5 Maji, brenda këtij viti çfarë bëmë ne për kombin tonë

5 Maji, brenda këtij viti çfarë bëmë ne për kombin tonë
Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit, të shtunën nën organizimin e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, është organizuar Akademi përkujtimore, gjatë së cilës u tha se kujtimi për dëshmorët është shumë i rëndësishëm pasi pa sakrificat dhe gjakun e tyre do të ishte e pamundur që të jetohet në një Kosovë të lirë.

Të pranishëm në Akademinë përkujtimore ishin familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, përfaqësues të institucioneve vendore, ndërkombëtare, si dhe mysafirë nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në fjalën e tij përshëndetëse ka theksuar se për të mbajtur gjallë kujtimin e dëshmorëve kjo datë duhet të festohet në të gjitha ato pjesë ku ranë, luftuan e qëndruan heronjtë e dëshmorët e vendit tonë.

Ndërsa potencoi se duhet të insistohet që në vendet udhëheqëse tona të zgjedhën njerëz të cilët në rend të parë e kanë qëllimin kombëtar.

Demaçi ishte kritik dhe pyeti se çfarë bënë shqiptarët për kombin.

“Në emër të popullit të thjeshtë, në emër të shqiptarëve të Kosovës përshëndes veteranët tanë, invalidët të cilëve shoqëria jonë ende u ka borxh. Ende nuk jemi në gjendje që t’i trajtojmë ashtu si e meritojnë, mirëpo besojë se ata nuk luftuan për të fituar diçka. Ata vendosën të vdisnin por rastësisht shpëtuan dhe mund të jenë këtu me ne. Këto manifestime që i bëjmë ne e kanë rëndësinë e tyre, mirëpo këto manifestime ne na obligojnë që të mendojmë të gjithë ne se brenda këtij viti çfarë bëmë ne për kombin tonë”, ka thënë ai.

Demaçi, po ashtu shtoi se veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve nuk po trajtohen si duhet, duke kritikuar institucionet gjegjëse se nuk kanë bërë aq sa duhet për mirëqenie e tyre. Ai po ashtu nuk pajtohet me deklaratat e politikanëve tanë kur thonë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, pasi, sipas tij, për një pjesë të vendit ende nuk po mund të vendosin vetë.

Për ta nderuar këtë datë, e cila i dedikohet të gjithë dëshmorëve të kombit, nga Shqipëria kishte ardhur gjeneral Kudusi Lame, i cili mbajti një kumtesë për rëndësinë e datave të këtilla siç është 5 maji, për vlerën madhore kombëtare të të rënëve për lirinë e atdheut.

“Kombi ka ditët e tij të veçanta ndërto ka edhe një ditë të caktuar për nderimin e dëshmorëve të atdheut dhe kombit. Kjo ditë që është caktuar me 5 maj u bënë nderë të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për mbrojtjen e atdheut dhe interesat e kombit duke luftuar kundër armikut. Dhe kudo që bien dëshmorët duhet të nderohen në një ditë, kjo për faktin se çdo shqiptar në të gjitha trojet etnike, në oborrin e çdo shqiptari ka një grusht dhe që është i tij dhe që duhet ta mbrojë”, ka thënë gjeneral Kusudi Lame.

Në këtë akademi ka folur edhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Hysni Shaqiri, i cili ka thënë se kujtimi për dëshmorët është shumë i rëndësishëm pasi pa sakrificat dhe gjakun e tyre do të ishte e pamundur që të jetohet në një Kosovë të lirë dhe demokratike.

“T’i kujtojmë dëshmorët e kombit dhe kujtesën për ta mos ta kemi vetëm më 5 maj, që është vetëm një ditë nga 365 ditë të vitit, por gjithnjë ta kemi kujtesën për ta. Atë kujtesë ta kemi çdo herë, deri sa të jetë ky popull në këto troje, vetëm me punë dhe angazhimin tonë për ta realizuar amanetin e tyre që unë llogarisë se ende, ne si të gjallë, nuk kemi arrit t’i kryejmë detyrat tona”, ka thënë Shaqiri.

Në emër të organizatave të dal nga lufta e UÇK-së, të pranishmit i ka përshëndetur kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve Xhavit Jashari, i cili ka thënë se 5 maji do të jetë dita që bashkon të gjithë të rënët për liri dhe për çlirimin e tokave shqiptare pa marr parasysh se nga cili armik ishin të pushtuara tokat e gjeografisë kombëtare shqiptare.

Jashari po ashtu shtoi se populli shqiptar në të gjitha periudhat kohore për liri dhe çlirimin e tokave të okupuara dha më të shtrenjtit e tyre që brezat e tjerë shqiptar të jetojnë të lirë dhe të kenë një atdhe, e ky atdhe të ketë një shtet një komb dhe një flamur kombëtar.

Sot, më 5 maj në të gjitha komunat e Kosovës shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë zhvilluar veprimtari të caktuara për të nderuar të rënët për liri të atdheut.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore