Krijimi i fondacionit për artizanatin shqiptar, një strukturë që synon të certifikojë produktet autentike “Made in Albania” është nisma më e re, që pritet të marrë jetë në vend e që synon të shërbejë si urë mes traditës dhe zhvillimit ekonomik lokal, duke krijuar më shumë mundësi për mjeshtrit e dorës dhe për të rinjtë që duan të angazhohen në fushën e artizanatit.
Kjo nismë, pjesë e një vizioni më të gjerë që kombinon tregimtarinë dhe artizanatin si dy forma të rëndësishme të trashëgimisë jomateriale shqiptare, duke i kthyer në burim të qëndrueshëm zhvillimi për turizmin kulturor, është prezantuar nga zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, gjatë tryezës së diskutimit “Tregimtaria në trashëgiminë jomateriale”, në kuadër të projektit europian “Heritage is Our Brand”, të zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub, me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Pipa, theksoi se një fondacion i tillë do të garantojë cilësinë dhe origjinalitetin e artizanatit vendas, duke i dhënë çdo produkti një vlerë të shtuar për tregun turistik dhe kulturor.
“Ky fondacion do të ndihmojë në certifikimin e produkteve të artizanëve tanë, në mënyrë që çdo turist të marrë me vete një suvenir të vërtetë Made in Albania. Njëkohësisht, ai do të ruajë dhe promovojë traditën tonë artizanale si pjesë e trashëgimisë shpirtërore.”, tha zv. ministrja.
Botimi i 40 historive të trashëgimisë jomateriale
Në tryezë u prezantua botimi me 40 histori unike të projektit “Heritage is our brand”, që ka të bëjë tregimtarinë në trashëgiminë jomateriale. Ky studim i kryer nga një grup eskspertësh shqiptarë, historianë dhe arkeologë solli në një formë të patreguar më parë 40 histori të trashëgimisë shpirtërore, duke nisur që nga mitologjia, antikiteti, mesjeta, periudha moderne si dhe rituale dhe tradita. Histori që nga Mbretëresha e Deteve, Teuta, te mbreti Gent dhe lulja çudibërëse, vera ilire Baliska, Via Egnatia dhe Maximus, histori të tilla të mbijetesës së shqiptarëve, si: Legjenda e Grykës së Vajës, apo rituale si Beja mbi Gur, Udha e Krushqve, e shumë e shumë histori të tjera, kanë ardhur me një formë të thjeshtuar tregtimarie për gjithë brezat, në dy gjuhë. Çdo histori ka dhe kontekstin historik dhe mesazhin në ditet e sotme, për t’i bërë këto vlera të shqiptarëve në shekuj më aktuale dhe për t’i ruajtur sot e kësaj dite. Botimi u përgatit nga ekspertët: Marenglen Kasmi, Belisa Muka dhe Andi Pinari.
40 historitë janë hedhur dhe në platformën albaniaheritage.com, për tu lexuar nga të gjithë dhe bazuar në to u thirrën projekt- propozime për grante nga projekti. Nga 238 aplikime, krijimtari e jashtëzakonshme në shumë zhanre, dokumentarë, instalacione, filma të animuar, e shumë ide të tjera, do të përzgjidhen vetëm 15 fitues. Këto produkte artistike që do t’i shtohen së shpejti skenës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, symohet të rrisin ndërgjegjësimin për historinë tonë, vlerat e shqiptarëve dhe trashëgiminë tonë të përcjellë në shekuj.
Projekti ka nisur që në janar të këtij viti fillimisht me një pyetësor për të rinjtë shqiptarë brenda vendit por dhe në diasporë, lidhur me njohuritë e tyre për trashëgiminë jomateriale, cfarë dinë, nga e kanë mësuar, çfarë kanë marrë në shkollë, në familje, a ruajnë kostume, objekte dhe a dinë histori e legjenda për zonën e tyre. Pyetësori tregoi se shumica e të rinjve e duan vendin, duan të mësojnë më shumë, por pak mësojnë në shkolla dhe më shumë informacion për trashëgiminë shpirtërore kanë marrë në familje. Sipas organizatorëve dhe ekspertëve në tryezë, kjo është një urgjencë kombëtare që trashëgimia jonë e pasur duhet të mësohet në radhë në shkolla.
Onuzi: Nevojitet muze etnografik!
E ftuar në tryezë ishte edhe një nga etnografet më të njohura në Shqipëri, Afërdita Onuzi, e cila rreshtoi fondin e madh të trashëgimisë shpirtërore në Institutin e Antropologjisë, mijëra faqe me përralla, legjenda, histori të cilat presin të shfletohen, dixhitalizohen, promovohen.
Sipas saj, 1% e këtij fondi njihet nga publiku ndërsa nevojitet sa më parë një Muze Etnografik i Shqipërisë, por dhe i Tiranës.
Elenita Roshi, Drejtore e Muzeut Historik Kombëtar foli për narrativën në Muzeume, pse është i rëndësishëm komunikimi muzeal me publikun dhe fëmijët. Ajo foli për risitë në projektin e rikonstruktimit të Muzeut Historik Kombëtar dhe për sfidat aktuale në muzeologjinë shqiptare, vecanërisht për gjendjen e mjerë ku ndodhen sot muzeumet në gjithë vendin dhe nevojën urgjente për përmirësimin e narrativës në muzeumet aktuale.
I pranishëm në tryezë ishte dhe përfaqësuesi i Delegacionit të BE në Shqipëri, Andrea Ferrero, i cili mbështeti punën e projektit, dhe rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore dhe tregtimtarisë që përcillet në breza. Ky projekt dyvjeçar ka synim të rrisë ndërgjegjen kombëtare dhe të edukojë kryesisht brezat e rinj me ruajtjen e trashëgimisë jomateriale ose shpirtërore.
Komente












