Shoqata e pëllumbave të qarkut të Korçë vazhdon të forcojë traditën dhe pasionin për garat e pëllumbave sportivë, një aktivitet që prej vitesh po fiton gjithnjë e më shumë përhapje në rang kombëtar.

Gara e radhës e pëllumbave sportivë nis nga Prishtina, ku qindra pëllumba nga i gjithë qarku i Korçë por edhe i qyteteve të tjera të Shqipërisë do të garojnë këtë të dielë.

Distanca prej rreth 240 kilometrash përshkohet brenda një kohe optimale prej 2 orë e 30 minutash, ndërsa performanca e tyre sipas kreut të shoqatës së pëllumbave monitorohet përmes një sistemi modern me çipa identifikues që regjistrojnë mbërritjen në kohë reale.

Në këtë garë marrin pjesë rreth 450 pëllumba nga qarku i Korçës, në kuadër të një kampionati që zhvillohet në disa etapa gara të shkurtra, të mesme dhe të gjata.

Olgert Kafazi, , kreu i shoqatës së pllumbave të qarkut Korçë, thekson se organizata, e themeluar në vitin 2003, vijon të mbajë gjallë këtë traditë falë përkushtimit të brezave ndër vite.

“Kjo shoqatë është krijuar në vitin 2003. Kam 16 vjet që bëjmë gara pëllumbash, por në 4 vitet e fundit e kemi kaluar në rang Shqipërie ku marrin pjesë nga Vlora, Tirana, Korça, Berati, etj.  Garat ndahet në tre etapa, të distancave të shkurtra, të mesme dhe të gjata. Pëllumbat skualifikohen dhe kualifikohen në varësi të programit kompjuterik dhe kodit të unazës së çdo pëllumbi. Afërsisht janë 450 pëllumba që nisen. Kjo është gara e tretë që zhvillojmë që varion nga 230-240 kilometra. Distanca më e gjatë që kemi realizuar deri më sot ka qenë 820 kilometra në Kroaci. Ka qenë rekord që është thyer nga djemtë e Maliqit.” tha Olgert Kafazi. 

Megjithatë ata përballen me një sërë sfidash, që nga procedurat kufitare deri te rreziku nga gjuetarët, të cilët shpesh dëmtojnë pëllumbat gjatë fluturimit.

“Problematikat janë të shumta. Shteti nuk na ka favorizuar për sa I përket dergesave. Problemi më O madh është pjesa e gjahtarëve. Pëllumbin e lëshon dhe nuk e dimë a vjen. Pëllumbat na kanë ardhur me saçme në trup. Është gjynah. Ne I presim me shumë dashuri se I kemi rritur që të vegjël. Gjahtarët të bëjnë kujdes” thotë ai.

Pjesëmarrës të tjerë me eksperiencë, si Seladin Mema, i cili merret prej dekadash me këtë pasion, dhe Sotiraq Vesho nga Pogradec, theksojnë rëndësinë e përkushtimit dhe stërvitjes së vazhdueshme. Ata vënë në dukje se interesi i të rinjve po rritet, ndërsa synimi mbetet ulja e kostove dhe zgjerimi i mëtejshëm i këtij sporti.

“Me pëllumbat jam marrë që fëmijë. Kam 60 vjet që merrem. I kam pasion, i trajtoj siç duhet. Gara është adrenalinë e paparë” thotë Mema.

Garat e pëllumbave sportivë po konsolidohen si një traditë e rëndësishme që bashkon komunitete dhe promovon një kulturë të veçantë sportive në Shqipëri.