Një protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mbahet sot para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Nën moton “Gjuha shqipe është e drejtë, jo privilegj”, organizatorët kanë ftuar qytetarët t’i bashkohen tubimit për të mbështetur kërkesat e studentëve shqiptarë për respektimin e të drejtave gjuhësore.
Protesta vjen pas reagimeve të vazhdueshme të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Ata argumentojnë se studimet i kryejnë në shqip dhe se kjo e drejtë u garantohet me ligj.
Më herët, studentët kanë organizuar disa protesta në Shkup dhe Tiranë, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen derisa kërkesa e tyre të marrë zgjidhje. Përmes një peticioni, rreth 400 studentë nga tre fakultete juridike në vend kanë kërkuar zyrtarisht që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Komente







