TIRANE- Shpërthimi i rreth 500 gram tritol i shpëthyer në mënyrë të telekomanduar i ka marrë jetën biznesmenit Isuf Brahimaj alias Isuf Kokaj, 42 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në orën 6:26 minuta në rrugën Transballkanike, kur Brahimaj ishte duke udhëtuar me makinën e tij “Mitsubishi” me targa AA848JX, ku ndodhej edhe 19-vjeçarja Ornela Gjini e cila ka marrë plagë të rënda. E reja është sjellë në Tiranë në repartin e djegie-plastikës dhe ndodhet në rrezik për jetën.

Brahimaj duket se nuk i ka shpëtuar atentatit të tretë të bërë ndaj tij, pasi dy herët e para në vitin 2013, ai kishte shpëtuar pa dëmtime. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, të cuilët kanë nisur hetimet për ngjarjen e rëndë. Pista kryesore ku po hetohet është e kaluara kriminale e Brahimajt. Ndërkaq nga shpërthimi i fuqishëm, makina është shkatërruar në mes të rrugës.