Administrata Doganore njoftoi se në gjashtëmujorin Janar- Qershor 2014 ka arkëtuar 69 miliard e 295 milion lekë nga 69 miliard e 290 milionë të parashikuara, me një realizim të plotë të planit ambicioz financiar pas marrëveshjes të Qeverisë Shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 janë arkëtuar 7,9 miliard lekë më shumë me një rritje prej 12.9 %.

Gjatë muajit Qershor 2014 u shënua një rritje të konsiderueshme prej 24.9 %, me një arkëtim prej 13,23 miliard lekë ose 2.6 miliard lekë më shumë se muaji Qershor 2013.
Doganat konstatojnë se vërehet një trend pozitiv sa i përket rritjes së eksporteve me 9%, ku kontributin kryesor vazhdon ta ketë rritja e eksporteve nga përpunimi aktiv me 32% (fasonet).

Akciza

Gjithashtu, si rezultat i një fushate sensibilizuese, informuese dhe parandaluese në fushën e akcizës organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me Crown Agents është konstatuar një rritje e ndjeshme në zbatimin e detyrimeve të parashikuara me ligj si dhe në pagimin e detyrimeve përkatëse nga ana e subjekteve të akcizës. Muaji Qershor 2014 karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e sasive dhe vlerave të mallrave të akcizës krahasuar me Qershorin e vitit 2013 përkatësisht:

- Karburante, 40.185 ton përkundrejt 36.693 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës
- Kafe, 538 ton përkundrejt 514 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës
- Cigare, 258 ton përkundrejt 238 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës
- Birrë, 3.055 h/l përkundrejt 2.828 h/l të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës.