Vëmendja botërore është fokusuar tek konflikti Izrael Palestinë por Ukraina ka hyrë në ditën e 597 të luftës. Mediat ndërkombëtare raportojnë për një ofensivë të madhe të trupave ruse në qytetin Avdiivka në Ukrainën Lindore.
Tre batalione me rreth 2,000 trupa, dhjetëra automjete të blinduara, si dhe avionë, janë përfshirë në atë që përshkruhet si sulmi në shkallë më të madhe në këtë zonë.
Ata po përdorin raketahedhës të shumtë, artileri, tanke dhe këmbësorie - të gjitha në të njëjtën kohë, thotë mbrojtja ukrainase.
Avdiivka përshkruhet si porta hyrëse për në Donetsk, kryeqyteti i rajonit lindor të Ukrainës Donbas. Edhe pse Rusia dhe forcat e saj përfaqësuese e kanë pushtuar qytetin e Donetskut që nga 2014, ata nuk kanë qenë në gjendje të përdorin burimet e saj si një qendër kyçe e komunikimit. Duke kapur Avdiivka, forca pushtuese mund ta shtyjnë në thellësi të territorit të Ukrainës vijën e parë të frontit.
Avdiivka është kthyer në një simbol të rezistencës ukrainase. Presidenti Zelensky, thotë: Ne po mbajmë terrenin tonë. Është guximi dhe uniteti ukrainas që do të përcaktojë se si do të përfundojë kjo luftë.
"Mesatarisht, ka 50-60 raste të bombardimeve intensive me artileri dhe raketa që synojnë qytetin," thotë Vitaliy Barabash, kreu i administratës ushtarake të Avdiivka dhe pozicionet ushtarake goditen të paktën 500-600 herë në ditë”.
Rusia ka nisur sulme masive përgjatë pjesëve të tjera të vijës së frontit në Ukrainën lindore. Forcat e saj po shtyjnë në drejtim të Kupyansk në rajonin e Kharkiv dhe Lyman në rajonin e Donetsk. Analistët nga Instituti i Studimit të Luftës argumentojnë se këto operacione në Avdiivka dhe pjesë të tjera të Donbasit kanë për qëllim fiksimin e forcave ukrainase për të "parandaluar ridislokimin e tyre në zona të tjera", veçanërisht në rajonin Zaporizhzhia më në perëndim, ku Ukraina po bën një përparim të ngadaltë.