Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Vlorës, ku një 42-vjeçare me inicialet E. L., me profesion mësuese, ka denoncuar se është dhunuar nga fqinji i prindërve të saj.

Ngjarja ka ndodhur pak orë më parë në zonën e Skelës. Sipas dëshmisë së saj, fillimisht është ofenduar dhe më pas është sulmuar fizikisht, duke arritur të shpëtojë dhe të kërkojë ndihmën e policisë.

E dhunuara ka deklaruar se konflikti ka ndodhur pa asnjë shkak të mëparshëm dhe se autori është banor në të njëjtin pallat me prindërit e saj.

“Sot rreth orës 13:00–13:30, duke shkuar për në shtëpi, më del përpara një person i veshur me rroba të zeza, me kapuç që i mbulonte pjesërisht fytyrën. Më shtrëngon prej fyti dhe më shan pa asnjë arsye. Me këtë person nuk kam pasur kurrë konflikt. Në moment kam njoftuar policinë dhe, e frikësuar, jam drejtuar në banesën e prindërve të mi. Por ai më ka ndjekur dhe më ka dhunuar sërish, duke më kapur fort nga fyti. Në përpjekje për t’u larguar, më qëlloi në dorë, më mori telefonin dhe e theu që të mos mund të telefonoja askënd”, ka rrëfyer ajo.