TIRANË- Pesë janë kandidatët që kanë aplikuar për tu bërë pjesë e garës për Prokuror të Përgjithshëm. Pasi të analizojë nëse kandidatët plotësojnë kriteret, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të rendisë tre kandidatët më të kualifikuar, listë e cila i dërgohet për votim Kuvendit të Shqipërisë.
***
Arta Marku u zgjodh prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në dhjetor të 2017-ës, deri në 2029-ën, kur Kuvendi zgjodhi Olsjan Çelën me mandat të plotë. Detyra e tij 7-vjeçare në krye të Prokurorisë së Përgjithshme mbyllet në dhjetor të këtij viti, pa të drejtë emërimi dhe mes kandidatëve që synojnë ta pasojnë, është edhe vetë Arta Marku, aktualisht prokurore e Apelit në Tiranë.
Thirrjes publike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë iu përgjigjën edhe 4 kandidatë të tjerë. I sfiduar me garat, pas dy përballjeve për kreun e SPAK, prokurori i Posaçëm Adnan Xholi garon edhe për prokuror të Përgjithshëm. Aplikimin e ka dorëzuar edhe prokurori i Tiranës Ylli Pjetërnikaj, Rovena Zoto, gjithashtu prokurore e Tiranës dhe Fatjona Memçja, prokurore në Eurojust.
Ndërkohë, siç Report Tv mësoi Kreshnik Ajazi kreu i prokurorisë së Elbasanit aplikoi fillimisht në KLP, por më tej u tërhoq nga gara.
Afati i fundit i aplikimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ishte 1 gushti, por duke qenë se ishte e shtunë, aplikime priten edhe këtë të hënë.
Kandidatët paraqesin platformën e tyre, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar me pikë dhe më tej lista me tre emrat i dërgohet Kuvendit ku duhet të marrë 3/5 e votave të deputetëve.
Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e kandidatëve, emri i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar automatikisht. Kjo procedurë u vendos nga reforma në drejtësi për të rritur pavarësinë e Prokurorisë dhe për të kufizuar ndikimin politik në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm.











Komente
Komento