Me një përvojë mbi 15 vjeçare në sistemin e drejtësisë, prokurorja Rovena Zoto (Bozo) dorëzoi në Këshillin e Lartë te Prokurorisë kandidaturën në garën për Prokuror të Përgjithshëm.

Gjatë karrierës së saj, Zoto ka ushtruar detyra në fusha të ndryshme të ndjekjes penale, në dy prej prokurorive më të rëndësishme të vendit, me ngarkesë të lartë, duke u përfshirë në hetimin e çështjeve komplekse dhe në drejtimin e strukturave të prokurorisë.

Rovena Zoto e ka nisur karrierën në Prokurorinë e Lushnjës, e ndalur veçanërisht në hetimin e krimit ekonomiko-financiar, pastrimin e parave, hetimin pasuror dhe vepra që lidhen me financimin e terrorizmit.

Prej vitit 2021, është prokurore në Tiranë, e angazhuar në hetimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, trafiqet, dhe krimet e rënda ndaj jetës. 

Prej marsit të këtij viti Rovena Zoto drejton edhe një seksion në  Prokurorinë e Tiranës, atë për Drejtësi Penale për të Miturit.

Së fundi, prokurorja 43-vjecare ishte në krye të një hetimi që në bashkëpunim me partnerët austriakë zbuloi dhe goditi një rrjet call centerash mashtrues në Tiranë, që mendohet tu kenë zhvatur qytetarëve evropianë deri në 50 milionë euro. Një hetim kompleks gati 2-vjecar që vuri para përgjegjësisë penale deri tek bosët që drejtonin skemën, siç ishte Granit Pepnika, i arrestuar në fillim të këtij muaji në një vilë luksoze në Dhërmi.

Ajo përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010. Në vitin 2023 Zoto kaloi me sukses vetingun duke u konfirmuar në detyrë.

Me një profil profesional të ndërtuar mbi përvojën në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Rovena Zoto është e dyta kandidaturë zyrtare për postin e prokurores së Përgjithshme. Të mërkurën paraqiti kandidaturën në KLP edhe prokurori i SPAK, Adnan Xholi i cili ka provuar dy herë për të qenë drejtuesi i Spak, në garën ku fitues dolën Altin Dumani e së fundi Klodian Braho.

Olsjan Çela e mbyll mandatin e tij 7-vjeçar në Prokurorinë e Përgjithshme në dhjetor të vitit 2026, pa të drejtë riemërimi.