Një 46-vjeçare shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi u përplas nga një kamion teksa lëvizte me biçikletë drejt punës. Viktima është identifikuar nga mediat italiane si Amila Kurçani,ndërsa aksidenti ndodhi mëngjesin e 29 prillit në Bolzano, përgjatë rrugës “Via Vittorio Veneto”.

Sipas mediave italiane, gruaja po pedalonte drejt spitalit kur u godit nga një kamion që lëvizte në të njëjtin drejtim. Pas përplasjes, ajo u tërhoq zvarrë për disa metra nga mjeti.

E para që i erdhi në ndihmë ishte një mjeke që ndodhej rastësisht në vendngjarje, e cila tentoi ta mbante në jetë deri në mbërritjen e ambulancës, por pa sukses. Alarmi në numrin e emergjencës 112 u dha rreth orës 08:10. Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe policia lokale, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Autoritetet po verifikojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të përcaktuar përgjegjësitë.

Ndërkohë, ndaj drejtuesit të kamionit pritet të hapet një procedim penal për “vrasje nga pakujdesia në rrugë”. Amila Kurçani lë pas një vajzë 20-vjeçare dhe prindërit, për të cilët kujdesej.

Që prej vitit 2011, Amila Kurçani punonte në enotekën “Banco 11” në sheshin qendror të Bolzano, fillimisht si pastruese dhe më pas pas banakut. Turni i saj atë ditë duhej të niste në orën 11:00, por ajo nuk arriti kurrë. “Gjysmë ore më parë na telefonoi motra e saj për të na dhënë lajmin e tragjedisë”, tregojnë pronarja Birgitta Puustinen dhe bashkëshorti i saj, Roberto Bernardi. “Për ne është një dhimbje e madhe”.

Sipas tyre, Amila nuk ishte thjesht punonjëse. “Ishte pjesë e familjes. Një njeri i mrekullueshëm, i thjeshtë, gjithmonë e përpiktë dhe e gatshme të ndihmonte për çdo gjë. Kur largoheshim nga qyteti, kujdesej për pesë macet tona. I donte shumë dhe edhe ato e donin atë. Zakonisht nuk afrohen me njerëzit, por me të ishte ndryshe, sepse ndjenin që ishte e veçantë”.

Vetëm një javë më parë kishte festuar 46-vjetorin me vajzën dhe motrën. Kishin rezervuar një qëndrim në një hotel me spa në Laives dhe më pas kishte sjellë tortën në punë për të festuar edhe me kolegët. “Jemi pa fjalë”, thonë ata.

Kurçani ishte shumë e vlerësuar edhe nga bizneset e tjera në zonë. Christina Ratschiller nga furra “Franziskaner” e kujton si një person “të gëzuar dhe plot dritë”. “Vinte ndonjëherë të merrte bukë për vajzën. Më vjen shumë keq”, shprehet ajo.

Ngushëllime ka shprehur edhe komuniteti shqiptar në Bolzano. Tritan Myftiu, këshilltar komunal, bëri të ditur se shoqata pan-shqiptare “Arberia” ka vënë në dispozicion ambientet e saj për familjen e viktimës. Ndërkohë, aksidenti ka ndezur debate politike për sigurinë në atë segment rrugor, në zonën ku përfundon pista e biçikletave në “Via Vittorio Veneto”.

Pas aksidentit, këshilltari bashkiak  i partisë t të të Gjelbërve, Rudi Benedikter, e përshkroi ngjarjen si një “çmim tragjik në jetë njerëzish për shkak të mungesës së kontrollit të trafikut”. Ai gjithashtu kërkoi ndalimin e qarkullimit të kamionëve në oraret e pikut. Edhe Stefano Fattor, këshilltar i Partisë Demokratike italiane, kritikoi vonesat në projektet për lehtësimin e trafikut, duke theksuar se mungesa e tyre po rrit rrezikun për qytetarët.