4 mësueset në Kamëz, 300 euro
për cdo tezë, zbulohet skema

4 mësueset në Kamëz, 300 euro<br />për cdo tezë, zbulohet skema
Kanë menduar se do të dilnin “milionere” nga provimet e maturantëve, por katër mësuese të gjimnazit “Ibrahim Rugova” ranë në prangat e policisë ditën e djeshme pas dekonspirimit që u bënë skemës së tyre vetë gjimnazistët, në operacionin që task-forca e prokurorisë së Tiranës e ka quajtur “Matura”.

Nevila Fiku, Arjana Metaliaj, Fatbardha Mahmutaj dhe Klodjana Kryemadhi u  dhanë përgjigje disa nga pyetjeve që nxënësit e këtij gjimnazi nuk i jepnin dot përgjigje. Dhe mësuesit kishin mbi një muaj që ua kishin premtuar këtë nxënësve, duke u kërkuar nga 250 apo 300 euro për secilin nxënës. E meqënëse "rryshfetin" e kanë kërkuar në mënyrë shumë të hapur, nuk kanë ngurruar të dërgojnë mesazhe në telefonat celular të gjimnazistëve. Këta të fundit nuk e kanë duruar dot presionin e mësueseve. Dhe për këtë, kanë vënë në dijeni oficerë të policisë së Tiranës, të cilët,
për një muaj rresht, kanë mbajtur nën kontroll, si nxënësit, ashtu edhe mësueset e përfshira në këtë aferë. Mëngjesi i djeshëm për katër mësueset do të ishte një ditë mëse e zakonshme dhe në fund të ditës, pas provimit, ato do të dilnin nga ky proces me një dorë të mirë lekësh. Nxënësit do të kishin ushtrimet dhe pyetjet e zgjidhura, dhe ato do ti prisnin jashtë portës për të marrë paratë. Si rezultat i kësaj situate njësia hetimore Task-
Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës pasi ka administruar të gjitha provat në dosje ka autorizuar strukturat e policisë të kryejnë operacionin për arrestimin e katër mësueseve, të cilat "spiunonin" nëpërmjet mesazheve të gjitha përgjigjet e provimeve të maturës tek nxënësit e shkollës së mesme "Ibrahim Rugova".

SKEMA E VEPRIMIT
Mënyra se si vepronin katër mësueset dhe nxënësit e gjimnazit "Ibrahim Rrugova" në dukje është një skemë tepër e dëgjuar, por që në fakt asnjëherë nuk ishte parandaluar nga policia dhe prokuroria. Sipas burimeve pranë kësaj të fundit katër mësueset Nevila Fiku, Arjana Metaliaj, Fatbardha Mahmutaj dhe Klodjana Kryemadhi, nuk kanë qenë brenda në klasat ku zhvilloheshin provimet e maturës në lëndët Matemaikë, Letërsi dhe Gjuhë, por kanë qëndruar jashtë ambienteve të brendshme të shkollës. Nga një lokal në zonën e Kamzës dy mësueset Nevila Fiku dhe Klodjana Kryemadhi, arrinin të mernin pyetjet me mesazhe telefonike dhe më pas në të njëjtën rrugë dërgonin dhe përgjigjen për nxënësit që kishin rënë dakort të bashkëpunonin. Ndërkohë që dy mësueset e tjera të lëndëve Gjuhë Shqipe dhe Letërsi kanë vepruar me të njëjtën skemë, duke dërguar mesazhe me tekste për zgjidhjen e pyetjeve të provimeve të maturës. Ndërkohë që për sa i përket nxënësve, burime pranë prokurorisë thanë se në momentin e hyrjes atyre u janë kërkuar telefonat nga inspektorët e ministrisë së Arsimit, ku kanë dorëzuar vetëm një telefon, ndërkohë që nga hetimi është provuar se ata kanë qënë të paisur me dy telefona celularë. Kjo ka shërbyer që ata të mbajnë kontakte me katër
mësueset e arrestuara, duke marrë prej tyre dhjetëra mesazhe në të cilat janë shkruar përgjigjet e pyetjeve të provimeve. Prokuroria ka mundur të dokumentojë dhjetëra mesazhe ku tregohet se mësueset kanë bashkëpunuar me nxënësit. Ndërkohë që mësohet se shtetaset Nevila Fiku dhe Klodiana Kryemadhi u kapën në flagrancë në Kamëz me shumat e parave të përfituara nga kjo veprimtari e kundraligjshme. Katër mësueset
u ndaluan falë operacionit të koduar me emrin "Matura" dhe pritet që shumë shpejt të dalin para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. 
(jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament