4 qytetet finaliste për titullin 'Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2025' mbërrijnë në Tiranë, Veliaj: Të rinjtë e Evropës duhet të jenë bashkë, të rriten si aleatë, jo si armiq

Katër qytetet finaliste për titullin "Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2025" - Izmiri, Fuenlabrada, Tromso dhe Lviv - janë në Tiranë për të mësuar se cila prej tyre do jetë fituesja, në një ceremoni që do të zhvillohet sot pasdite në kryeqytetin shqiptar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryebashkiakun e qytetit spanjoll, Fuenlabrada, Francisco Javier Ayala Ortega (që është njëra nga finalistet) me të cilin diskutoi mbi ecurinë e vitit të rinisë në Tiranë. 

“Fuenlabrada është një nga kandidaturat për “Kryeqytetin Evropian të Rinisë”, ndaj i uroj shumë sukses. Nuk ka rëndësi kush fiton, pasi eksperienca na tregoi se ku ka dëshirë për të bërë gjëra, mund të realizohen projekte të mrekullueshme, me ose pa tituj. Besoj fort se ndonjëherë aktivitete të tilla, si ceremonia e ndarjes së titullit në Tiranë për qytetin tjetër që do marrë stafetën e “Kryeqytetit Evropian të Rinisë 2025”, janë edhe sebepe për t’u takuar me njëri-tjetrin, e për të krijuar kontakte”, u shpreh Veliaj. 

Më tej, ai u ndal te viti që po lëmë pas, kur Tirana mbajti titullin si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”. Veliaj tha se ishte një mënyrë e shkëlqyer për të krijuar lidhje mes të rinjve të Shqipërisë me të rinjtë e të gjithë Evropës. 

“Për Tiranën, titulli “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, përveçse ishte një mënyrë për të ngritur reputacionin e qytetit, ishte një mënyrë e shkëlqyer edhe për të lidhur të rinjtë tanë. Nëse të rinjtë lidhen që në moshë të hershme, dhe pastaj investojnë gjithë jetën në këtë marrëdhënie, as nuk bëjnë luftëra, as nuk hapin debate të kota. Këto fjalë do tingëllonin jashtë konteksti nëse do ishin thënë vjet, në këtë kohë, por tani që Evropa është në një luftë, atëherë lind nevoja gjithmonë e më shumë që të rinjtë tanë të dialogojnë, të njohin njëri-tjetrin dhe të rriten si aleatë, jo si armiq. Ambicia e kryeministrit Rama është që Tirana të jetë një epiqendër e energjisë pozitive. Për të lidhur këto marrëdhënie dhe për t’u investuar për paqe dhe mirëkuptim mes vendeve. Kjo është e ardhmja e Europës”, theksoi Veliaj. 

Kryetari i Bashkisë së Fuenlabrada-s, Francisco Javier Ayala Ortega shprehu kënaqësinë e tij për takimin me kryebashkiakun e Kryeqytetit Evropian aktual të Rinisë për të mësuar më shumë. 

“Është e rëndësishme për ne që të njohim se kush është kryebashkiaku aktual i “Kryeqytetit Europian të Rinisë”, sepse edhe ne duam që ta fitojmë këtë titull. Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë është që, fillimisht duhet të fitojmë, dhe e dyta duhet të flasim me ju. Tani jemi në Tiranë dhe duam t’ju njohim juve, ekipin dhe punën tuaj. Shpresoj që do të fitojmë”, përfundoi ai.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë