56 raste të reja me
HIV, testim masiv

56 raste të reja me<br />HIV, testim masiv
TIRANE - Numri i të prekurve nga HIV/AIDS në vendin tonë ka shënuar rekorde të reja. Vetëm për periudhën janar-maj 2013, janë identifikuar zyrtarisht plot 56 raste të reja, ndërsa në fund të 2012-ës ishin 555 të infektuar.

Sipas mjekëve infeksionistë, të cilët kanë dhënë alarmin për rritjen e numrit të prekurve, ka ardhur koha që në vend të kryhet testim masiv i popullatës për HIV/AIDS. Në një konferencë të përbashkët të mjekëve infeksionistë nga Shqipëria dhe Anglia, Arjan Harxhi, mjeku i njohur infeksionist në Shqipëri, ka deklaruar se më të rrezikuara janë moshat e reja, kryesisht ata nga 18-35 vjeç, për shkak edhe të sjelljeve seksuale të rrezikshme që ata kanë.

"Trendi është në rritje. Vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 56 raste të reja. Duhet treguar vëmendje për këtë çështje. Shqiptarët, sidomos grupe që ne i konsiderojmë të rrezikshëm, tregojnë sjellje të rrezikshme seksuale. Testimi ofrohet në Shqipëri dhe duhet të jetë më i aksesueshëm", - ka deklaruar Arjan Harxhi, mjek infeksionist.

Sipas mjekut infeksionist ndryshe nga vitet e shkuara rastet e reja janë konstatuar në popullatën e përgjithshme kryesisht moshat e reja. Sipas tij kjo ka të bëjë me sjelljet seksuale të rrezikshme të të rinjve, por edhe për faktin se në këtë moshë është edhe aktiviteti më i madh seksual.

Mjekët shkojnë edhe më tej dhe sugjerojnë se për të frenuar epideminë e përhapjes së HIV/AIDS, duhet të ndryshojë edhe strategjia kombëtare e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së HIV-it dhe duhet të përfshijë një testim kombëtar të popullatës në vend.

Sipas Harxhit, testi i HIV/AIDS duhet të bëhet i detyrueshëm në klinikat gjinekologjike për gratë shtatzëna dhe po kështu të shtrihet edhe në poliklinika ndërkohë që qytetarët duhet ta bëjnë vullnetarisht këtë test.

“Moshat më të rrezikuara janë ata 18-45 vjeç, pasi kjo është mosha edhe më aktive seksualisht, por që kanë edhe sjellje seksuale të rrezikshme. Ka ardhur koha që strategjia të ndryshojë dhe të përfshijë edhe një testim masiv të popullatës për të parë gjendjen reale, ndërkohë që për gratë shtatzëna ky test duhet të jetë i detyrueshëm”, - ka deklaruar harxhi.

Ndërsa mjekët anglezë që kishin ardhur për të treguar eksperiencën në menaxhim e rasteve të tilla, kanë kërkuar zbatimin e protokollove ndërkombëtare. "Pavarësisht se jeni një vend me prevalencë të ulet, numri i të prekurve me HIV/ AIDS është në rritje.

Ministria e Shëndetësisë duhet të bashkëpunojë me mjeket infeksionistë për testim masiv të vazhdueshëm të popullatës dhe për të ofruar mjekime të përshtatshme për të prekurit sipas protokolleve mjekësore ndërkombëtare", - ka deklaruar Mike Youle, mjek infeksionist anglez.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit