VELIPOJË-Konflikti për disa metra territor plazh në Velipojë ka përfunduar me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur, duke tronditur kështu jo vetëm zonën, por të gjithë vendin në një kohë kur përpiqemi të dalim të rimëkëmbur në këtë fillim sezoni turistik nga një pandemi që jo pak na goditur.

Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç mbeten të vdekur. 20-vjeçari kishte filluar vetëm dje punë si kamerier në hotelin Gocaj. Dita e parë e tij e punës rezultoi tragjike dhe u bë dita e fundit e jetës. Nuk do të jetë më e njëjta jeta edhe e një të mituri, vetëm 17 vjeç. Nipi i Kujtim Ferracakut, Elmilind Dyli, ka marrë një plumb në gju dhe mjekët fillimisht menduan t'i prisnin këmbën por drejtori i Traumës Alban Zeneli në një prononcim për Report Tv siguroi se një gjë e tillë është përjashtuar. I plagosuri tjetër është vëllai i Ferracakut, 54 vjeçari Hasan Ferracaku i cili ndodhet dhe ai ndodhet në Spitalin e Traumës, tashmë në gjendje të stabilizuar. 

Ferracaku, pronar i Hotel 'Fantazia' është përplasur me armë me vëllezërit Gocaj, pronarë të hotelit 'Gocaj'. Bizneset e tyre ndodheshin vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut vrarë në atentat të ndodhur ne vitin 2018.

Palët dyshohet se u konfliktuan mesditën e djeshme për shezlongët. Nga informacionet paraprake mësohet ka qenë pikërisht anëtarët e familjes Ferracaku të cilët kanë shkuar pas mesnate në hotelin 'Gocaj' për të sqaruar konliktin për shezlongët. Dy pronarët e hoteleve janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe debati ka degjeneneruar me përdorimin e armëve. Ndërkohë që deri më tani nuk raportohet asnjë konflikt i mëparshëm mes këtyre dy familjeve.

Ajo që vihet re nga pamjet nga vendi i ngjarjes është fakti se ajo është e mbushur plot me njerëz, shumica dërrmuese turistë, të cilët të tmerruar janë ngritur nga të shtënat armëve. Ndonjë prej tyre ka vendosur që mëngjesin e sotëm të marrë çantat dhe të kthehet andej nga ka ardhur.

Në vendngjarje shkuan menjëherë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe forcat RENEA, ndërkohë që hetimet vazhdojnë edhe për këqyrjen e kamerave të sigurisë. Policia ka shoqëruar me dhjetëra persona, përgjithësisht familjarë të palëve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur pistoleta dhe kallashnikovë. 

Tronditës ka qenë edhe rrëfimi i Pjetër Gocajt, babait të Xhovan dhe Edmond Gocajt, dy vëllezërit që mbetën të vrarë. AI thotë se i është fikur dera e shtëpisë, teksa nënvizon se ia vranë djemtë në derë të shtëpisë, dhe madje djali i madh jetonte në Angli dhe kishte ardhur për të investuar. Për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar deri tani edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi. 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:27
U vra gjatë përplasjes me armë në Velipojë, 20 vjeçari Musaen Zeneli humbi të atin në mënyrë tragjike disa vite më parë, iu mbyt në Drin

1624822678_Screenshot1421.jpg

Musaen Zeneli, i cili u vra nga përplasja me armë në Velipojë mes 2 familjeve pronarë hotelesh, Ferracaku dhe Gocaj për disa metra territor plazh, në një mënyrë tragjike ka humbur dhe babin e tij disa vite më parë.

Para disa vitesh babi i 20 vjeçarit të ndjerë ishte mbytur në lumin Drin, teksa ishte futur për t’u larë. Vrasja e 20 vjeçarit Zeneli mbrëmë preku zemrat e të gjithëve pasi u konsiderua si viktima më e pafajshme e kësaj masakre me 4 të vrarë. I riu me njohuri fillestari në kuzhinë, ishte shpërngulur në hotelin e vëllezërve Gocaj dhe kishte ditën e parë të punës, ku shërbente edhe si kamarier.

Ora 20:00
Mbeti i vrarë nga masakra në Velipojë, del foto e 38-vjeçarit Edmond Gocaj

1624816998_page.jpg

Ky është Edmond Gocaj 38-vjeç i cili mbeti i vrarë në masakrën në Velipojë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Të vrarë mbetën edhe Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç e  Musaen Zeneli 20 vjeç, pas një konflikti për disa metra territor plazh mes anëtarëve të 2 familjeve pronarë hotelesh, Ferracaku dhe Gocaj.

Ora 12:04
Dy të plagosurit nga masakra në Velipojë u sollën tek ‘Trauma’, drejtori i spitalit jep detaje për gjendjen e tyre shëndetësore

Alban Zeneli, Drejtori i Spitalit të Traumës në një prononcim për Report Tv ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të Hasan Ferracakut dhe Elmilind Dylit që mbetën të plagosur në masakrën në Velipojë.

Hasan Ferracaku është në gjendje më të lehtë, por nuk rrezikon krahun. Megjithëse më herët u raportua se 17-vjeçarit Elmilind Dylit rrezikohej t’i pritej këmba, mjeku thotë se nuk është në gjendje që t’i pritet këmba.

Sipas mjekut i mituri ka dëmtime në këmbë, plumb në kërci, apo gju, pak  në gjendje me serioze se Hasan Ferracaku.

Ora 11:45
Masakra në Velipojë, në vendin e ngjarjes gjenden 4 lloj armësh

Report Tv mëson se 4 lloje armësh janë përdorur në vendin e ngjarjes në Velipojë, para hotel ‘Gocaj’ ku mbetën të vrarë katër persona dhe dy të tjerë të plagosur. Në vendngjarje janë gjetur dy armë automatike, 1 pistolete glok dhe 1 pistolete TT.

Ora 10:23
Dy të plagosurit janë në Spitalin e Traumës, nipit 17 -vjeçar të Ferracakut do t'i presin këmbën, vëllai i tij në gjendje të rëndë

 

Dy të plagosurit nga të shtënat e armëve orët e para të mëngjesit të sotëm janë të dy familjarë të Kujtim Ferracakut. Vëllai i tij, 54-vjeçari Hasan Ferracaku, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës ndërkohë që 17-vjeçari Elmilind Dyli, i cili djali i vajzës së Kujtim Ferracakut ka marrë një plumb në gjumë dhe burime për Report Tv bëjnë me dije se mjekët po mendojnë t'i presin këmbët.

Ora 09:57
‘Më është fikur dera e shtëpisë’, flet babai i dy vëllezërve të vrarë në Velipojë: Më kanë ardhur në derë të shtëpisë e më kanë qëlluar! Vrasësit i kam pasur shokë e kolegë

VELIPOJË-Pjetër Gocaj, babai i Xhovan dhe Edmond Gocajt, dy vëllezërit që mbetën të vrarë pas përplasjes me armë në mesnatë në Velipojë, thotë se i është fikur dera e shtëpisë. Gocaj thotë se vitin e kaluar i kanë pasur ato shezlongët dhe këtë vit po prisnin që të bëhej ndarja. Ai tregon se i vranë djemtë në derë të shtëpisë, dhe madje djali i madh jetonte në Angli dhe kishte ardhur për të investuar. Më tej ai shton se nuk ishte i pranishëm në vendngjarje dhe shprehet se është i habitur, pasi ato i ka pasur shokë e kolegë. Ai thotë më tej se ato përderisa kanë shkuar me armë nuk kanë shkuar për të sqaruar muhabetin. 

'Punë ndarje shezlonash. Shteti është duke i ndarë. Vjet i kam pasur unë. Simjet ja kanë dhënë këtij zotërisë, dhe këtë vit i kam thonë do të presim sepse i kam në proces edhe unë. Ai ka marrë të vjetshmet. Kanë ardhur mbrëmë në derë të shtëpisë, të armatosur. Si tash e 30 vjet janë vra dhe për parking, armët kanë këto fenomene. Fatkeqësia jeme, ato i kam pasur shokë e kolegë, se në çfarë rrethanash ma kanë bërë këtë punë e me më ardhe tek dera. Mu duhet të më kishin thirrur, më shumë më njohin mua se çunat e mi. Djalin e kam pasur me nënshtetësi angleze, është djersa e tij. Nuk kam ditë mor gjë, se nuk na kanë njoftu! I kam shokë, unë jam habitur. Të hënën do të sillja disa kosovar dhe ndodhi kjo që ndodhi.

Kjo qe ka ndodhur mos i ndodht me kujt, mua me eshte fikur dera e shtepise. Uroj qe mos ti ndodh askujt. Me kane vrare tek dera e shtepise, me kane vrare dy djemte. Çfarë me duhet jeta me. Ata kane ardhur dhe na vrane ne shtepi. Uroj mos ti ndodh me kujt se peshen e rende te kesaj ngjarje e kam une mbi supe. Asgje nuk dime. Me kane vrare djemte. Ne i kemi vendosur shezllonet perpara se te behej ndarja nga shteti e shezlloneve dhe ishim ne pritje kur te vendosej kjo ndarje per te shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kane ata. Ata erdhen dhe qelluan djalin e madh te parin qe ishte me dokumenta angleze i cili ka ardhur per te investuar dhe punuar. Pastaj qelluan edhe djalin tjeter, djali i dyte i ka qelluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qene ketu por nuk kane ardhur per te folur perderisa kane ardhur me arme tek dera e shtepise. Uroj mos ti ndodh me askujt”, deklaroi ai.

Ora 09:53
U vranë 4 persona në mes të Velipojës, policia shoqëron dhjetëra persona! Po këqyren kamerat e sigurisë

 

Hetimet për ngjarjen tronditëse të orëve të para të mëngjesit të sotëm vazhdojnë me intensitet. Mësohet se policia e Shkodrës ka shoqëruar me dhjetëra persona, përgjithësisht familjarë të palëve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. 

Ndërkohë që po këqyren kamerat e sigurisë.

1624772934_Screenshot1.jpg

Ora 09:44
Dje kishte nisur punë si kamerier në hotel ‘Gocaj’, 20-vjeçari u vra nga plumbat pas përplasjeve me armë në Velipojë

Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç është një prej viktimave të ngjarjes tragjike në Velipoje. 20 vjecari për fatin e tij tragjik kishte dje kishte nisur punë si kamarier në Hotel Gocaj, dhe fatkeqësisht dita e parë e punës e tij do të ishte edhe dita e fundit e jetës për të.

Ai ka qenë aty në momentin kur dy familjet Ferracaku dhe Gocaj janë konfliktuar me armë ndërkohë që si pasojë e plagëve nuk ka mundur të mbijetojë.

Hoteli i familjes Gocaj
Ora 08:03
Mbeti i vrarë pas përplasjeve me armë në Velipojë, kush është 25-vjeçari Xhovan Gocaj

1624774518_Sequence03.00075923.Still010.jpg

Report Tv ka siguruar foto të 25-vjeçarit, Xhovan Gocaj i cili mbeti i vrarë pas përplasjes me armë pak pas mesnate në Velipojë, ku humbën jetën edhe tre të tjerë. I vdekur ka mbetur edhe vëllai i 25-vjeçarit, Edmond Gocaj.

Përplasja ndodhi mes dy familjeve Ferracaku dhe Gocaj, të cilët janë pronarë të dy hoteleve në Velipojë, që janë vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit. Shkak për përplasjen men armë është bërë zaptimi për hapësirën e rërës për të vendosur shezlongët dhe çadrat.

1624800132_page.jpg

1624817204_page.jpg

Ora 07:58
VIDEO/ 'Krisma gjithë natën, ky është tmerr', turisti largohet nga hoteli në Velipojë: Erdhëm për qejf

 

I tmerruar nga ajo që ka parë mbrëmë në Velipojë, ky turist nga Kosova, së bashku me bashkëshorten e tij kanë vendosur ta lënë dhomën e  hotelit që kishin prenotuar për të ikur. Në një prononcim për media kryefamiljari tregon tmerrin e përjetuar.

"Kena ardh për qejf. Tërë natën duke krisma, kallashi. Ky është tmer! Kallashi gjithë natën. Jam prej Podujevës në Kosovë", tha ai.

 

Ora 07:34
Në një rrugicë mes hotelesh në Velipojë, Report Tv siguron pamje nga vendngjarje ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën 2 vetë

 

Në një rrugicë mes hoteleve në plazhin e Velipojës mbrëmë humbën jetën 4 persona, mes tyre edhe vetëm një 20-vjeçar punonjës shezlongësh. Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, i cili mbrëmë ishte i mbuluar totalisht me punonjës policie. Ngjarja ka tronditur jo vetëm vendasit por edhe turistët, duke ia dëmtuar kështu imazhin vendit në këtë sezon turistik.

Pamje nga vendi i ngjarjes
Ora 07:29
4 të vrarë në Shkodër, flet drejtori i i Policisë: Shkak ndarja e pronësisë për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve! Janë përdorur më shumë se një armë

Drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj ka dhënë detaje në lidhje me përplasjen me armë pak pas mesnate, në Velipojë ku mbetën të vrarë katër persona dhe dy të plagosur.

Brahimaj dhe se ngjarja ka ndodhur para ambienteve të hotel ‘Gocaj’ dhe përplasja ka nodhur për shkak të ndarjes së pronësisë mbi ambientet ose mbi sipërfaqet e rërës që shfrytëzohen për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve. Brahimaj tha më tej se janë përdorur më shumë se një armë.

‘Rreth orë 00.30 minuta në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet të  jashtëm të hotel Gocaj ku për shkak të konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta. Motive të dobëta, duhet të them për shkak të ndarjes së pronësisë mbi ambientet ose mbi sipërfaqet e rërës që shfrytëzohen për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve.

Si rezultat ka gjetur vdekjen Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, dhe 2 anëtare të familje Gocaj, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç. I vdekur ka mbetur edhe Musaen Zeneli 20 -vjeç punonjësi i shezlongëve, vetëm 20 vjeç. I plagosur në ngjarjen e rëndë ka mbetur Hasan Ferracaku 54-vjeç, si dhe Elmilind Dyli 17-vjeç.

Policia ka marrë masa dhe ka mbërritur në vendngjarje. Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë. Një pistoletë është sekuestruar. Janë sekuestruar një numër kamerash sigurie. Shumë shpejt do të ketë persona të arrestuar.’- tha Brahimaj.

Ora 07:20
E gjithë ngjarja mafioze/ Mbrëmë iu vra babai, kush është Arjan Ferracaku, i ekzekutuar 3 vite më parë! Biznesmeni po kalëronte kur drejt tij u qëllua 24 herë

 

Kujtim Ferracak, i vrarë mbrëmë 50 metra larg hotelit të tij në Velipojë, në shtator të vitit 2018 ka humbur djalin e tij nga një atentat. Ne shtator të vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku mbi kalë në Shkodër, tronditi jo pak të gjithë kryeqendrën e veriut në atë periudhë. Dy persona qëlluan me automatik. Vetëm tre ditë pas kësaj ngjarje policia dhe RENEA ndërmorën një aksion në dy lagje në Shkodër, duke arrestuar katër persona në Dobraç, të cilët janë duke u verifikuar mbi gjurmët e gishtave. Por njëherësh gjatë kësaj kohe prokuroria e Shkodrës ka administruar dhe aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të viktimës Ferracaku, ku evidentohet se biznesmeni që zotëronte një hotel në Velipojë dhe një restorant në Shkodër është prekur nga katër plumba automatiku. Sipas aktit të ekspertimit aktorët kanë qëlluar plot 24 herë, por vetëm katër plumba kanë prekur trupin e viktimës. Për shkak të largësisë jo të madhe, tre nga nga katër plumbat kanë qënë tejshpues duke i shkaktuar 7 plagë gjithsej në trup të riut, dhe për pasojë i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme të tij. Babai i dy fëmijëve të mitur, biznesmen i njohur në Shkodër dhe Velipojë është vrarë me breshëri kallashnikovi teksa po kalëronte me dy miqtë e tij. Policia e këtij qyteti ka përqëndruar hetimet e saj në disa anëtarë të grupeve kriminale që veprojnë në Shkodër, pasi dyshohet se vrasja lidhet me gjobat financiare që mund ti jenë vendosur këtij biznesmeni. Policia ka dalë në këtë konkluzjon pasi, viktima nuk njihej si person me precedentë penalë apo që të jetë përplasur me grupet kriminale, por ka shumë gjasa se vrasja e tij mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të gjobave financiare, pasi 30-vjeçari dhe babai i tij Kujtim Ferracaku, gëzojnë biznese të shumta në Shkodër. Për më tepër familja Ferracaku njihet në Shkodër me reputacion të mirë, dhe jo konfliktualë. Një ditë pas vrasjes së 30-vjeçarit, në Shkodër ishte planifikuar të bëhej një aktivitet sportiv lidhur me garat me kuaj, dhe për këtë qëllim 30-vjeçari Arjan Ferracaku, kishte dalë të kalëronte së bashku me dy shokë të tij. Por teksa vraponin mbi kuaj, një breshëri kallashnikovi i ka marë jetën babait të dy fëmijëve. Ferracaku njihet si biznesmen dhe pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë dhe restorantit “Zus” që ndodhet sa kalon urën e Bunës në Shkodër. Zona ku ka ndodhur krimi, njihet nga policia si vendi ku shpesh herë atentatorët kanë djegur makinat, menjëherë pasi kanë qëlluar objektivat e tyre. Arjan Ferracaku rezulton të jetë djali, i një prej biznesmenëve më të njohur në zonën e Shkodrës, pasi administron biznese plastike dhe duralumini.

Ora 07:07
Bilanc lufte në Velipojë, kush janë viktimat dhe të plagosurit, mes tyre dhe një 20-vjeçar, kamarier në hotel 'Gocaj'

Report Tv ka zbardhur emrat e viktimave dhe të plagosurve pas një përplasje me armë mes 2 familjeve, Ferracaku dhe Gocaj në Velipojë, pronarë të dy hoteleve.

Viktimat janë Kujtim Ferracaku, 59 vjeç dhe 2 anëtare të familje Gocaj, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç. I vdekur ka mbetur edhe Myzerim Zeneli, kamarier në hotel 'Gocaj' vetëm 20 vjeç.

I plagosur në ngjarjen e rëndë është edhe i vëllai i Kujtim Ferracakut, Hasan Ferracaku 54-vjeç, si dhe Elmilind Dyli 17-vjeç, ky i fundit djali i vajzës së Kujtim Ferracakut. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut vrarë në atentat të ndodhur ne vitin 2018. Palët dyshohet se u konfliktuan mesditën e djeshme për shezlongët.