PRISHTINE, 26 nentor/ATSH/. - 472 mijë euro i ka ofruar Austria përkrahje financiare për Iniciativën trevjeçare për Avancimin e të Drejtave të Grave. Iniciativa për Avancimin e të Drejtave të Grave është paraparë të fillojë me 15 dhjetor 2014 dhe të zgjasë deri me 31 dhjetor 2017, ben te ditur KosovaPress.
Qëllimi i projektit është të përmirësojë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) të udhëhequra nga gratë dhe të zyrtarëve publik në përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave. Nëpërmjet kësaj iniciative, RrGGK do të arrijë që OSHC-të e udhëhequra nga gratë do të formojnë koalicione dhe do të bashkëpunojnë në koalicione, duke punuar me zyrtarët në avokim drejt mbrojtjes së të drejtave të grave.
Që pjesëmarrja e grave në politikë dhe vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror do të rritet dhe përmirësohet, bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore. Pastaj që vetëdijesimi dhe vëmendja lidhur me adresimin e dhunës në baza gjinore në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve do të përmirësohet. RrGGK do të arrijë këto qëllime përmes punëtorive interaktive dhe mentorimit individual për organizatat e saj anëtare dhe zyrtarët publik (përfshirë edhe institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor); duke ndarë në mënyrë transparente së paku 29 grante tek OSHC-të e udhëhequra nga gratë në shumë totale prej 122,000EUR; rrjetëzimit; ngritjes së vetëdijes; hulumtimit; dhe avokimit.
Austrian Development Agency (ADA) dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) të enjten publikojnë vazhdimin e bashkëpunimit të tyre edhe për tre vite të tjera përmes "Iniciativës për Avancimin e të Drejtave të Grave". Konferenca për shtyp dhe nënshkrimi zyrtar i kontratës do të bëhet nga Karlheinz Kopf, Zëvendës President i Parlamentit të Austrisë. Personat e tjerë që do të mbajnë fjalime janë Christian Geosits, Udhëheqës i Zyrës së Austrian Development Agency në Kosovë; Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës; dhe Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës. /a.ke/