapo u riktheve u punësova në një restorant i cili gatuam ushqimet tipike malajziane.

Si ka filluar eksperienca juaj me kuzhinën?
Kuzhinën  duhet ta  kesh  pasion, nëse  nuk e ke pasion atëherë nuk  mund  të  bëhesh  një kuzhinier  i mirë.  Pasionin tim për kuzhinën e kam zbuluar kur  kam shkuar në emigracion (Greqi), atje  duhet të  gatuaja vetë. Jo vetëm për vete, por edhe për shokët gatuaja, meqë edhe ata e kishin kuptuar që unë isha pak më mirë se të tjerët në gatim. Pastaj herën e parë që  kam  filluar punë në kuzhinë ka qenë puna me pica, pas  një kohe fillova me pasta, e kështu me radhë deri tek ushqimi i veçantë i Azisë së Largët. Fillimisht ushqimi i Azisë ka qenë pak i vështirë për ta kuptuar pasi vija nga një vend si Shqipëria, ku gatuhet tërësisht ndryshe. Në momentin e parë që fillova ta provoja më pëlqeu shumë dhe më pas e pata të lehtë edhe të përshtatesha me gatimet malajziane. Fillova të merresha me gatime të vogla më pas u njoha dhe me specialitetet e Azisë së Largët.

Ju gatuani kryesisht ushqimin e Azisë së Largët. A mund të na thoni se çfarë ka të veçantë ky ushqim?
Po unë kryesisht gatuaj ushqim Malajzian. Malajzia për vete pozitën gjeografike që ka është e ndikuar shumë nga Kuzhina Tajlandeze, Kineze, Indoneziane etj. Këto ndikime shtrihen nga përdorimi i tiganit të thellë e deri në kombinimet e erëzave të përdorura. Ushqim Malajzian përgjithësisht është i mbushur me erëza të  shumta. Vaktet nuk janë gjithmonë djegës, por salcat  djegëse  me  kombinime aromatike si koriandër dhe qimnon me lemongras, gjethe kaffi, kardamom, staranise dhe fenugrëk, nuk mungojnë asnjëherë në  tavolinë.

A vijnë shpesh shqiptarët të konsumojnë ushqim malajzian, duke qenë se salca djegëse është shumë e theksuar?
Edhe pse kemi disa muaj që kemi hapur restorantin “Spice of Malajsia” shqiptarët vijnë të shijojnë diçka ndryshe, një  pjesë e  njohin, sidomos ata që kanë qenë në emigracion, për disa të tjerë duhet pak si shumë djegës, edhe pse  niveli  i pikantes është  sipas dëshirës. Mua me duket se e shijojnë për vetë faktin, qe kemi shume klientë që kthehen përsëri. Kur dikush provon një ushqim me salcë djegëse të nivelit të 10 (që është salca që djeg më shumë) atëherë e kanë shumë të vështirë të mësohen, sidomos në momentet e para. Pastaj ka klientë që mësohen shpesh dhe na thonë që t’i gatuajmë të gjitha ushqimet me salcë djegëse të nivelit 5 (djegia në këtë rast është e nivelit mesatar). Pavarësisht se ushqimi aziatik ka nivel të lartë të pikantes, shqiptarët mësohen shpejt. Ka patur raste kur na kanë ardhur klientë që kanë provuar ushqim shumë pikant dhe janë kënaqur. Nuk është e vështirë të mësohesh, ne shqiptarëve na pëlqen pikantja.

Një këshillë përse duhet të konsumojmë ushqim malajzian?
Duke qenë se ne përdorim shumë erëza të ndryshme ne gatimet tona, këto erëza përveç faktit që kanë veti të larta ushqyese, sepse kanë përqendrime të larta të elementëve të rralla që organizmi i njeriut kërkon, por ato kanë edhe veti kuruese. (Për këtë mjafton  të bësh një kërkim në internet për dobitë shëndetësore të çdo erëze që përdorim). Nuk mendoj që ushqimi që ne servirim  mund të jetë ushqim që mund të konsumohet çdo ditë, por disa  herë në muaj do ishte diçka shumë me vlerë për shëndetin tonë. Një tjetër këshillë është që të provojnë një ushqim ndryshe, djegës, pikant dhe që besoj se do t’ju lerë një shije të mirë.

Ju gatuani vetëm ushqime tipike të Azisë së Largët?
Unë di të bëj shumë lloj gatimesh edhe këto shqiptare. Por pasioni im mbeten ushqimet e Azisë së Largët. Erëzat që vijnë nga Azia janë shumë të shëndetshme dhe shumë të shijshme. Kombinimet e këtyre erëzave më tërheqin shumë, prandaj punoj në një kuzhinë ku gatuhet ushqim malajzian. Të them të drejtën kur isha në Greqi gatuaja lloje të ndryshme ushqimesh, ndërsa kur shkova në Malajzi u mësova me një gatim tjetër, i cili më tërhoqi dhe sot e praktikoj edhe në Shqipëri.

Po nëse dikush kërkon të provojë ushqime të Azisë së Largët, por jo shumë pikante?
Salca që ne përdorim janë nga niveli 1 në 10. Në këtë rast unë i rekomandoj salcën pikante në nivelin 1. Kjo për faktin se është e lehtë dhe nuk është aq djegëse. Pastaj çdokush mund të kërkojë ushqim pikant sipas dëshirës. Unë përdor një menu të pasur me ushqime, kryesisht ato me orgjinë të Azisë, konkretisht ushqime tikipe malajziane.

A mendoni se ja ka vlejtur rikthimi në Shqipëri?
Po, sigurisht që po. Pasi jam rikthyer në Shqipëri kam gjetur punë dhe kam mundësi që të punoj në vendin tim. Pavarësisht se biznesi është i ri, kemi treguar se mund të kemi sukses. Jo gjithmonë duhet që të punosh jashtë vendit për të siguruar të ardhura, por edhe në Shqipëri mund të bëhet një gjë e tillë. Ushtrimi i profesionit dhe i pasionit tënd është shumë e rëndësishme për mendimin tim.

Sa e vështirë është për një të ri që të punojë shef në kuzhinë?
Nuk është aspak e vështirë, përderisa është pasioni. Unë kur fillova të punoja në kuzhinë e kisha pak të vështirë të përshtatesha, por dëshira ishte e madhe. Në Malajzi u përshtata shpesh dhe fillova të mësohesha me gatime tradicionale të atij vendi. Për këtë arsye u riktheva në Shqipëri, për të ushtruar një profesion që po përhapet me shpejtësi, por edhe për të futur diçka të re në Shqipëri, ushqimin e Azisë së Largët, pikant dhe mjaft i shijshëm. Për mua të punoj si shef kuzhine në vendin tim ka qenë e lehtë edhe për faktin se gatuaj me disa lloj erëzash që janë edhe kuruese për këdo që i konsumon.

Një këshillë për të rinjtë?
Besoni në atë që mund të bëni. Angazhimi në një profesion është diçka me rëndësi, pasi asnjëherë nuk ju le pa punë. Unë e kuptova kur isha në Greqi që kisha pasion për kuzhinën dhe më pas, pata sukses në Malajzi por edhe në Shqipëri.

Mendoni se një restorant që gatuan ushqime malajziane do të ketë një sukses dhe a mendoni se edhe ju bashkë me të do t’ia dilni?
Shiko, nëse punohet me pasion gjithmonë ka sukses. Unë duke parë shpesh klientët që vijnë dhe mbeten të kënaqur besoj se do t’ia dalim. Siç e thashë fillimisht shqiptarët e kanë pak të vështirë të mësohen me një salcë pikante, por më pas i kuptojnë vlerat e erëzave, jo vetëm ushqyese, por edhe shëndetësore.

Disa nga erëzat me orgjinë aziatike.
Shafrani: Shafrani i Indisë së fundi ka qenë objekt i shumë studimeve mjekësore. Thuhet se ngadalëson rritjen e tumoreve të caktuara. Në kombinim me biberin e zi, besohet se shafrani i Indisë mund të trajtojë kancerin e gjirit. Shafrani largon plakjen e parakohshme. Nga studimet e fundit thuhet se shafrani ndihmon shëndetin kardiovaskular dhe sistemin e tretjes.

Kanella” Kanella njihet të jetë erëz antibakteriale dhe anti –parazitare. Antioksidantët janë të pasur shumë me kanellë. Kjo erzë ka dhe pjesë anti-inflamatore që ndihmojnë reduktimin e inflamacionit në trup që kontribuojnë në sëmundjet e zemrës. Kanella përmban hekur, magnez, kalium dhe fibra dietare. Studimet e fundit thonë se kanella ka rol pozitiv në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak si dhe përmirëson memorien.

Rozmarina: Rozmarina mund të ndihmojë në uljen e simptomave të çrregullimeve të barkut dhe tretjes. Ajo përmban anti-inflamator që mund të ndihmojnë në uljen e simptomave të astmës dhe çrregullime të tjera të frymëmarrjes. Rozmarina stimulon qarkullimin e gjakut, gjë që përmirëson përqendrimin dhe kujtesën.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)