LUSHNJE- Arrest me burg ka qenë masa e sigurisë që Gykata e Lushnjës ka vendosur për drejtoreshën e Arsimit në Lushnjë, Liza Tabaku, ndaj së cilës rëndon akuza për “korrupsion pasiv”.
 
Sakaq gjykatësja e çështjes, Saimira Hila, të njëjtën masë sigurie ka vendosur edhe për djalin saj Xhanluka Bakiasi, teksa e njëjta masë është kërkuar nga prokurorja e çështjes, Rovena Zoto, për të dy të akuzuarit.
 
Avokati mbrojtës i Tabakut dhe djalit saj, ka kërkuar që Gjykata të cilësojë si të paligjshëm arrestimin e tyre.
 
Ndërkaq, e njëjta masë është dhënë edhe për mësuesin, Rigert Zeneli, i cili ishte në negociata për emërimin dhe mosshkarkimin e rreth 20 mësuesve kundrejt shpërblimit.
 
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merrnin para nga mësues të ndryshëm në zonën e Lushnjës, në këmbim të emërimit, transferimit apo moslëvizjes nga vendi i punës.
 
Pas veprimeve hetimore paraprake, të drejtuara nga Prokuroria Lushnjë, të shtunën (datë 22.11.2014) janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xhanluka Tabaku dhe Rigert Zeneli. Po në të njëjtën ditë, me urdhër të prokurorisë, është ndaluar shtetasja Liza Tabaku.

lushnje, drejtoresha
lushnje
(Në foto: Liza Tabaku sot në gjykatë)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)