5 dosjet që rrezikojnë të ‘fundosin’ Besim Hajdarmatajn, sajoi gjithnjë një alibi për t’i mbyllur! Lidhja me kapon e bixhozit dhe përplasja me Theo Jacobs! Vendimi në 29 korrik

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë përfundimisht në datën 29 korrik 2021 për fatin e prokurorit të Tiranës, Besim Hajdarmataj. Vendimi për shkarkimin ose konfirmimin në detyrë të prokurorit të dosjeve të ‘nxehta’, të cilat kanë përfshirë në polemika kampet politike të Tiranës, do të merret nga trupa gjykuese e përbërë nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari, Ina Rama, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo. Besim Hajdarmataj arriti të kalonte shkallën e parë të Vetingut në mënyrë të diskutueshme në 16 tetor 2019. Por, Vendimi u kundërshtua nga përfaqësuesit e SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët në 4 dhjetor 2019, përmes një raporti të detajuar, i rekomanduan Komisionerit Publik që ankimonte vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar shkarkimin nga detyra të Besim Hajdarmatajt.

Dhe ashtu ndodhi. Në 20 dhjetor 2019, Komisioneri Publik Darjel Sina pranoi rekomandimin e ONM-së, duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të Hajdarmatajt, kryesisht për mbylljen e dosjeve të drogës dhe bixhozit. Procesi gjyqësor për çështjen e ish-kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, përfundoi ditën e djeshme në Kolegjin e Apelimit. Në seancën e fundit, Komisioneri Publik, Darjel Sina, paraqiti këtë dokument me konkluzione të siguruar nga Raport Tv, përmes të cilit i qëndron kërkesës për shkarkimin e Hajdarmatajt nga detyra, me argumentin se ka mbyllur 5 dosje droge dhe bixhozi në mënyrë të dyshimtë dhe në konflikt interesi, se nuk justifikon një pjesë të pasurisë dhe se në tërësi ka cënuar besimin e publikut nga drejtësia. Hajdarmatajt akuzohet edhe për miqësi dhe udhëtime me avion me një personazh të botës së krimit, pjesë e biznesit të bixhozit, të cilit i ka mbyllur një nga dosjet.

“Nga shqyrtimi dhe debati gjyqësor i fakteve dhe i rrethanave të rezultuara nga vlerësimi i pesë (5) çështjeve penale, rezultoi se subjekti i rivlerësimit, herë në cilësinë e prokurorit të ngarkuar për përfaqësimin e ndjekjes penale, e herë në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë, paraqet mangësi në aspektin e njohurive ligjore, mangësi në interpretimin dhe zbatimin e drejtë të ligjit material e atij procedural penal, në ndihmë të hetimeve, si dhe në drejtim të ndërmarrjes logjikisht të një hetimi shterues e të plotë penal. Në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë, subjekti i

rivlerësimit ka dështuar të përdorë instrumentet e duhura ligjore në drejtim të përgjegjësisë, rolit mbështetës dhe mbikëqyrës të kompetencave udhëzuese të Drejtuesit të Prokurorisë. Këto mangësi vërehen në më shumë se në një rast, për disa çështje penale, të cilat, për nga natyra e tyre, paraqesin rëndësi dhe ndikim të lart në besimin që duhet të gëzojnë organet e drejtësisë nga ana e publikut.

Subjekti i rivlerësimit nuk provoi që, me të ardhura të ligjshme të tij apo të personave të tjerë të lidhur me të, të mbulojë shpenzimet dhe kursimet e deklaruara në deklaratat periodike vjetore dhe ato të deklaruara gjatë hetimit administrativ, duke mos provuar të kundërtën e shkaqeve të ankimit, për pasuritë në pronësi apo në përdorim të tij... Rrethanat e dala nga procesi i rivlerësimit të subjektit janë të mjaftueshme për të vlerësuar që subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e moscenimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet në raport.

Nga ana e tij, Prokurori Hajdarmataj dhe avokatja e tij Romina Zano kundërshtuan të gjitha konkluzionet e Komisionerit Publik si të pabaza, të padrejta dhe jo proporcionale. Në përfundim, Hajdarmataj kërkoi nga Kolegji i Apelimit që të konfirmohej në detyrë. Por do të jetë Kolegji i Vetingut, i cili do të vendosë nëse Besim Hajdarmataj do të largohet apo do të vijë të shërbejë në drejtësi. Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Pesë dosjet që rrezikojnë Hajdarmatajn
Gjatë procesit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe sidomos në Kolegjin e Apelimit, Besim Hajdarmataj është akuzar për mbylljen në mënyrë të dyshimtë të disa dosjeve të rëndësishme që ka pasur në dorë, duke mos kryer hetime, duke interpretuar gabimisht ligjin, duke shmangur përgjegjësinë etj. Mbyllja e dosjeve përbën edhe bazën e rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e Besim Hajdarmatajt nga detyra. Prokurori Hajdarmatajt, për secilën dosjes, ka gjetur gjithnjë një alibi, për ta mbyllur ose dërguar në një prokurori tjetër.

1. Në vitin 2010, kur Besim Hajdarmatajt drejtonte Prokurorinë e Kurbinit, sipas ONM dhe Komisionerit Publik, ka mbyllur dosjen e një grupi që ushtronte veprimtari në fushën e bixhozit, për shkak se prokurori kishte lidhje dhe miqësi me kokën e grupit. Grupi prej 15 vetash ka ndaluar dhe kërcënuar 5 punonjës të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, duke u marrë me forcë 5 makineri APEX. Për gati 1 vit e 3 muaj, Hajdarmataj nuk ka krye asnjë hetim dhe në fund ka mbyllur dosjen, me arsyetimin se “në rastin konkret, pasi janë bërë hetime, nuk është bërë e mundur të provohet ekzistenca e faktit dhe, për këto arsye, procedimi penal nuk mund të vazhdojë më tej, por çështja duhet të pushohet”. Por, sipas ONM dhe Komisionerit prokurori ka bërë cilësim gabuar në regjistrimin e veprës penale, nuk ka kryer veprime hetimore të mjaftueshme, nuk është pyetur i kallëzuari, nuk ka bërë verifikime për veprimtari të tjera të kokës së grupit, nuk janë verifikuar tabulatet telefonike etj. Jo vetëm kaq, por ONM pretendon se Hajdarmataj kishte lidhje me protagonistin kryesor të dosjes së bixhozit, një personazh me probleme të theksuara ligjore dhe i skeduar për disa vepra penale. Kur është pyetur në lidhje me këtë personazh, Hajdarmataj ka pohuar se “...u sqaroj se me këtë shtetas nuk kam asnjë lidhje, nuk kam ndonjë raport shoqëror dhe nuk kam pasur marrëdhënie familjare apo të tjera, thjesht e njoh si person”. Por, nga hetimi ka rezultuar se prokurori ka shkëmbyer mesazhe me personazhin problematik që i mbylli dosjen, madje kishin udhëtuar bashkë me avion.

2. Sipas ONM dhe Komisionerit, në vitin 2017, kur drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka dërguar për hetim në Prokurorinë e Përmetit dosjen e kapjes së 11 650 kg kanabis në Përmet. Komisioni i Vetingut ka konstatuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kishte kryer një hetim proaktiv për të identifikuar anëtarët e drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, të cilët po drejtonin një operacion shumë të madh të trafikut të lëndës narkotike. Por, sipas KPK-së Hajdarmataj ishte drejtues i prokurorisë dhe si i tillë nuk mund t’i atribuohet kjo shmangie e hetimit. Por, ndryshe nga shkalla e parë e Vetingut, Komisioneri Publik, konkludon se “Për rastin konkret, duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka ushtruar me përgjegjshmëri detyrat e tij funksionale dhe mekanizmat që ligji i ka mundësuar për të mbikëqyrur ecurinë dhe përfundimin e çështjes, nisur dhe nga rëndësia që paraqiste ajo”.

3.  Në vitin 2016, kur drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka transferuar pas dy viteve në Prokurorinë e Shkodrës një dosje të rëndësishme droge. Komisioni i Vetingut i shkallës së parë ka konstatuar se “duke pasur parasysh rëndësinë tepër të madhe të çështjes në fjalë dhe sasinë e madhe të lëndës narkotike të gjetur, duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka përmbushur detyrat e tij mbikëqyrëse, duke toleruar mosveprimin fillestar (që zgjati për dy vjet)...”. Megjithatë, lëvizja e dosjes, sipas KPK-së nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi Hajdarmataj si drejtues. Por, ndryshe mendojnë, ONM dhe Komisioneri Publik. Sipas tyre, për dy vite nuk është kryer asnjë hetim. “Në cilësinë e drejtuesit, subjekti, vetëm pas një viti, ka vendosur të zëvendësojë prokurorin e ngarkuar, me argumentimin që ka konstatuar zvarritje të hetimeve dhe nevojën për ecurinë e tyre, megjithëse, sikurse ka pranuar në parashtrimet e tij para Komisionit, ka qenë i vetëdijshëm për seriozitetin, problematikat dhe rëndësinë e çështjes në hetim. Komisioneri Publik vlerëson se gjetjet e identifikuara, të përsëritura, janë të tilla që mundësojnë vlerësimin mbi kriterin e aftësisë profesionale, në vlerësimin tërësor të çështjes, bazuar në ligjin e zbatueshëm dhe në jurisprudencën e Kolegjit”, thuhet në dosjen e ankimimit.

4. Në vitin 2016, Besim Hajdarmataj ka dërguar për kompetencë hetimore në Prokurorinë e Durrësit një tjetër dosje droge, duke operuar më të njëjtën mënyrë. Komisioni i Vetingut i Shkallës së Parë ka konkluduar se “vendimi për shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e akteve në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës, në 2016, i përpiluar nga drejtuesi i Prokurorisë, z. B. Hajdarmataj, është hartuar nga ana formale në përputhje me ligjin procedural penal”. Por, ndryshe mendon Komisioneri Publik, i cili thotë se “Për nga sasia e drogës së sekuestruar, personave të përfshirë, mangësive të konstatuara, nuk duket bindëse ndryshimi i cilësimit të veprave penale nga ana e subjektit të rivlerësimit. Nuk rezulton që të jenë dokumentuar hetime mbi lëvizjet financiare të të dyshuarve apo të jenë monitoruar telefonatat e tyre, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të implikuar apo të konkludohej nëse rasti kishte karakter ndërkombëtar. Fakti që gjykata dënoi të pandehurit për një vepër penale të një rrezikshmërie më të ulët, si: “Prodhim dhe shitje e bimëve narkotike”, ashtu siç argumenton, ndër të tjera, dhe subjekti, nuk justifikon mungesën e hetimeve nga ana e Prokurorisë, pasi gjykatës nuk iu vu në dispozicion asnjë element apo provë tjetër, në bazë të së cilës ajo mund të vendoste ndryshe”.

5. Në vitin 2013, kur Besim Hajdarmataj drejtonte Prokurorinë e Durrësit, i ka hequr nga duart një dosjes të rëndësishme një prokuroreje, duke e transferuar çështjen në Elbasan, me argumentin se distanca mes Durrësit dhe Elbasanit është më e shkurtër se sa distanca mes Durrësit dhe Elbasanit. Edhe për Komisionin e Vetingut të shkallës së parë, ky argument i prokurorit është i dobët dhe nuk qëndron. Por, KPK-ja ka konkluduar se “se nuk ka kompetencë për të hyrë në themel të çështjes mbi atë që gjykatat më të larta kanë vendosur”. Por ndryshe, kanë arsyetuar ONM dhe Komisioneri Publik, të cilët theksojnë se “Subjekti i rivlerësimit, duke marrë çështjen nga prokurorja e ngarkuar dhe duke ndërmarrë vendimin final të shpalljes së moskompetencës, praktikisht, ka ngarkuar veten si prokuror i çështjes, duke marrë përsipër hetimin dhe të metat e tij. Për më tepër vlen të përmendet se nga subjekti, në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë, nuk rezulton të jetë administruar vendim për zëvendësimin e prokurorit, gjë që bie ndesh dhe me vetë parashikimet ligjore... Arsyetimi i subjektit është i paplotë dhe i paqartë, në drejtim të nevojës që çështja të trajtohej nga ana e tij, në kushtet kur tashmë hetimi kishte filluar dhe prokurorja që kishte përcaktuar ndërkohë dhe hapat e mëtejshëm për ecurinë e tyre. Baza ligjore e referuar nga subjekti në arsyetimin e vendimit për transferimin e çështjes, me atë të dispozitivit, është e ndryshme... Gjithashtu, argumentimi se qytetit i Elbasanit është më afër Tiranës se Durrësi, është jo bindës, i papajtueshëm me rrethanat dhe faktet, pasi në Prokurorinë e Durrësit janë transferuar plot raste të moskompetencës së Prokurorisë së Tiranës me bazë ligjore nenin 78 të K. Pr. Penale. Në mënyrë të pakuptimtë, ky arsyetim aplikohet në fazën përfundimtare të hetimit”.

Përplasja me Theo Jacobs
Vëzhguesi i famshëm ndërkombëtar Theo Jacobs, gjatë seancës së parafundit në Kolegjin e Apelimit, i tha në sy Besim Hajdarmatajt se për çdo dosje të analizuar, ai e hidhe topin tek të tjerët, për të justifikuar mungesën e hetimit, mbylljen apo transferimin e çështjeve në prokurori të tjera, Por, vazhduesi ndërkombëtar the se kjo nuk është në lojë. “Prokurorët kanë qenë nën mbikëqyrjen tuaj dhe nuk u bë asgjë. Ky është një turp! Ju e keni justifikuar me pavarësinë e prokurorëve, por pavarësia është për të kryer punën. Ndërsa ju e përdorni pavarësinë e prokurorëve edhe kur ata nuk bëjnë asgjë. Ju e hidhni topin çdo herë. Kjo nuk është lojë. Sasi me 800 kg apo disa tonë cannabis sativa nuk është lojë. Nëse nuk i keni gjetur dot autorët, duhet t’i kërkonit”, tha Theo Jacobs. Ndërkaq, prokurori Besim Hajdarmatajt i konsideroi pyetjet e Theo Jacobs si komente. Hajdarmataj ka pohuar se nuk ka pasur miqësi me të kallëzuar për çështjen e bixhozit, të cilit i mbylli dosjen. Prokurori ka pohuar se Theo Jacobs dhe Komisioneri nuk kanë data të sistemit TIMS për udhëtimin e tij me këtë person që i mbylli dosjen. Hajdaramataj mbrojti gjithashtu të gjitha veprimet e tij në raport me dosjes e drogës.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Koleksonist sekretaresh: 21/07/2021 15:01

    Hajdarmataj duhet te dali i xhiro nga zyra e shefit te tij mos ky e ka me me nivel sekretaren se sekretarja e tikut elona shehu, ku i dihet hajdar bej nje xhiro si koleksionist sekretaresh qe je bere

    Përgjigju
  • Frengjisht folesi: 20/07/2021 18:16

    Flisni frengjisht? hajdarqypi mezi flet shqip hahaha analfabeti bytycit heq koken po diti ndonje gjuhe te huaj ky morri qe u perdor mire e mire dhe tani u hodh ne rruge

    Përgjigju
  • Magjistrati: 20/07/2021 06:15

    Hajdarleshaj beri show se e dinte fundin e tij te hidhur . Po mbrohet gjoja nga avokatia zano por ne fakt po mbrohet nga rakipi kryemagjistrati qe pergatit te rinjte dhe aty shihni ke do fusi ne shkolle tutori hajdarleshaj!

    Përgjigju
  • Meni: 18/07/2021 05:28

    Keq po më vjen për ty,por çfar do mbjellish, do korrish.

    Përgjigju
  • landi: 17/07/2021 19:37

    Pse vetem ky esh i Saliut? Ka te tjere ofiqare.

    Përgjigju
  • Agjenti: 17/07/2021 18:40

    E hengre o prokurori Saliut. Nuk del dot me i zgjuar se nderkombetaret ti se je mesuar me syleshet shqiptar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë