Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për pesë muajt e parë të vitit të ardhurat totale nga primet e sigurimit u rritën me 1.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Segmenti i jetës u është rikthyer ritmeve më të mira të rritjes dhe për pesëmujorin të ardhurat nga primet ishin 15.7% më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, tregu i jo-jetës regjistroi një performancë negative dhe ra 0.6% me bazë vjetore.
Grupi i sigurimeve të detyrueshme motorrike, që vazhdon të përbëjë peshën kryesore në strukturën e të ardhurave, pësoi gjithsej një rënie me 5%. Brenda këtij grupi, sigurimi i brendshëm motorrik ra me afro 9%.
Një nga segmentet që vijon të shfaqë ecuri pozitive është ai i sigurimit të shëndetit, që ka njohur edhe rritjen më të lartë, me afro 26%.
Në pesë muajt e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë ulur ndjeshëm vlerën e dëmeve të paguara. Në pesë muajt e parë të vitit, dëmet e paguara u ulën me 11% kundrejt vitit të mëparshëm.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)