Ishte ditë si gjithë të tjerat, ai u nis për në gjykatë e Valbona tek mjeku për kontroll rutinë. Kështu e nis rrëfimin e saj në podkastin "Zë me Mirën" të gazetares Mira Kazhani, Valbona Kalaja, bashkëshortja e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje me 3 plumba në sallën e Gjykatës së Apelit.
Ndërsa Valbona atë ditë të hëne e priste në shtëpi për t’i treguar për këpucët e reja që kishte blerë pasi eko i kishte dalë me sukses, Astriti ndërroi jetë. Askush prej miqve e kolegëve nuk guxoi t’ia jepte lajmin, të gjithë e telefonuan, por përfunduan duke i mbyllur telefonin. Derisa të dëgjonte fjalinë “kanë vrarë një gjyqtar” nga taksisti që po e dërgonte për në spital, Valbona dinte vetëm që bashkëshorti i saj ishte plagosur.
E çuditshme për të, ishte sesi sot asgjë nuk i duket më e zakonshme nga ajo e hënë. Me lot në sy Valbona tregon sesi momentin e fundit kur u ndanë, Astriti kishte një qasje ndryshe, tregon për kafen e fundit e sesi e përcolli për në punë.
“Atë ditë isha pushim dhe gjithë ditën e kisha vizita nëpër mjekë. Kisha një javë që kisha një bindje të brendshme që do të kisha një problem me gjirin. Atë ditë ia shfaqa. Po nuk paska qenë për mua ajo bindje. Ne pinim kafen e mëngjesit bashkë. Kemi pasur një marrëdhënie që dhe kur e përcjellja.. atë ditë u kthye karshi meje i rregullova vetullat që të shkonte si i bukur në punë. Kur u ndamë, kishte një çantë të madhe që e mbante me dosje, mos shko me biçikletë. Eko më doli mirë deri kur më ra telefoni në 15:38. Prisja të vinte ai në shtëpi që ti tregoja se kam blerë këto këpucët se më doli ekoja mirë.
Më vjen një mesazh “Valbonë si je?’ një koleg në punë. Në atë moment më merr dhe një tjetër koleg. Të gjithë e kishin marrë vesh, unë jo. Askush nuk ma tha në telefon. E mora Astritin dhe nuk ma hapi. Një koleg i Astritit më tha që është plagosur. Mora taksi dhe taksisti po i thonte nipit që kanë vrarë një gjyqtar”, rrëfen Valbona Kalaja në podkastin për Mira Kazhanin.
Mbrëmjen e 5 tetorit, Valbonës i është fiksuar një dosje e madhe që Astriti kishte në duar. Nuk është e sigurt nëse është ajo që u bë shkak për t’i marrë dhe jetën, por tregon se lëshoi pluhur kur Astriti e mbylli për ta futur në çantë.
“Kishte një çantë të madhe që e mbante me dosje, kurrë nuk do ta harroj atë dosje. Zakonisht dosjet civile janë të trasha, dhe kjo ishte e fundit që mbylli. Ndoshta s’ka qenë kjo dosje dhe kur e mbylli, dosja lëshoi dhe si pluhur vetë”, tha Valbona Kalaja.
Astrit Kalaja ishte ndër ata gjyqtarë, që nuk janë shumë, të cilët arritën të kalonin vetingun. Atëherë shumë të lumtur, por sot Valbona do të dëshironte që Astriti të mos ishte më në detyrë, me dëshirën për të qenë akoma në jetë.
Ndarja nga jeta e Astrit Kalasë ka lënë një boshllëk të madh në jetën e 3 fëmijëve. Vetë Valbona nuk e pranon ikjen e tij, ajo jeton sikur çdo moment ka Astritin pranë./ Intervista e marrë nga "Zë me Mirën Podcast"
Komente










