Dy shqiptarë rrezikojnë 18 muaj burg për përfshirjen e tyre në një plantacion shumë të madh kanabisi, i zbuluar në Dison. Ata deklarojnë se janë vetëm vartës të një organizate kriminale në Shqipëri.

Në qershor të vitit 2023, banorët e rrugës Bonvoisin në Dison njoftuan policinë e Vesdre për lëvizje të dyshimta në numrin 12 të kësaj rruge në qendër të Disonit, ku ndodhet një fermë e vjetër. Kontrolli fillestar zbuloi konsum anormal të energjisë elektrike në këtë banesë, gjë që ngriti dyshimet për ekzistencën e një plantacioni kanabisi. Më pas, policët zbuluan vërtet një plantacion gjigant me 4 dhoma kultivimi, ku në total ndodheshin 6.124 bimë.

Policët kapën një shqiptar 35-vjeçar që flinte mbi një dyshek të thjeshtë. Ai deklaroi se ishte thjesht një kopshtar, i rekrutuar nga Tirana për një periudhë dy mujore dhe për një pagesë prej 15.000 eurosh, me qëllim mirëmbajtjen e një plantacioni për të cilin, sipas tij, fillimisht nuk e dinte se ishte me kanabis.

Policët zbuluan gjithashtu gjurmë ADN-je në mbulesën plastike të një prej dhomave të kultivimit. Kjo gjurmë i çoi ata te një tjetër shqiptar, 28 vjeç, i cili në atë moment ndodhej në burgun e Lantinit, pas një dënimi për posedim të një arme zjarri.

Ky i fundit deklaroi se ishte punësuar për të transportuar materiale, për të cilat pretendoi se nuk e dinte se për çfarë do të përdoreshin, dhe se nuk kishte shkelur kurrë në banesën në fjalë.

Hhetimet nuk mundën të shkonin më tej dhe të identifikonin personat pas plantacionit.

Dy të arrestuarit janë dëbuar në Shqipëri. Për njërin prej tyre nuk ka më asnjë informacion, ndërsa tjetri përfaqësohet nga një avokat, i cili kërkon pafajësinë e klientit të tij. Sipas avokatit, gjurma e gishtit e zbuluar në mbulesën plastike mund të ketë përfunduar aty gjatë transportimit të saj.

Vendimi do të jepet pas një muaji.