Në Britaninë e Madhe ka 45 ditë që bie shi pa pushim. Që nga Viti i Ri, çdo mëngjes nis me shi, e çdo mbrëmje mbyllet me shi.
Edhe “Financial Times” e përshkroi situatën si “biblike, por edhe apokaliptike”. Në Londër, rrugët plot gropa janë kthyer në pellgje që duken si liqene.
Në fshatra situata me reshjet e shiut është edhe më keq. Lumi Tamiz ka dalë nga shtrati në disa segmente, tokat janë nën ujë dhe bagëtitë nuk mund të dalin për kullotë.
Fermerët janë të alarmuar. Uji nuk ka kursyer as VIP-at. Në Oxfordshire, vilat luksoze janë përmbytur, përfshirë edhe shtëpinë e George Clooney. Aktori dhe bashkëshortja e tij Amal janë zhvendosur në Francë, ndërsa kopshtet dhe fushat e tenisit të “Mill House”, të blerë në 2014 për 10 milionë paund, janë nën ujë.
Shërbimi meteorologjik britanik lëshon çdo ditë dhjetëra alarme për përmbytje. Parashikimet duken si buletine lufte. Për 7-10 ditët e ardhshme nuk pritet asnjë pushim. Vetëm të shtunën, për disa orë, doli dielli në Londër. Ishte Shën Valentini.
Disa dolën me sandale, edhe pse temperatura ishte vetëm 1 gradë mbi zero. Sepse tani shiut i është shtuar edhe i ftohti: një rrymë arktike ka sjellë ngrica dhe rrezik akulli.
Situata është veçanërisht kritike në Devon dhe Cornwall, ndërsa në Aberdeen, Skoci, për 21 ditë rresht nuk është parë asnjë rreze dielli. Në shumë zona, fenomene të tilla nuk mbahen mend.
Meteorologët thonë se shkaku është një presion i lartë mbi Skandinavi që mban të bllokuar një zonë me presion të ulët mbi ishujt britanikë. Askush nuk e thotë me siguri, por shumë dyshojnë për ndryshimet klimatike. Verat janë bërë më të nxehta, shpesh mbi 30 gradë, ndërsa dimrat po kthehen në një rrjedhë të pandërprerë uji.
Dhe ndërsa britanikët janë mësuar të ankohen për motin, këtë herë ankesa duket e justifikuar. 45 ditë shi pa pushim nuk janë më thjesht “kapriço angleze”, por një realitet që po përmbyt toka, qytete dhe durimin e njerëzve./CorrieredellaSera
Komente










