'Vendimet e paligjshme po më
marrin shtëpinë e ligjshme'

Një hije skandali ka përfshirë sërish sistemin gjyqësor në Shqipëri, kësaj rradhe në Elbasan dhe Durrës. Bukurosh Mukja, banues në lagjen Kala në Elbasan me një letër të hapur denoncon vendime të paligjshme sipas tij të gjyqtarit të Elbasanit B.M. dhe gjyqtarit të Apelit Durrës I.D. Bukurosh Mukja rrëfen kalvarin e rropatjeve dhe vuajtjeve nëpër dyert e gjyqësorit pas të cilave ka shumë mundësi që të mbetet mes katër rrugëve.

Letra e hapur
“Unë quhem Bukurosh Mukja, banues në lagjen Kala në Elbasan, dhe prej afro 5 vitesh sorrollatje nëpër gjykata, aktualisht rrezikohem të më merret  banesa ime e ligjshme, e cila është blerë afro 60 e ca vite më parë  nga babai i im, në ankand nga shteti i asaj kohe. Unë jam pronar i një banese e cila gjendet në lagjen “Kala” të Elbasanit, e blerë nga babai im qysh në vitin 1957, aty kam lindur unë dhe fëmijët e tjerë, si edhe fëmijët e mi, atje jemi rritur dhe kemi rritur edhe fëmijët, atje më ka vdekur edhe babai im Selim Mukja, dhe jetojmë aty prej 60 vitesh, në të drejtën tonë. 

Babai im e ka blerë asokohe shtëpinë me një kredi në vlerën e 60 mijë lekë të vjetra, bëhet fjalë për vitin 1957, dhe leku kishte tjetër vlerë. Shtëpia ishte e konfiskuar nga shteti i asaj kohe, qysh në vitin 1948 familjes B., për “mos shlyerje të detyrimeve financiare  ndaj shtetit”. Babai im hyri në ankand, dhe bleu 2 dhoma me siperfaqe 58 metra katrore, dhe një oborr gjithsej me siperfaqe 125 metra katrore, duke marrë dokumentacion të rregullt  të blerjes, dhe gjithçka tjetër zyrtare, sipas kushteve të asaj kohe. Asokohe banesa që blemë, ishte e rrënuar, pasi nuk ishte investuar qysh nga viti 1947 kur edhe ishte konfiskuar.

Babai im vdiq në vitin 1971, dhe në vitin 1974 mamaja ime merr një kredi, në Bankën e Shtetit në Elbasan, me vlerë 140 mijë  lekë të vjetra, për të restauruar banesën, sepse nuk ishte vënë dorë prej vitit të blerjes, sepse kishim edhe ne hallet tona. Kur erdhi ndryshimi sistemit politik, mamaja ime në vitin 1993 shkon dhe nxjerr tapinë e shtëpisë, sepse na duhej, e cila mban firmën dhe vulën e ish-drejtuesit të ZRVPP Elbasan Agron Peza. Deri këtu dukej gjithçka në rregull, dhe as e kishim menduar se pas shpinës tonë ish-pronari banesës dhe gjyqtarët po luanin  me fatin e jetës time dhe fëmijëve të mi”.

Por si ka nisi kalvari vuajtjeve  e rropatjeve në procese gjyqësore të familjes Mukja?
“Kështu ne jetonim të qetë deri në vitin 2012, kur unë shkoj rastësisht në ZRPP e Elbasanit (në atë periudhë atje ishte drejtues V.J.) dhe kërkoj rinovimin e tapisë së shtëpisë time të ligjshme, e blerë nga babi im në ankandin e hapur nga shteti asaj kohe, dhe jo një personi fizik apo juridik. Ju thashë se pasi mamaja ime kishte marrë qysh në 1993 një tapi shtëpie me firmën e vulën e ish-drejtorit  ZRVPP Agron Peza, në vitin 2012 ne shkojmë sërish për të rinovuar tapinë e shtëpisë për nevojat familjare. 

Atje shqyejmë sytë dhe nuk u besuam veshëve, kur në sportel kërkesës time, punonjëset e Hipotekës  ju përgjigjën se “jo ti nuk ke shtëpi me këtë adresë, pasi banesa juaj i ka kaluar në pronësi zotit Sh.B., i cili ka marrë një vërtetim nga KKKP Elbasan, ka hapur dhe një gjyq dhe ka fituar të drejtën e pronësisë”. Pra kishte ndodhur skandali, mbivendosje prone kur ne ishim pronarët ligjore të banesës, ishte zhvilluar gjyqi dhe ishte pajisur me tapi një person tjetër.

Korrupsion i hapur, skandal i paparë. Natyrisht revoltohem, kërkon të shikoj dhe të njihem me këtë skandal, dhe atje  fillimisht nisën të më fshihnin gjithçka. Nisën për mua, dhe familjen time vuajtjet, sorrolatjet, mashtrimet, pasi vendimet e Gjykatës Elbasan ishin shitur dhe ishin blerë nga zoti B. Ishte korruptuar drejtuesi procesit gjyqësor B.M., të cilin e akuzoj për vendime të paligjshme, për afera korruptive me palën tjetër, vendim i cili na nxiu jetëm ne si familje, dhe po rrezikohemi të dalim nga banesa në rrugën e madhe.

Dua ta pyes publikisht gjyqtarin B.M, i cili njihet në Elbasan për vendime të tilla  të kontestuara të kthyera në shumicën e rasteve nga Apeli Durrësit, se si ka mundësi që nën të njëjtin kulm ku jetoj unë dhe familja tjetër e zotit Qemal Shkalla, mua po më merret shtëpia e blerë sipas ligjit qysh 61 vjet më parë, kurse atij i njihet si e ligjshme po me vendim gjykate? Kuptohet se gjyqtari B.M. e ka mbyllur pazarin e tij dhe e ka shitur vendimin, duke u korruptuar nga trashëgimtaret e familjes B., të cilët  të drejtën e tyre duhet ta gjejnë me shtetin dhe jo me mua, ndërkohë që sipas ligjit duhet të më dëmshpërblejnë me vlerën e tregut edhe në rast se banesa u rikthehet  fizikisht  atyre. Por nuk mbarojnë këtu telashet e mia.

Problem im vajti në Gjykatën e Apelit Durrës, nga ku edhe atje kundërshtarët e mi “fituan” duke blerë edhe vendimin e gjyqtarin  I.D., i cili seancën  nuk e zgjati më shumë se 4-5 minuta, duke u shprehur se “po i bie shkurt, po lë në fuqi vendimin e Elbasanit”. Tashmë çështja ime ka vajtur nga unë në Gjykatën e Lartë, tek e cila kam shpresën e fundit. Si mundet që këta gjyqtarë të korruptuar të mbijetojnë akoma në sistemin e drejtësisë, si mundet që edhe kur ne denoncojmë shteti hesht, edhe kur kemi dërguar letra dhe denoncime për gjyqtarët edhe tek ish- Presidenti Republikës zoti Nishani përsëri kemi marrë heshtjen si përgjigje.

Ndaj kërkoj përmes denoncimit që Vettingu, të largojë sa më parë nga gjyqësori këtë kastë gjyqtarësh që nuk kanë të ngopur me para dhe nuk rreshtin  duke shkelur ligjet e shtetit. Jam gati të ballafaqohem me këta gjyqtarë të denoncuar nga unë, në çdo moment dhe në çdo institucion të këtij shteti. Disponoj një dosje të plotë me dokumentacion ligjor dhe zyrtar që flasin për blerjen e banesës qysh në vitin 1957, për gjithçka lidhet me banesën time, ndërkohë që asnjë nga këto dokumenta nuk është marrë parasysh nga gjyqtarët e Elbasanit dhe Durrësit.

I bëj thirrje dhe apeloj edhe tek Ministria e Drejtësisë dhe KLD, dhe tek Gjykata e Lartë e cila po e shqyrton dosjen time, të marrin në shqyrtim denoncimin tim dhe do të zbulojnë tek ata gjyqtarë skandale të paimagjinueshme, i bëj thirrje edhe kreut të shtetit Ilir Meta të nisë verifikimin dhe kontrollin ndaj këtij rasti që denoncoj unë, dhe jam gati të përballem me ligjin në çdo moment sepse jam në të drejtën time,  ndryshe heshtja do të më detyrojë të mendoj  ashtu si shumica e shqiptarëve, se nuk bëhet kurrë  ky vend me shtet dhe institucione ligjzbatuese”. Bukurosh Mukja – Elbasan

Bukurosh Mukja

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen