Me një akt normativ më 6 korrik, qeveria shqiptare ka financuar 4 milionë euro, për mbarëvajtjen e një prej aktiviteteve kulturore-artistike të vlerësuara si më të rëndësishmet vitet e fundit, koncertin e artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye west (YE).

Lajmin, e dha publikisht  kryeministri Edi Rama, teksa inspektoi punimet për ngritjen e stadiumit në hyrje të Tiranës, 4 ditë para koncertit të 11 korrikut.

“Ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, turq që kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale dhe shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë”, tha Rama.

Në aktin zyrtar i cili ka fuqi të menjëhershme shkruhet se vendimi është marrë për “financimin e pjesshëm të organizimit dhe të mbarëvajtjes së një aktiviteti kulturor-turıstık, me ndıkım në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Republikës së Shqipërisë”.

Por relacioni shoqërues, shpjegon se katër ditë më parë,  organizatorët i janë drejtuar zyrtarisht ministrisë së Kulturës, për të kërkuar mbështetje institucionale e financiare për garantimin e realizimit të aktivitetit ndërkombëtar.

Sipas dokumentit eventi është në rrezik dështimi.

“Nevoja për ndërhyrje financiare ka lindur si pasojë e krijimit të një situate objektive dhe të paparashikueshme gjatë fazës së organizimit të aktivitetit, e cila ka sjellë rritje të konsiderueshme të kostove dhe nevojën për përmbushjen e disa detyrimeve kontraktore me rëndësi thelbësore për realizimin e tij”, thuhet në relacionin e aktit normativ.

Shefi i mazhorancës tha nga “Eagle Stadium”, se nëse ky event: “do të mbetej pa realizuar, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqyteti, sepse ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por sjellin dhe një impakt ekonomik hap pas hapi”.

Sipas kryeministrit janë mijëra njerëz të cilët kanë prerë bileta nga Evropa, nga Amerika, nga Australia, afro 80 shtete. Mbi 70 përqind e biletave të shitura rezultojnë të jenë blerë nga të huaj.

"Eagle Stadium" do të ketë 60 mijë vende, dhe po ngrihet në një sipërfaqe 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Mbi 3.500 punonjës janë angazhuar në ndërtimin dhe përgatitjen e arenës.

Çmimet e biletave që kanë mbetur online, variojnë nga 261 euro për kategorinë standarde deri në 340 euro për zonën VIP, ndërsa për vendet pa ulëse, bileta kushton 177 euro.

Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, i cili nis në Shtetet e Bashkuara dhe vijon më pas në Azi dhe Europë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:17
Bardhi: Rama pagoi me lekët e shqiptarëve dështimin e koncertit të Kanye West, zgjidhja e vetme të anulohet si në vendet e tjera evropiane

1782728138_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se qeveria e kryeministrit Edi Rama po paguan me lekët e shtetit dështimin e koncertit të këngëtarit Kanye West.

Reagimi i Gazment Bardhit

Sot, Edi Rama i tha popullit më të varfër në Europë, me pagat më të ulëta në kontinent, se, meqenëse një nxitësi të pashoq të urrejtjes mes popujve i dështoi koncerti, nuk iu shitën biletat dhe qytetarët e bojkotuan, atëherë koston e këtij dështimi duhet ta paguajnë shqiptarët, me urdhër të Edi Ramës.

Çfarë pafytyrësie! Ato para nuk janë të tijat. Janë paratë e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk gjejnë ilaçe në spitale, kanë shkolla pa kushte dinjitoze, marrin pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon dhe përfitojnë ndihmë ekonomike në nivele qesharake. Buxheti i shtetit nuk është fond për të financuar aktivitete private. Kurrsesi!

Zgjidhja e vetme është anulimi i koncertit, ashtu siç është vepruar edhe në disa vende europiane. Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë nga taksat e tyre për pasojat e një aktiviteti privat apo për përhapjen e urrejtjes.