Kritikat për alokimin e 4 milionë eurove nga qeveria për koncertin e Kanye West në Tiranë, ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja i quajti një “betejë donkishoteske ndaj një këngëtari me nivel global.”
Indinjatën e lidhi me protestën që mbahet prej më shumë se një muaji para kryeministrisë, për të cilën u shpreh se ka pësuar rrudhje për shkak të interesave.
“Betejë donkishoteske ndaj një këngtari të jashtëzakonshëm, me një prej performancave më të jashtëzakonshme në nivel global. Është artist i quajtur Ye që mesa duket, nuk kurseu, kjo lëvizje që në fillim pati një frymë krejt tjetër që lindi për shkak të një indinjate për shkak të një ngjarjeje në Zvërnec dhe kishte ekspresion krejt tjetër, një lloj kërkese, pritshmërie shumë të lartë të një grupi njerëzish që kanë qenë të një cilësie krejt tjetër. Nga kjo pastaj kaluam në një lëvizje të sforcuar dhe të ndrydhur brenda një grupi interesash, një grupi që pati një rrudhje gjithnjë e më të madhe për shkak të ekstremizmit, gjuhës së dhunës, mungese të madhe besimi ndaj atyre që prinin duke mos lënë askënd të ngjiteshin në foltore, duke bërë votime me duar në ajër në shesh, dokumenti i Kuvendit Kombëtar, një histori komplet delirante. Ne ndajmë atë pjesë të qytetarëve që besojnë, sikundër ka shumë prej tyre që kanë më shumë dhe kanë vendosur të emigrojnë, të rrisin fëmijët në vende më të zhvilluara. Vitet kalojnë dhe njerëzit punët e mira i marrin si të mirëqena, një pjesë e mirë e njerëzve humbin referencën me realitetin. Kemi moskuptim dhe mosndershmëri ndaj vetes se s’mund patjetër të zgjohemi dhe të themi kemi qenë Gjermani e Zvicër dhe kemi rënë në batak dhe do të dalim me një lëvizje si Shqipëria e re”, tha Gonxhja.
Koncerti i Kanye West ishte projekt i paracaktuar për t’u mbuluar nga vetëfinancimi, shpjegoi Gonxhja, por ndërhyrja prej 4 milionë eurosh nga qeveria ndodhi për shkak të një vështirësie. Më tej, thekson se realizimi i koncertit ishte një detyrim, një fjalë e dhënë që duhej mbajtur.
“Kostot ishin sa më të arsyeshme gjatë gjithë kohës. Është nisur para protestave dhe një detyrim që të mbanim fjalën. Për shkak të vështirësisë dhe kostos që pati një komplikim në organizim e sipër, specifike të veçantë që ka, kushteve të këtij instalimi dhe montimi të këtij stadiumi provizor në Kashar, aspekteve që lidhen me pjesën teknike, të këtij projekti delikat, i brishtë”, tha ministri.
Sipas tij, asnjë qindarkë nuk u është marrë pensionistëve apo spitaleve, kritika të përsëritura nga opozita.
Impakti i koncertit në ekonomi mund të jetë rreth 100-120 milionë euro, tha ministri Gonxhja teksa uroi që protesta para kryeministrisë mos ta përdorë këtë ngjarje për të turpëruar vendin.
“Unë uroj që ky event të jetë sukses për Shqipërinë. Duhet të mos bëhemi qesharakë si vend nëse lejojmë që një grup, edhe i keqkuptuar mbase, ta kenë kuptuar këtë si një objektiv të gabuar, sebep për të kënaqur një interes shumë të vogël që Kanye West është sebep që të dëmtojmë Edi Ramën. Nuk dëmtohet Edi Rama, dëmtohet Shqipëria”, tha Gonxhja.
Deri më 1 korrik kanë qenë mbi 25 mijë bileta të blera nga të huajt, ndërsa tani mund të jenë mbi 30 mijë, shtoi ai.
Duke u kthyer te protesta, tha se qeveria tashmë ka nxjerrë disa mësime prej saj. Por, protesta tashmë është në grahmat e fundit.
“Mësimi që duhet komunikuar më shumë, duhet vetëdijësuar shumë më tepër, ambienti, mjedisi, ynë, opinioni. Kjo s’do të thotë propagandë. Keni brezin Z që janë pjekur dhe kanë filluar të merren me çështjet e jetës së përditshme 7-8 vitet e fundit. Atyre u falet të dalin atje dhe në një lëvizje tepër emocionale, ta humbin e të thotë edhe Saliu, edhe Rama janë njësoj, të dy në burg. Këtë mund ta kuptoj. Ajo protestë u komprometua rëndë dhe tashmë është në grahmat e fundit dhe ka filluar të bëjë presion të nuklit o ikni o ramë e vdiqëm, s’ka të ardhme, s’ka koncert, s’ka Kanye West”, tha Gonxhja.
Pavarësisht se qeveria nuk ka ndërmend të ulet dhe të japë dorëheqjen, Gonxhja përsëriti gatishmërinë për të biseduar me protestuesit, por revolta e këtyre të fundit duhet të ridimensionohet. Në të kundërt, mjetet që po përdoren mund të ndikojnë te e tashmja dhe e ardhmja e vendit.
Lajm në përditësim...

Protestat para kryeministrisë që vijojnë prej një muaji kanë pasur ndikim në turizëm, tha ministri Blendi Gonxhja në Report Tv. Ai bëri thirrje që ngjarje si koncerti i Kanye West kanë rëndësi për motorin ekonomik të vendit.
“Qershori i sivjetshëm nga qershori i vjetshëm është me rritje vetëm 1 e pak përqind. Prandaj kemi thënë kujdes. Jemi në muajin më të keq këtë vit ndërkohë që filluam nga pak përqind dhe shkuam në nivelin më të lartë në maj, kemi rënie të menjëhershme në qershor. Ky event, kjo ngjarje është më së pari turizëm”, tha Gonxhja.
Komente











