Dasma ky rit kaq i bukur dhe i shumëpritur, në vendin tonë dikur organizohej si një festë e madhe që përfshinte jo vetëm familjet e çiftit dhe të afërmit, por gjithë komunitetin ku ata jetonin. Dasmat plot rite dhe traditë mirëorganizoheshin në çdo detaj. Ndaj sot ato shprehin edhe një pjesë të kulturës tonë shoqërore. Por me kohën dasmat kanë ndryshuar, tradita është zbehur ndër vite, megjithatë është bukur të kujtosh shumë rite nga e shkuara për t’i risjellë në vëmendje. Në emisionin “Rreze Dielli” nën moderimin e Androniki Kolka, me një panel interesant u diskutua dasma, kjo festë e madhe. Natasha Mio e ftuar në panel ndau me publikun disa nga emocionet e festës së saj, dekada më parë.
“Kur u martova unë në 1973, qyteti u kthye në një hotel, për të gjithë njerëzit. Dasma fillonte të hënën, ishte traditë të bëhej një bukë me qiqra dhe madje kush vinte për vizitë, të gjithë sillnin bukë me qiqra. Sipas traditës caktohej një kryetar i dasmës që do drejtonte dasmën. Të hënën hapej edhe paja e nuses si dhe caktohej dikush që të këndonte. Të gjithë këndonin dhe brohorisnin”, u shpreh ajo.
Natasha kujtoi me shumë emocion daljen nga dera e shtëpisë, ku sipas traditës nusja qante.
“Kur dola nga shtëpia nëna më këndoi: Moj Natashë ball venedike, ishe çupe u bëre mike, kapërceve dy tre shkallë ishe çupë u bere hallë”, kujtoi ajo.
Disa nga traditat e dasmave që u sollën në vëmendje për publikun ishin edhe dërgimi i fustanit të bardhë tek nusja si dhe marrja e pajës për të vajtur tek dhëndri, ky rit shoqërohej me një djalë të vogël. Brenda në pajë vendosej oriz dhe karamele, këto vendoseshin edhe brenda në fustan. Vendosja e parave tek këpuca e nuses, ishte një tjetër traditë që u diskutua, e që bëhej në dasmat e Shqipërisë së mesme në momentin kur merrej nusja.
“Të shtunën ishte dasma e nuses, e cila ishte shumë më e kufizuar se e djalit. Nga ora 12 e natës zgjidhej një kryesi, një numër tek 9 ose 7 veta, që do të shkonin tek dasma, zgjidheshin njerëzit më të mençur të fisit për të treguar epërsinë e djalit ndaj nuses”, u shpreh Skënder Allkoçi, ish-ushtarak në profesion.
Allkoçi u ndal edhe tek duvaku i kuq që vihej mbi kokën e nuses.
“Mbulimi i fytyrës simbolizonte virgjërinë e nuses, vendosej sepse nuk duhej të shihej nga askush, vetëm natën e parë kur ajo të shkonte tek burri”, u shpreh ai.
Ndërsa në dasmat e veriut ajo që binte në sy ishte testimi intelektual i dhëndrit, vendosja e kamatës për nusen nga daja si dhe armatosja e dasmorëve dhe shtirja në ajër që simbolizonte marrjen e nuses.
“Kur nusja merrej nga krushqit dhe ndodhte që ajo t’ju ikte nga duart dhe të kthehehej për të qarë, krushqit riuleshin dhe vlera që daja e nuses dhe daja e dhëndrit kishin vendosur si kapar për marrjen e nuses ripaguhej”, u shpreh sipërmarrësi Ridvan Koliçaj, i cili tregoi se sot gjithçka ka ndryshuar, tarifa e shkuesit në veri të Kosovës ka shkuar dhe 5000 Euro për të lidhur në martesë një çift.
Sot shumë tradita kanë ndryshuar, megjithatë sa herë i kthehemi të shkuarës gjithmonë e më shumë na pëlqen ajo që duhet të mundohemi gjithmonë ta ruajmë!
Komente












