Nga zanatet e vjetra e deri tek profesionet e reja, kryesisht në teknologji, aktualisht janë 5500 vende të lira pune, për punëtor krahu, magazinier, ekonomist, bojaxhi, mjekë, punonjës në hotele e deri tek profesionistët të teknologjisë së informacionit.
Për t’ju përgjigjur nevojave të tregut me profesionistë qeveria synon që të fuqizojë edhe më shumë arsimin profesional me synim-‘ata që dalin nga arsimi të jenë ato që kërkon tregu’. Ky është objektivi 3 vjeçar i vënë nga qeveria për rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë, i përfshirë në programin e Reformave Ekonomike 2025-2027.
Arsimi Profesional, si një mundësi për zhvilluar ekonominë, do të ketë vëmendje të shtuar nga qeveria, ku do të investohet në infrastrukturë të avancuar, laboratorë inteligjentë, do të ndryshojnë kurrikulat mësimore për t’ju përshtatur zhvillimeve teknologjike e ekonomike përtej lëndëve tradicionale si dhe do të përfshihen trajnime për mësuesit për t’ju përshtatur zhvillimeve të kohës.
“Programi kombinon investimet në infrastrukturë në lidhjen e shkollave dhe laboratorë inteligjentë me trajnime të mësuesve dhe përditësime të kurrikulës. Theksi i reformës në trajnimin praktik dhe mësimin e bazuar në punë paraqet një ndryshim të rëndësishëm në metodologjinë edukative. Duke integruar njohuritë teorike me përvojën praktike, do të përgatisë më mirë studentët për mjedise të punës në botën reale”, thuhet në programin e reformave ekonomike.
Jo vetëm mësim teorik por edhe praktik. Ky do të jetë një tjetër aspekt ku do të fokusohet puna e institucioneve por edhe shkollave në këtë 3-vjeçar.
“Kjo qasje është veçanërisht i rëndësishëm për sektorët në zhvillim ku njohuritë teorike duhet të plotësohen nga praktika përvojë me teknologjitë aktuale dhe praktikat e punës”, vijon më tej programi.
Gjithashtu do të punohet për të krijuar partneritet institucione arsimore-biznes, ë mënyrë që të përfshihen programet e praktikës për studentët.
“Ky bashkëpunimi i thellë siguron që programet e trajnimit të mbeten aktuale me nevojat e industrisë duke ofruar punëdhënësit me kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e aftësive”, thuhet në program.
Përmes këtyre reformave qeveria pret rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut, integrimin edhe të grupeve vulnerabël në treg si dhe ulje të papunësisë deri në 9.3% në 2027-ën.