Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka një drejtuese të re.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur të martën se në krye të këtij institucioni është emëruar Arta Marku, e cila zëvendëon Esmeralda Bardhylin.

Marku vjen në këtë detyrë me një përvojë të gjatë në gazetari dhe në fushën e librit. Ajo e ka nisur karrierën në vitin 1993 në gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në media si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë e fokusuar te letërsia dhe kritika letrare.

Prej vitesh ka qenë pjesë aktive e jetës kulturore në vend, duke drejtuar revista të njohura dhe duke sjellë për publikun emisione si “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana.

Përmes nismave letrare dhe takimeve me të rinjtë, ajo ka kontribuar në promovimin e leximit dhe afrimin e librit me publikun.

Marku është gjithashtu autore dhe përkthyese, ndërsa në këtë detyrë pritet të sjellë një vizion të ri për zhvillimin e librit dhe leximit në vend.

Në postimin e tij, ministri Gonxhja ka falënderuar edhe ish-drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për kontributin e saj ndër vite në këtë institucion.

"E angazhuar vazhdimisht në promovimin e leximit, ajo ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranës, si dhe ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare. Autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, Arta Marku sjell në këtë detyrë një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri. Një falënderim i veçantë shkon për ish drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për punën dhe kontributin e saj të vyer ndër vite në këtë institucion" shkruan Gonxhja

Ndërkohë, pas gjashtë vitesh në krye të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Bardhyli postoi në rrjete sociale falenderime dhe mirënjohje për ekipin e bashkëpunuesve, me besimin se libri dhe leximi do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes publike. Duke i uruar 'suksese' drejtueses së re, Bardhyli shprehet se angazhimi i saj në fushën e kulturës do të vijojë. 

"Së bashku me një ekip të përkushtuar dhe në bashkëpunim me autorë, botues, përkthyes e aktorë të tjerë të fushës, kemi punuar për të ndërtuar dhe zbatuar politika që mbështesin krijimtarinë, nxisin leximin dhe e bëjnë librin më të aksesueshëm për të gjithë. Janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të një ekosistemi më të qëndrueshëm të librit në Shqipëri. Sigurisht, mbetet ende shumë për t’u bërë. Politikat për librin kërkojnë vazhdimësi, vëmendje dhe mbështetje të qëndrueshme institucionale, në mënyrë që të japin ndikimin e tyre afatgjatë në shoqëri. Largohem me bindjen se puna e nisur do të vijojë dhe do të thellohet më tej, dhe me besimin se libri dhe leximi do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes publike. Falenderoj Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve Blendi Gonxhe për besimin, dhe i uroj nga zemra suksese drejtueses së re, Arta Marku për të çuar më tej sfidat me librin në vend! Angazhimi im në fushën e kulturës do të vijojë"