Një protestues i maskuar tha për Report Tv se gjithçka kërkojnë është kushte më të mira në shkollë, mundësi për punësim pas diplomimit dhe strehim. I riu, i cili ishte i maskuar tha se protesta paqësore s’ka pasur asnjë efekt, ndërsa shprehu mbështetje edhe për protestën e dhunshme të 4 ditëve të fundit, ndonëse kundër sulmit të bizneseve.
“Po protestojmë për kushtet e shkollës, pasi të mbarojmë shkollën është e pamundur për të gjetur punë. Është e pamundur të blesh një shtëpi në këtë ekonomi, as garsoniere s’blen dot. Këto janë maja e ajsbergut. Edhe kur pyet profesorët si t’ia bëj për të gjetur punë, thonë është e pamundur. Protestat i shoh të arsyeshme, jam kundër prishjes së bizneseve private. Janë diku te 4 muaj e pak që dalim në protestë dhe nuk kanë bërë asgjë kur kemi protestuar paqësisht”, tha protestuesi.
Një protestuese tha se ka “101 arsye për të protestuar”, por solli në vëmendje emigrimin. Ajo nënvizoi se gjithçka kërkojnë është të dëgjohen, teksa bëri thirrje për rezistencë dhe jo panik e lajme të rreme.
“Protesta ka 101 arsye, do përmend veç një. Çdokush që është kundër protestës nuk ka pasur askënd jashtë shtetit, askënd emigrant, nuk është rritur pa një prind në shtëpi për të jetuar një jetë më të mirë. Pse duhet të shkojmë jashtë shtetit kur duam të bëjmë Shqipërinë më të mirë? Po kërkojmë kushte, të ushqehemi, qiraja mos të jetë sa kemi rrogën dhe të na dëgjohet një herë fjala. Ky kaos nuk duhet të ishte bërë. Që ditën e parë të protestës duhet të ishim dëgjuar. Mos hiqni dorë, mos përhapni panik, mos përhapni lajme false”, tha protestuesja.
Thirrja kryesore e disa protestuesve të tjerë të maskuar ishte dorëheqja e Ramës.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Protestuesit me maska sulm me gurë Ministrisë së Arsimit e efektivëve, Policia përgjigjet me gaz lotsjellës! Djegin kosha e shkulin kangjella nëpër rrugë (VIDEO)











