Përfundoi në qytetin e Durrësit, në zonën e plazhit edicioni i nëntë i Rally Albania 2013, me pjesëmarrjen e 130 pilotëve të makinave, quad-wve dhe motorëve, nga 24 vende të ndryshme të botës. Ishte një garë tetë ditore plot emocion dhe surpriza, ndërkohë që për tetë ditë, pilotët nga shtete si Italia, Greqia, Anglia, Gjermania, Holanda, Estonia, Sllovakia, Polonia, Finlanda, Australia, Danimarka, Bullgaria etj, garuan në një terren të vështirë, sa malor aq kodrinor, sa fushor, por aq edhe të vështirë.

Përgjatë 8 ditëve, 130 pilotët kaluan nëpër Durrës, Peshkopi, Mat, Librazhd, Pogradec, Voskopojë, Mali i Dajtit apo në lumin e Devollit, duke përshkruar 1750 kilometra emocionuese.

FITUESI PËR MOTORËT

Vendin e parë për motorët, e zuri italiani Andrea Konsentino, i cili në profesionin e tij të parë është dentist, por që pasion ka garat off road. Italian Konsentino e fiton këtë titull për herë të tretë në Rally Albania duke treguar se është një pilot i talentuar.

Pas dorëzimit të Çmimit të parë nga organizatorët e garës, italiani u shpreh mjaft i kënaqur duke deklaruar “Jam shumë i lumtur për këtë trofe. Sigurisht, Shqipëria na surprizon vit pas viti, ndërkohë që na sjell emocione, shpirtin e garës, por edhe turizmin dhe vende që rrallë i sheh.

Ky edicion ka pasur vështirësi, por edhe shumë momente të bukura që do të mbeten gjatë në memorie, pavarësisht se nuk ishte hera e parë që vija në Shqipëri” tha Konsentino menjëherë pas marrjes së titullit.

FITUESI PËR MAKINAT
Ndërkohë që vendin e parë për makinat e zuri shqiptari Renti Sina. Duket se Sina për të disatin vit radhazi është fitues i garës, ndërkohë që është një garues i pasfidueshëm edhe nga grupe të tjera që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Sina e njeh mjaft mirë territorin vendas duke u kthyer në një kundërshtar të pakalueshëm.

Për kategorinë e quad-wve fitoi sllovaku Edward Jerak që sfidoi më së shumti pilotët e huaj. Në përfundim të edicionin Rally Albania kanë përshëndetur pjesëmarrësit edhe organizaotrët. “Besoj se gjithçka do të perfeksionohet vitin e ardhshëm. Jemi shumë të lumtur që gjithçka përfundoi pa incidente. Sigurisht që ka shumë gjëra për të përmirësuar, por në kushtet kur ndihma e strukturave shtetërore por edhe private, mungon për një kompeticion të një rangu të tillë, them se ia kemi dalë.

Më vjen shumë mirë që pilotët meshkuj e femra e kanë shijuar garën dhe kanë pasur edhe dëshirën e konkurrimit”, tha Edvin Kasimati, drejtori i garës Rally Albania. Ky edicion ishte i mbushur me shumë të papritura, të paktën dy ditë, situata ishte e vështirë, kur garuesit brenda ditës duhet të përshkruanin 420 dhe 400 kilometra. Gara u zbukurua më tepër nga gjithçka ndodhi në lumin e Devollit, kur pjesa më e madhe e garuesve nuk arritën ta kalojnë.

Gara e këtij viti, shënoi incidente të vogla nga garuesit, ndërkohë që gati 10 për qind e tyre nuk arritën ta përfundonin atë në kohë. Rally Albania është një kompeticion që synim të parë ka promovimin bukurive shqiptare. Lëvizja nga njëri qytet në tjetrin ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme te garuesit.

Rally Albania po kthehet në një eveniment tradicional duke fituar edhe simpatinë e shumë personave që i bashkohen nga të gjitha skajet e botës nga njëri vit në tjetrin. Këtë vit numri i pjesëmarrësve ishte më i madh se një vit më parë, por edhe edicionin e ardhshëm numri i garuesve pritet që të rritet duke e dërguar numrin e pjesëmarrësve nga më shumë se 30 shtete ndoshta.

SURPRIZA

Andrey, piloti cek 27 vjecar arriti të përfundojë i pari specialen e garës 420 kilometra nga Durrësi në Pogradec, në një terren shumë të vështirë, duke kaluar nga malet e Peshkopisë, Matit për të mbërritur në Pogradec, theu këmbën mëngjesin e ditës së diel, duke ngrënë mëngjes.

Ishte e pabesueshme sesi një garues, i cili për këtë sukses të vetin në Shqipëri për herë të parë, në një terren tërësisht të panjohur, të fitonte një garë të vështirë, të cilën e lanë në mes gati 30 pilotë, të thyente këmbën duke ngrënë mëngjes.

Ishte krejt e pabesueshme edhe për stafin, duke qenë se ai kishte edhe kohën më të mirë, e mund të ishte pretendent për të fituar garën.

Dylber Balla/shqiptarja.com