Sali Berisha paralajmëron se grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk do t’i bashkojë votat me mazhorancën për votimin në Kuvend të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, që si hap të fundit duhet të marrë 3 të 5 e votave të Kuvendit.
Në dalje të SPAK, ku u paraqit për aferën Partizani, kreu i PD deklaroi se nisur nga precedenti i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, PD ka ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi me PS për përzgjedhje emrash. Berisha thotë se për Prokurorin e Përgjithshëm duhet të rishikohen kompetencat.
“Ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash. Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave. Por mund të them që Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë dhe kur dëgjoj ndonjëherë raportin e tij, ai flet sikur është drejtori i statistikave të policisë. Është një zhveshje e gabuar, e gabuar që i kanë bërë atij sepse ai është institucion kushtetues, është institucion kushtetues dhe ta lësh atë sa për disa statistika, kjo është një akt.
Mendoj se mund të rishqyrtohet si institucion për të korrigjuar disa gabime që janë bërë. Për shembull, këta këtu (SPAK), këta hetojnë veten e tyre. Nuk ndodh në botë kështu. Nuk ndodh në botë që një institucion për çështje penale, se hajde administrative po, por për çështje penale të hetojë veten e tij.
Atëherë është e domosdoshme që një institucion tjetër, natyrisht meqenëse këta janë institucion kushtetues, një institucion tjetër kushtetues të marrë një institucion tjetër kushtetues të marrë disa atribute në mënyrë që askush të mos ndjehet mbi ligjin. E të tjera, por në këtë formë siç e kanë krasitë komplet Prokurorinë e Përgjithshme, ai institucion nuk ka një rol që duhet të ketë.”, tha Berisha.
Kryedemokrati komentoi edhe protestat për hartën territoriale. Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama me një të rënë të kapsit kërkon të shkrijë 15 bashki dhe se në vend të decentralizimit po promovon centralizimin ekstrem. Banorëve të bashkive që shkrihen, sipas propozimit të PS, u bën thirrje që të dalin në protesta.
“Janë protestat më të ligjshme dhe unë nxis dhe inkurajoj dhe u bëj thirrje të gjitha bashkive të cilat me një të rënë të lapsit narkodiktatori kërkon t'i fshijë nga harta. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ish-bashkive, të cilat ne i kemi rivendosur në hartë për rikthimin e tyre, të ndërmarrin një proces protestash të pandërprerë, të bashkohen me protestën rinore qytetare, gjer në suksesin e plotë të të drejtave të tyre, kërkesave të drejta.
Kjo që bën Edi Rama është një veprim sulltanesk i një njeriu që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës, i një njeriu i cili, i pangopur dhe i paetur me pushtet, në vend të decentralizimit promovon centralizimin ekstrem. I një njeriu që përdori 2014-ën dhe vazhdon ta thellojë reformën si levën e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata, të gjithë qytetarët e këtyre bashkive që ai me gjakftohtësi kriminale u bie një kryq, nuk do të ekzistojnë, pavarësisht se kanë histori shekullore ekzistence e të tjerë me radhë”, vijoi Berisha.
Berisha u pyet edhe për kështjellën 2.6 mln euro të Ermal Beqirit në Francë, për të cilën tha se hetimet duhet të zbulojnë se kujt i përkiste vërtetë.
“Kështjella është e Ermal Beqirit, apo e Ramës dhe e Olsit, ai kishte kështjellë, jahte, kishte avionë. Pasuritë e shqiptarëve, rrogat e pensionet e vjedhura të shndërruara në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri. Hetimet do ta tregojnë se kështjella mund të jetë e Ramës pasi ai nuk do të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë veç tij”, vijoi Berisha.











Komente
Komento