FIER - Punëtorët e rafinerisë së naftës në Ballsh gjatë kësaj të premte kanë zhvendosur protestën e tyre në ambientet ku kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, zëvendës kryeministri Erion Braçe dhe deputeti Bashkim Fino zhvilluan një mbledhje me strukturat e Partisë Socialiste të qarqeve të jugut për përcaktimin e delegatëve të Asamblesë kombëtare në Fier.

Naftëtarët  kërkuan një takim me kryeparlamentarin Ruçi pasi prej 4 muajsh nuk kanë marrë pagat, por sipas tyre kreu i kuvendit është larguar nga dera e pasme për të mos i takuar. Punonjësit kanë debatuar me deputetin socialist Bashkim Fino duke i kërkuar një zgjidhje për shqetësimin e tyre për  të cilin kanë 8 ditë që protestojnë. Ky i fundit u ka premtuar se do ta paraqesë problemin në instancat përkatëse.

Uzina e Ballshit ka ndaluar punimet prej 5 muajsh dhe për pasojë 800 punonjës kanë mbetur të papunë që nga shtatori i vitit 2019.